Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se vendi nuk ka opozitë dhe se partitë e vogla duhet të marrin më shumë përgjegjësi e rol me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Përmes një postimi në Facebook, Duka nënvizon se sesioni i ri parlamentar vjen me zhvillime dhe qasje të reja politike, ndërsa thekson se mazhoranca vjen e ngarkuar me skandale, duke iu referuar këtu arrestimeve dhe proceseve të hapura nga Prokuroria e Posaçme.
Postimi i plotë i Dukës:
Vendit i duhet opozita reale, partitë e vogla duhet të marrin më shumë rol e përgjegjësi
Nisja e sesionit të ri parlamentar është një ngjarje politike, jo thjeshtë kalendarike, që ndan njërën etapë nga tjetra, por një ngjarje që shënon edhe zhvillime dhe qasje të reja politike. Këtë vit, sesioni i ri vjen me qartësime edhe më të mëdha të pozicionimit të palëve, mazhorancë – opozitë.
Mazhoranca vjen më e ngarkuar me historitë e skandaleve, pasi kaloi një verë të nxehtë, më arresitme e procese të reja të hapura nga SPAK.
Ndërsa opozita thellon edhe më tej përçarjen, pasi PD-ja zyrtarizoi ndarjen në 2 apo 3 pjesë, duke e bërë edhe më të vështirë përmbushjen e misionit të saj plotik.
Në këto kushte, mendoj se detyra e partive që praktikisht etiketohen si të vogla, është që të marrin më shumë rol dhe përgjegjësi. Abuzimit më ligjin, me paratë e taksave të shqiptarëve dhe abuzimit me pasuritë publike të Shqipërisë, u duhet vënë fre.
U duhet vënë fre jo me daklarata nëpër konferenca shtypi, por me veprime konkrete në parlament dhe jashtë tij. Me nisma që synojnë shfuqizime praktikash ligjore që janë ngritur e përdorur nga mazhoranca për të legjitimuar grabitjen e pronës publike.PAA do të kërkojnë, në vijim të këtij sesioni, bashkëpunimin e çdo partie dhe deputeti, për të dhënë kontributin në këtë drejtim.