Gjykata e Posaçme e Shkallës e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron e pasurive të Arben Ahmetajt. Ish zv. kryeministri, tashmë në arrati, kërkoi heqjen e këtyre masave përmes avokatit të tij për apartamentin në Tiranë si dhe dy llogarive bankare.
Por, ky organ i drejtësisë në vend ka vendosur që pasuritë e ish Ministrit të Financave të vijojnë të jenë nën sekuestro.
Kujtojmë që Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet si i përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve. Ndaj tij rëndojnë tre akuza:
“Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste; “Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim; “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.