Pas takimit të mbajtur ditën e sotme me kryedemokratin Lulzim Basha, aleatët opozitarë kanë informuar lidhur me çfarë u diskutua.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se “U diskutua për zhvillimin e protestave masive, për ta kthyer qeverisjen në binarët kushtetues”.
Po ashtu ai tha se opozita duhet të bëjë çdo gjë që kërkojnë shqiptarët për ta kthyer vendin në rrugën e duhur.
Ndërkohë kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu deklaroi se, “Kërkesat janë të njëjtat, largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të reja dhe të lira”.
Në vijim ai tha se edhe se ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, por shtoi se duhet që të kuptohet se sa të jetë Edi Rama do ketë drogë dhe jo stabilitet.
I pyetur se nëse Rama nuk tërhiqet pas djegies së mandateve, a do tërhiqet opozita nga zgjedhjet lokale, ai tha se, “Duhet të dini që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në gjithë institucionet dhe hapësirën politike. Këtë nuk e kemi diskutuar akoma, por duhet të presim protestën e datës 16 njëherë”.
Në takimin e aleatëve opozitat ishte e pranishme kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ai i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Agron Duka i Agraro Ambientalistëve.
Sakaq rreth orës 17.00 të pasdites së sotme është parashikuar një takim i Bashës me kryetarët e degëve të Tiranës.