Nga Agron Gjekmarkaj:
Dua edhe unë vulën time!
Punët në PD zyrtare po bëhen serioze shumë. Kush ka shëndet e daulet ngah për të kapur një vulë.
Nuk guxon të ftosh njeri për kafe. Të thonë “s’kemi nge- po shkojmë të gjejmë një vulë”. Eja se ka dasëm e fton tjetrin…jooo se më marrin vulën të gjegjet. Shkojmë në plazh? Bah të lë vulën vetëm të jep xhevap?! Koha për gjumë! Ç’thua -nata ditë roje.
Turru andej e vrap këtej. Lufta për vulën është lufta për jetën. Zelenski i vogël jetën e bën hasha po vulën kurrë. Ai ka dalë si mesia dhe njerëzit sa e shohin dalin e ndjekin nga pas turma turma duke i puthur këmbet. Ai i bekon një nga një. U thotë “kush më ndjek mua përqafon të vërtetën, unë jam jeta, rruga e vërteta”! Hajde hajde ç’vete!
Betejat për vulën po bëhen gjithnjë e më epike. Sot që flasim kemi tre të tilla të cilat janë produkt i një retorike dramatike për monopolin e së drejtës dhe virtytit. Pala e madhe nënkupton që dy të voglat janë në shërbim të Edi Ramës. Tritani bëri thirrje që të lëkundurit të mbledhin mendjen ta fusin në kaboqe se shtatori është muri Limës që ndan të cilivizuarit nga hordhitë barbarike. Copëza, e vogla fort me dhjetë veta akuzon të mesmen që po i shërben Doktorit dhe regjimit të cilin ajo do e bëje fërtele. E mesmja mbledh 274 firma të këshillit kombëtar dhe i thotë sikter procesit privat të yshtur nga shoqata e dashamirësve të Liderit të vogël historik. Vula e vjetër ka mbetur në duart e Gazit mbi të cilit bien namat e kara- bullakës” të zëntë vula nën vete”. Dash Sula, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja si pretorian e ruajnë atë natë ditë si kujtim i kohës kur PD nuk merrej me shakara. Herë pas here që të mos plasaritet nga rrezet e lyejnë me lotët e dikurshem të Jorides si vaj i bekuar.
I pari që sajoji vulë të re qe Doktori. Tani një vulë tjetër në emër të grupit të të dhjetëve do e mbajë Sefa për t’ja dhënë Lulit pasi shoqata natën ashtu vendosi. Po kaq njeri prej tyre dha lajmin që do prodhohet një vulë tjetër. Oh sa mirë! Jeni që jeni ma bëni hazër dhe mua një me logon “PD grupi i të pa angazhuarve” dhe do shikoni ç’ do i bëj pushtetit me të në xhep. Do e shtrëngoj fort si armë miçidiale. Me të në dorë do godas krimin dhe korrupsionin. Zap do e mbledh. Si çok do ta përdor të lë pa frymë Ramën sapo të hyjë në Parlament. Taos, Ulsiut, Damos dhe Tonit do jua vë në ballë si hekurin e skuqur skllevërve. Kur ajo të marrë ndonjë copë lëkure me vete të mbetet fjala – Turp. Pastaj do ta përdor si kokë dashi për të bërë copash kryeministrinë apo si shul për të mbyllur Kuvendin. Pas vulës si mullar do mblidhen fëmijët e pleqtë ti shpëtojnë vapës e qametit. Nën hije të saj do hamë e pimë. Aty do bëjmë plane të mëdha qysh do dalë në selamet Opozita, Shqipëria dhe njerëzia. Ndoshta s’do kemi njerëz?! Ata kanë ikur nga sytë këmbët. Po punë e madhe! Ata nuk na duhen. Mjafton të kemi vulën. Me nja dy treqind vula nuk na del kush përballë. Kur të ketë dhe Luli të veten do ta rrethojnë Qeverinë dhe si gjyle mbi te do hedhim vulat. Mjere kë do zërë nën vete shiu i tyre.
Nga sot gjithë minutat politike do ti shfrytëzoj të kem një vulë timen birinxheshë. Kush të më çaj veshët ti them, jam vulë më vete. Luli do me sjelle kafene. Kryezevendes Lideri Muli do na e shtrojë me zemergjerësi. Gazi do më bëje revani me duart e veta. Bana do më bëje petulla. Në shënjë mirënjohje do tu vulos të gjithve një vërtetim si demokratë të vërtetë e luftëtarë të paepur kundër Tiranisë.