Antiamerikanët e sotëm nuk e meritojnë krahasimin me haxhiqamilistët‘

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Mustafa Nano

Mes opozitarëve tanë ka marrë udhë tanimë një histerí në veçanti antiamerikane e në përgjithësi antiperëndimore, që e ka burimin tek vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për të shpallur non grata Sali Berishën, por që tek-tuk është vënë re edhe më herët për shkak të mbështetjes që i ka ardhur qeverisë socialiste nga përtej Atlantikut.

Është pak e çuditshme kjo gjë, pasi mbështetja amerikane ndaj atyre që janë në pushtet nuk përbën një risi. Gjithë kohën kështu ka qenë. Ambasadori Arvizu e shpalli Berishën burrë shteti vetëm disa ditë pasi Garda e Republikës shtiu me plumba mbi turmën e pafajshme, të paarmatosur e të parrezikshme, duke lënë të vrarë katër vetë.

Ju kujtohet? Berisha u shpall burrë shteti “për meritën e madhe” që anuloi “mitingun e paqes” të lajmëruar pas plojës që orkestroi në bulevard. Ishte kulmi i anësisë së një ambasadori amerikan në Shqipëri, dhe prandaj ishin të shumtë ata që u skandalizuan prej këtij qëndrimi dhe e kritikuan atë, por unë nuk kujtoj të jenë manifestuar atë mot emocione antiamerikane. I parë a posteriori (për ata që nuk kanë patur ftohtësinë e duhur në kohë reale; unë isha një nga ata), ai qëndrim, përveçse ishte konsekuent (përsëris: ambasadorët amerikanë e kanë pasur linjë të tyren të mbështesin qeverinë), ishte edhe i urtë.

Situata ishte e ndezur, dhe vetëm pak gjë duhej që vendit t’i vihej zjarri. Dhe atë “pak gjë” e garantonte robi që kishim në krye të qeverisë. Në mungesë të ambasadorit amerikan, gjithçka mund të ndodhte. Por ishte së pari falë tij, e së dyti falë skrupujve (apo frikës, për të folur me gjuhën e berishianëve) të socialistëve, që më e keqja u shmang. Mund të ngjante një 1997 tjetër.

Edi Rama ka gëzuar mbështetjen amerikane edhe për arsye që nuk lidhen me sjelljen strategjike amerikane në të mirë të qeverisë. Ai tregoi që në krye të herës se veç për t’u prishur qejfin amerikanëve nuk i shkonte mendja. Vetëm pak javë kishte në zyrën e kryeministrit kur, për t’i fituar zemrën a vëmendjen John Kerry-t, ra dakord për çmontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Më pas i dha OK-in pa bërë asnjë naze idesë mbi reformën në drejtësi, e cila është një shpikje e amerikanëve (pavarësisht gjepurave se reformën e ka dashur Sorosi!!!).

Më tej, Rama ia ka dalë t’u mbushë mendjen atyre se, përveç tij, nuk kanë se kujt tjetër t’i besojnë në lagjen politike shqiptare. Por nuk i është dashur ndonjë mundim i madh për ta bërë këtë. Me Berishën amerikanët ishin ndarë një herë e mirë prej vitit 1997, dhe po të mos ishte për papërgjegjshmërinë e shpërpjestimuar të Fatos Nanos, ai nuk do rikthehej më kurrë në zyrat e shtetit shqiptar, aq më pak si kryeministër. Edhe pasi u kthye, ai nuk u ngjiti më amerikanëve, pavarësisht vizitës së Bush-it në kuadër të një turi rajonal të tij. Berishianët e sjellin atë vizitë si provë se Berisha ka pasur marrëdhënie të mirë me amerikanët, por kjo është një pesë me hiç.

Edhe pse Berisha arriti ta fitojë atë vizitë (që qëlloi të ishte e rëndësishme, duhet thënë), ai nuk mundi t’ua rifitonte zemrat amerikanëve, të cilët i kishin vënë kryqin pa kthim. Ai iu lëpi atyre kur u bë kryeministër, ishte lepe e peqe me ta (“mos i kruani brirët me Bechtel-in” u thoshte opozitarëve socialistë që i kërkonin llogari për korrupsionin në rrugën Durrës-Morinë, dhe me këtë donte të thoshte: “mos e merrni me këtë punë, pasi janë amerikanët në tavë”), por çfarë ishte thyer, nuk u ngjit më. Withers-i, që kaloi katër vjet si ambasador gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër, nuk e fshihte që mezi e shihte me sy atë.

Sesa i përkrahur ka qenë Berisha nga amerikanët e tregon edhe fakti që nuk doli qoftë edhe një mik i tij në Washington të shprehte, në mos tjetër, habinë për shpalljen non grata të “atij që përmbysi komunizmin në Shqipëri”. I vetmi që i doli në mbrojtje ishte një farë Lee Zeldin, emrin e të cilit e dëgjuam për herë të parë me këtë rast. Lee Zeldin, i cili kandidoi në zgjedhjet e 8 nëntorit për postin e guvernatorit të New York-ut (humbi), nuk ka qenë kurrë i lidhur në ndonjë mënyrë me Shqipërinë. Edhe në Europë ishte e njëjta gjë. Askush nuk shprehu rezerva ndaj vendimit të fortë amerikan (me përjashtim të zonjës në pension Doris Pack, që nuk përbën më lajm as për Syri.net). Goditja që iu dha një njeriu që kishte qenë president e kryeministër për gati 15 vjet e që kishte sunduar bujshëm skenën politike në vendin e shqipeve u shoqërua me një heshtje gati-gati të mistershme.

Si nuk doli një europian, një prej atyre qindrave që e kanë njohur e takuar Berishën, të thoshte një fjalë keqardhjeje, lëre të bënte më shumë? Përgjigja është: Lajmi i shpalljes non grata të Berishës i gëzoi të gjithë. Për partnerët ndërkombëtarë, ai kishte qenë prore një sëkëlldi. Dhe mbeti një sëkëlldi edhe pasi u largua prej reflektorëve. Sepse vijoi tërhiqte fijet në prapaskenë, duke ia dalë të mbetej de facto një faktor në politikën shqiptare. Për t’ia mundësuar vetes këtë rol, kishte zgjedhur në krye të PD-së një kukull: Lulzim Bashën.

Ky dualizëm në kokën e partisë së madhe opozitare i lodhi dhe i nervozoi mbi të gjitha amerikanët. Ata donin të kishin në PD një njeri, me të cilin të merreshin e të komunikonin, por kudo u fanitej hija e Berishës. Asgjë nuk bëhej pa të. Basha nuk bënte asnjë përpjekje për ta maskuar këtë fakt. Madje, dukej sikur bënte çmos që ta merrnin vesh të gjithë se ai ishte violinë e dytë e partisë që drejtonte. E sikur të mos mjaftonte kjo, vajti dhe u ngatërrua me ca qarqe e para ruse (ishte aq i paaftë sa unë besoj që edhe vetë nuk e ka të qartë si u përfshi në atë histori me synimin për të siguruar një fotografi me Donald Trump-in, e cila kinse do t’i vlente për të mundur Edi Ramën në Tiranë!!!).

Sa për Metën, amerikanët nuk kishin dilema. Burri nga Skrapari ishte për ta një fenomen para e përtej politik. E shihnin si një zgjebe. Nuk e duronin dot faktin që një njeri si ai (ndoshta nuk i falnin skenën e përjetësuar në zyrën e Dritan Pritit ku u fol për ndarje tangjentesh; ndoshta nuk i falnin që kishte ndërtuar një parti krejt e haptazi familjare, gjë e paprecedent edhe në Ballkanin e çudirave) të kishte një rol për të luajtur në politikën shqiptare. Ambasadori Donald Lu, me të mbërritur në Tiranë, pa paraqitur ende letrat kredenciale te Presidenti Bujar Nishani, u tha disa gazetarëve në një takim informal se “Shqipëria nuk e ka luksin t’u japë fuqi e pushtet njerëzve si Ilir Meta”.

Në këto rrethana, amerikanët mbetën në Tiranë me vetëm një interlokutor, Edi Ramën, të cilit bash për këtë arsye ishin gati t’i bënin kabull edhe prapësi të të gjitha llojeve. Shpjegohet edhe me këtë pra, pse ata mbyllën sytë përballë dukurisë së kanabizimit spektakolar të vendit, por edhe përballë prapësive të tjera.

Pas zgjedhjeve të fundit, me synimin e mirë për të ndihmuar PD-në që kishte humbur fuqinë kompetitive (humbën zgjedhjet për herë të tretë), ata menduan t’i vijnë në ndihmë Bashës. Në mos Bashës, vetë PD-së. Dhe kështu, shpallën Berishën non grata. Mirëpo, llogaritë nuk u dolën ashtu si i kishin bërë. Morën të kundërtën e asaj që kishin dashur apo planifikuar.

Basha u tregoi edhe njëherë si nuk ishte personi i duhur, me të cilin mund të bënin punë të mira. Ai pati kohë tetë vjet me radhë të vendoste autoritetin e tij e të bëhej të paktën një figurë alternative në PD, por nuk arriti ta hiqte shpine peshën e mirënjohjes që ndiente për karrierën që i kishin dhuruar, gjë që e bëri të qartë së mbrami me shpjegimin prej eunuku që i bëri përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar: “Berisha është legjendë e madhe e PD-së dhe e kombit, por amerikanët nuk e duan; dhe ne nuk mund të hyjmë në konflikt me amerikanët”. Ishte një shpjegim që te militantët e PD-së shkonte në formën: “Janë amerikanët që po më detyrojnë”. Prej këtu, nuk ishte e vështirë të shkohej te lloj-lloj teorish konspirative. Pas këtij qëndrimi, por edhe për shkak të humbjes në zgjedhje, Basha u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit. PD-ja i mbeti Alibeajt e Bardhit, dy figura që tok me shpurën e Foltores dëshmojnë thatësirën e shkretimin e madh në PD. Në këto kushte, rimarrja e PD-së ishte bukë me djathë për Berishën.

Dhe e mori. Berisha në krye të PD-së në vitin 2022 do të ishte gjithsesi një anomali kolosale, por ideja se ai është aty për t’u mbrojtur nga amerikanët, apo për inat të amerikanëve, apo – nëse bazohemi te pasoja që do sjellë e gjitha kjo – për të mbjellë në Shqipëri një frymë antiamerikane, është një teprim që nuk ke se ku ta varësh.

Berisha nuk ka pasur guximin deri më sot t’i dalë për Zot antiamerikanizmit që ka mbjellë. Ai është sforcuar për ta frenuar gjuhën. Nuk është çudi edhe të lodhet prej këtij sforcimi, sidomos pasi të merret vesh se janë edhe republikanët (jo vetëm demokratët) që i janë qepur me bukë në trastë, por deri tani, ndonëse si rregull gjuha i vrapon para mendjes, nuk ka rrëshqitur në retorikë antiamerikane.

Në përpjekje për t’iu shpjeguar militantëve të Foltores (sado trushpëlarë që janë, prishja me SHBA-të i tronditi edhe ata), Berisha nxori asin nga mënga: Sorosi. “Unë nuk jam kundër amerikanëve dhe as amerikanët nuk janë kundër meje; vetëm një amerikan kam kundër; ai e ka amrin George Soros,” tha në thelb ai. Dhe pas kësaj, ndërtoi një fushatë kundër filantropit me nam, të cilën e kanë ushqyer me dhjetra zëra publikë.

Ata përsërisin si papagallë tezën, sipas së cilës Sorosi është kundër Berishës, pasi ky i fundit ka luftuar pa kompromis në mbrojtje të Kosovës (!!!), në një kohë që Sorosi vetë është kundër Kosovës (!!!). Kur vendimin amerikan e pasoi edhe ai britanik, ku në pushtet është një qeveri e djathtë, berishianët nuk u shastisën fare. I patën të gatshme shpjegimet. Dikush iu mbajt pa të keq pretendimit se britanikët e kanë bërë zakon t’i shkojnë gjithnjë SHBA-ve pas midesë, dikush tjetër tha se Sorosi, ky virus i rrezikshëm kundër të cilit nuk po gjendet një vaksinë, ka infektuar edhe konservatorët britanikë, e dikush tjetër tha se… uf, nuk kanë fund profkat e tyre.

Ndonjëri m’i ka ka hedhur fytyrës profka të tilla edhe në studion e programit tim “Arnautistan”, në MCN TV. Belind Këlliçi, kur unë hamendësova “me hile” në bisedën me të se edhe europianët mund të adoptonin të njëjtin qëndrim, pra mund ta shpallnin non grata Berishën (në fakt, europianët nuk e kanë këtë praktikë), më tha: “E di. Unë jam informuar gjatë një vizite që kam pasur në Bruksel, se sorosianët nuk po lënë gur pa lëvizur që kjo të ndodhë. Dhe me shumë gjasë do të ndodhë. Po ne jemi një parti sovrane.”

Për të mbrojtur Berishën, nuk mjaftohen që i hanë vetë idiotësirat që u thuhen, por edhe nuk kanë minimumin e turpit për të mos i thënë në publik. Dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk e kanë fare për gjë të ekspozohen si anti amerikanë. Kush nuk ekspozohet në publik, sidoqoftë, thjesht është pak më inteligjent se të tjerët, dhe mendon se avenirin e vet politik do ta dëmtonte më shumë me antiamerikanizmin sesa do ta ndihmonte me proberishizmin e pacensuruar.

Shkurt, antiamerikanizmi është bërë flamur i opozitës shqiptare tanimë. Nëpër rrjetet sociale ku gëlojnë berishianët i gjen të gjitha llojët e mendimeve, që nga “amerikanët nuk janë më të njëjtët, domethënë nuk janë më forca e të mirës që kanë qenë”, e “demokratët amerikanë janë komunistë”, e deri te “Sorosi është një deep state që ka shtënë në dorë gjithçka, edhe republikanët”. Duket si një parti e çmendur. Unë nuk e kam pritur që demokratët shqiptarë, respektin për të cilët e kam humbur që herët, sidoqoftë, të rendnin si të çakërdisur, pa asnjë brerje ndërgjegjeje, pas hallit të udhëheqësit të tyre, dhe të sakrifikonin/tradhëtonin për këtë “kauzë të dashur e të përjetshme” edhe sentimentet pro amerikane të tyret apo të shoqërisë shqiptare.

Ne të gjitha mund t’ua kuptojmë, por jo antiamerikanizmin në emër të interesave banale e familjare të një politikani, me të cilin do duhej të ishin ndarë përpara sesa dikush në Washington të kujtohej për ta shpallur non grata.

Ka njerëz që antiamerikanizmin e justifikojnë me ca të vërteta të rëndësishme “universale”, me fjalë të tjera me ndërhyrjet brutale që superfuqia bën në punët e brendshme të vendeve si Shqipëria, apo edhe me paudhësira të tjera të mëdha që s’kanë të bëjnë me shqiptarët. Me demek, u intereson e vërteta “e madhe”, e jo Berisha “i vogël”. Dhe do të ishte ok po të ishte kështu, por puna është se i tradhëton përkimi në kohë mes hallit të Berishës e anti amerikanizmit të tyre. Anti amerikanizmi i tyre ka marrë hov pikërisht kur (pasi) Berisha u shpall non grata.

Diskutimi mbi mëkatet e SHBA-ve në historinë e botës mund të bëhet pa qenë antiamerikan. E sidomos, pa qenë proputinian. Proputinizmi që është vënë re mes shqiptarëve pas fillimit të luftës në Ukrainë është thjesht një përthyerje e anti amerikanizmit në PD. Futuni në rrjetet sociale, sidomos në disa eco-chambers të krijuara nga berishianët, e do të shihni se me çfarë shkujdesje aplikohet thënia shqiptare “për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhiun”. Shkurt, berishianët janë bërë “nga halli” putinianë. Bëjnë hapur tifo për despotin e Moskës.

Është një gjë që nuk kanë për t’ia falur as vetes, me t’u esëlluar. Nëse do të esëllohen ndonjëherë. Sepse janë vënë në anën e gabuar të historisë. Jo vetëm pse me rusët neve “na ka ndarë historia”, që në këtë rast do të ishte njësoj si të thoshim se “na ka ndarë Providenca” (ne nuk kemi lidhje me rusët; ata nuk kanë qenë asnjëherë në krahun tone; dhe nuk është se po dua t’i demonizoj; thjesht, ne për ta nuk kemi ekzistuar, dhe anasjelltas; paranteza pro ruse në kohën e Hoxhës ka qenë një episod kundër natyrës, siç ishte komunizmi në përgjithësi; beniaminët e rusëve në Ballkan kanë qenë të tjerët), por edhe sepse ky filoputinizëm është ngritur mbi kritere e arsyetime të çala të natyrës etike, të tipit “SHBA-të e kanë trashur zullumin me sjelljen e tyre në botë, dhe prandaj e kanë hak një mësim të mirë”.

Mbi bazën e këtyre arsyetimeve dikush mund të bëhet po aq kollaj me Kinën, Iranin, Korenë e Veriut, etj. Kush është anti amerikan, nuk ka zgjedhje tjetër. Dhe në fakt, të tjerët janë duke bërë pikërisht këtë zgjedhje, teksa konflikti mes Perëndimit e asaj pjese të botës që mbron vlera alternative, mes të cilave është edhe natyra autokratike të regjimeve politike, po shpaloset si një shfaqje para syve tanë. Ndonjë shteti ndoshta ia do puna të rreshtohet kundër Perëndimit (fjala vjen, serbëve), por duhet thënë se me të njëjtën logjikë na e do puna edhe neve të rreshtohemi pro perëndimit. Ne shqiptarët nuk kemi shumë për të zgjedhur. Aleati ynë janë SHBA-të.

Bota, së cilës i përkasim, është (duhet të jetë) me hir, me pahir Perëndimi. Proamerikanizmi ynë është “me detyrim-përcaktim”. Edhe sikur asnjë vlerë amerikane të mos jetë e jona, edhe sikur bota amerikane të na jetë e largët, ne do duhet të ishim po njësoj proamerikanë, dhe kjo në emër të busullës së interesit kombëtar. Ka në këtë botë edhe vende që janë shumë më larg sesa ne prej vlerave amerikane, por që janë të lumtura që janë aleatë të superfuqisë. Dhe nuk është vetëm interesi kombëtar. Është edhe një trashëgimi historike që na udhëzon t’i jemi mirënjohës Perëndimit.

Shteti shqiptar u krijua nga Europa. Mund të shpikim lloj-lloj leximesh historiografike, nëpërmjet të cilave ta minimizojmë këtë kontribut pro shqiptar të Europës, fjala vjen duke nxjerrë në pah me një logjikë edwardsaid-iane motivimet e liga kolonialiste të Austrisë e Italisë në rreshtimin e tyre në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX, apo krijimin e një Shqipërie gjysmake, por e vërteta është një e vetëm një: Europa mendoi për krjimin e Shqipërisë përpara se për këtë gjë të mendonin shqiptarët vetë.

Haxhiqamilizmin ne e kemi butaforizuar si një përpëlitje të pak mbeturinave osmane, por në fakt ka qenë një lëvizje kombëtare me mbështetje të gjerë. Në një garë të barabartë, haxhiqamilistët do ta kishin fituar fare kollaj betejën me kundërshtarët e tyre atëbotë. Por gara nuk ishte e barabartë. Përveçse Europa e fuqishme, forcave shqiptare që donin një Shqipëri të pavarur, iu bë krah edhe një kontekst historik që nuk i favorizoi haxhiqamilistët: nga njëra anë turqit, që ishin aleati i tyre, kishin halle të tjera ku e ku më të mëdha sesa ato të nostalgjikëve të tyre në Shqipëri, e nga ana tjetër Islami, që ishte thelbi i tyre identitar, ishte në tërheqje. Kështu, haxhiqamilistët e humbën davanë.

Por ata mbetën. Shpirti e kauza e tyre mbeti, gjithashtu. Unë kam frikë se anti amerikanët e sotëm, pavarësisht se prapa cilit flamur fshihen (antikorrupsionit, sovranizmit, antisorosizmit, nevojës për karrierë politike, opozicionit ndaj Ramës etj.) janë në thelb haxhiqamilistë, trashëgimtarë të atyre mijëra shqiptarëve që u rebeluan kundër qeverisë së princ Wied-it me thirrjen fatidike që ende jehon në ndërgjegjet tona: duam babën. Sot jemi ngritur kundër SHBA-ve me thirrjen: dum bacën! Çfarë degradimi që i bëhet edhe vetë haxhiqamilizmit! Sepse haxhiqamilistët e kishin një ideal. Antiamerikanët e sotëm kanë për ideal hallin e një personi.

Përsëris: ne jemi të dënuar të jemi pro amerikanë. Edhe sikur Amerika të çmendet, edhe sikur ajo të bëjë gabime kolosale që mund t’i kushtojnë botës, ne nuk kemi rrugë tjetër. Mjafton të pranojmë si kriter interesin tonë kombëtar në një botë të dominuar nga real-politika, dhe çështja quhet e mbyllur. Përballë logjikës e kushtëzimeve të rrepta real-politike, nuk vlen asnjë arsyetim i natyrës morale apo ndonjë kuturisje truth-seeking që synon të na bëjë të mbështesim apo ushqejmë ndonjë formë anti amerikanizmi.

Sa për anti amerikanizmin që ushqehet pastaj prej merakut për ndonjë zgjyrë të historisë sonë, që historia, për shkak të reagimit të ngathët e të vonuar (një reagim i tillë është karakteristikë bazike e historisë), ende nuk e ka hedhur në koshin e vet, ne këtë duhet të bëjmë çmos t’ia kursejmë vetes. Ndryshe, do të regjistrohemi në këtë histori (jo me vonesë, tanimë) si karagjozë.

Zjarr Tv Ad