Arrestohet kreu i ARRSH-së Evis Berberi, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK. Burime për mediat bëjnë me dije se ai është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme, teksa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të ARRSH-së, pak ditë më parë, edhe pse ende nuk ka një komunikatë zyrtare.

Burime bëjnë me dije se kreu i ARRSH-së, Evis Berberi është në hetim nga SPAK në lidhje me shitjen e kompanisë së tij në vitin 2018. Dyshohet se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Ndërkohë, rreth dy javë më parë, në kuadër të hetimeve të SPAK, një skuadër e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e tij, ku në media u raportua se iu sekuestruan para cash, më konkretisht 13 mijë euro dhe 3 mijë paund, si dhe i është sekuestruar edhe telefoni i tij.

Raportohet po ashtu se hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar edhe telefonin e ish-ortakut të Berberit, Valter Begaj, me të cilin kreu i ARRSH-së ka patur marrëdhënie të ngushta financiare, jo vetëm në pozita private.

Evis Berberi ka qenë drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL në vitet 2013-2019 e më pas edhe Këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës apo drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, deri më Qershor 2021 kur kaloi në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shitja e kompanisë

Në 7 shtator 2018, Evis Berberi i blen Valter Begajt kompaninë ‘B- VAAL ENG-10’, me nipt L72205042F, për 100 mijë lekë. Kompania e themeluar në tetor 2017 kishte dhe ka si objekt studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim objektesh ndërtimore etj. Një muaj më pas, Berberi i ndryshon emrin kompanisë nga ‘B-VAAL ENG-10’ në DAAM.

Berberi rezulton pronar me 100 përqind të kapitalit të firmës nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019.

Në datën 31 Janar 2019 Evis Berberi ia shet 100% të aksioneve të shoqërisë DAAM shpkBrunilda Bulit kundrejt vlerës 500 mijë euro. Referuar kontratës së shitjes së kuotave, 8 mijë euro u paguan jashtë zyrës noteriale nga blerësi në favor të Evis Berberit, ndërsa pjesa tjetër do paguhej e ndarë në këste kundrejt vlerës 100 mijë euro për cdo vit.

Për vitin 2019, Evis Berberi ka dërguar dy deklarata pasurie në ILDKPKI, një deklaratë fillestare të pasurisë në 5 mars 2019, si këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe tjetrën gjatë ushtrimit të këtij funksioni publik, dorëzuar në ILDKPKI në 1 qershor 2020, por që pasqyron pasurinë për vitin 2019.

Në asnjërën prej deklaratave të pasurirë nuk rezulton e deklaruar shitja e kompanisë DAAM me vlerë 500 mijë euro dhe as 8 mijë euro që Brunilda Buli thuhet në kontratë se i ka dhënë në dorë Evis Berberit.

Ballafaqimi i kontratës me dy deklaratat e pasurisë konfirmon konsumimin e elementëve të veprës të fshehjes dhe mashtrimit me deklarimin e padurisë nga Evis Berberi.

Ndërkaq, në 23 dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shet sërish kompaninë “shokut” të Evis Berberit, Valter Begaj, tashmë për 1.7 milionë euro. Por nuk mbaron me kaq. Në 21 shkurt 2022, Valter Begajt ia shet kompaninë DAAM Ervis Lamit, për rreth 2 milionë euro. Një muaj më vonë, Ervis Lami pendohet dhe ia ia rikthen kompaninë “DAAM” Valter Begajt, tashmë me zero lekë.

Zjarr Tv Ad