Asambleja e Ramës, si dëshmi e vdekjes politike të PS

0
254
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Armand Shkullaku

Asambleja e shumëpritur e partisë në pushtet, për shkak se u lajmërua në një periudhë skandalesh të njëpasnjëshme, nuk prodhoi asgjë në raport me pritshmëritë e interesit publik. Kush priste marrje përgjegjësie për degradimin e qeverisjes, për aferën tronditëse të inceneratorëve, për abuzimet e deputetëve dhe të të zgjedhurve lokalë, ka mbetur i zhgënjyer. Rilindja ka humbur përfundimisht çdo aftësi reflektimi apo rigjenerimi. Ajo po përjeton asfiksinë në moçalin ku e ka zhytur veten ditë pas dite.

Megjithatë, kjo mbledhje shërbeu për të konfirmuar edhe një herë vdekjen politike të Partisë Socialiste. Aty, ashtu si në qeverisje, gjithçka është rrjedhojë e vullnetit të një njeriu të vetëm. Të gjithë të tjerët janë spektatorë, që ndjekin me ankthin e pasigurisë, vendimet e liderit maksimal që shpallen në moment të fundit. Kush emërohet e kush shkarkohet, kush lëshohet dhe kush mbahet, kush bie dhe kush ngrihet. Dhe të gjitha këto lëvizje nuk bëhen më në funksion të interesit publik, por si nevojë për të arrnuar qeverisjen abuzive që nuk mban më. Partia Socialiste po shërben si sfond legjitimiteti për të maskuar bëmat skandaloze të kupolës së Rilindjes.

Edi Rama i drejtohet partisë sa herë gjendet në hall, sa herë ka nevojë që përgjegjësinë ta shpërndajë, duke krijuar idenë se zgjedhjet e tij nuk janë personale por përfaqësim i vullnetit të shumicës. Në fakt, çdo gjë në këto 10 vite, është vetëm rezultat i zgjedhjeve personale të Edi Ramës. Si emërimet në qeveri, ashtu dhe rrokadat në parti.

Dhe duke qënë se asambletë e asaj që quhet Partia Socialiste thirren në funksion të propagandës dhe teatrit kolegjial të Ramës, ato nuk çojnë tek vendimarrjet në dobi të zgjedhësve. Prej kohësh përfaqësimi politik në PS, nuk reflekton interesat e zgjedhësve por besnikërinë dhe shërbimin deri në servilizëm ndaj liderit. Prandaj sado të mundohet kryeministri të përfshijë partinë në vendimmarrjet e tij, ajo nuk ekziston në atë cilësi. Partia është Edi Rama.

Nëse do të kishim një situatë si në çdo forcë politike moderne dhe demokratike, do të duhej të ishte lideri që jep përgjegjësi përballë atyre që e kanë zgjedhur, ndërsa në organizatën e Rilindjes janë këta të fundit që presin të japin llogari përpara liderit. Prandaj edhe në asamblenë e sotme nuk mund të kishim një kryeministër që të jepte llogari për aferën e inceneratorëve ku po digjen ende dhjetra milionë euro, një kryeministër që të shpallte, duke pranuar pjesën e tij të fajit, ndërprerjen e pagesave abuzive për djegësin e Tiranës. Një kryeministër që do të analizonte degradimin e përfaqësimit politik të PS në banditë e delinkuentë që kanë populluar zyrat qëndrore e lokale të vendimarrjes. Dhe, pas kësaj analize, të mund të niste një operacion për ringritjen e forcës politike si përfaqësim i vullnetit të zgjedhësve.

Natyrisht, Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë. Sepse llogaridhënia si i barabartë mes të barabartëve, do të çonte detyrimisht në dorëheqjen e tij. Çdo zgjedhje, çdo emërim, çdo vendim, ka qenë tërësisht personal. Ai nuk drejton më një parti politike ku gjejnë vend të gjitha sensibilitetet dhe ngjyrat e përfaqësimit të qytetarëve, por një organizatë që i bindet vetëm vullnetit të tij. Dhe që vepron sipas interesave të tij, strategjisë së pushtetit me çdo çmim dhe së fundi dosjeve të korrupsionit që po shpërthejnë nga ngarkesa që kanë marrë ndër vite.

Partia Socialiste, praktikisht është e pafuqishme t’i mbivendoset organizatës. Ajo është e destinuar të përjetojë pasojat e liderit të plotfuqishëm dhe të gërryhet nga lufta meskine e klaneve që rreken të mbijetojnë në kënetën e mëkateve të pushtetit. Edi Rama mund të ndryshojë ministra apo të heqë e të vërë funksionarë partie, por kudo që të fusë dorën do të jetë i njëjti thes që ka mbushur vetë.

Ai nuk ka asnjë mundësi të shkojë përtej rrethit që ka vizatuar organizata. Partinë Socialiste e ka tredhur dhe nuk mund t’i pjellë diçka të re që t’ua servirë shqiptarëve. Menuja e Rilindjes shërben vetëm një gjellë, që në fund do t’i helmojë të gjithë ata që vazhdojnë të hanë me kokën ulur./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad