“Ne vendosim për të ardhmen më të mirë për vendin tonë. Tani ka ardhur koha për të ndryshuar gjithçka, ka ardhur koha për të sjellë të ardhmen më të mirë. Të gjithë kemi një arsye sepse Himara jemi ne”, kështu e ka mbyllur fushatën dje Ermiona Beleri, vajza 17-vjeçare e Fredi Belerit në mungesë të babait për të cilin gjykata e Vlorës dha sot masën e sigurisë së arrestit me burg.
Gazeta Protothema, ka raportuar tubimin në qendër të Himarës, i planifikuar për mbylljen e fushatës zgjedhore. E në mungesë të Belerit, i cili vazhdon të mbetet në burg, fjalën e mori vajza e tij, të pranishëm ishin familjarë dhe mbështetës të Belerit.
Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, do të qëndroj në masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Vlorës, e cila pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore tashmë kalon në SPAK. E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.