Deputetë dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike e kanë dënuar vendimin e Presidentit Bajram Begaj për të larguar nga shërbimi civil dhe nga detyra, z. Edvin Shvarc, Drejtorin e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median në Presidencë, nisur nga fakti se z Shvarc është një personalitet në fushën e tij
Klevis Balliu, Shef i Organizimit në Partinë Demokratike të Shqipërisë, e cilësoi sot vendimin si njolla e zezë që Presidenti i kapur i vendosi vetes dhe institucionit të kryetarit të shtetit.
“Shkarkimi i Edvin Shvarc, – shkroi Balliu, – me një kontribut 20-vjeçar në Presidencë dhe me të cilin kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoja dhe të ndaja eksperincën kur unë punoja në Presidencë, është një vendim i rëndë dhe i turpshëm. Begaj nuk është President i Shtetit, por është thjesht një president partie”, përfundon Balliu.
Në vijim ai publikon dokumentin ku jepen arsyet e largimit nga detyra të z. Shvarc.
“Urdhëroj përfundimin e marrëdhënies së shërbimit civil të z. Edvin Shvarc nga pozicioni i Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median në institucionin e Presidentit të Republikës për shkak të pavlefshmërisë së aktit të emërimit. Konstatimit të diplomës së panjësuar nga Ministria përgjegjëse e Arsimit, sipas procedurës së parashikuar në legjislacion përpara se të konkuronte në shërbimin civil”.