Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë aktuale se e ka kthyer Shqipërinë në një vrimë të zezë të pastrimit të parave të krimit në Europë.
Nga foltorja e Kuvendit teksa fliste për procesin e integrimit europian, Berisha tha se çdo ditë Shqipëria po shndërrohet në një eksportues të frikshëm të krimit në Europë dhe në botë.
Berisha: Sot flitet këtu për integrimin europian. E vërteta është se ky proces në tërësinë e tij për normat, ligjet, standardet që zbaton në këtë vend duhet të sjellë gjithmonë më shumë Europë. Ka ndodhur ajo që është më e rënda. Për fat të keq, Shqipëria çdo ditë, çdo javë dhe muaj është shndërruar në një eksportues të frikshëm të krimit në Europë. Shqipëria e etiketuar nga DASH si epiqendër operacionale kriminale të Europës, Amerikës së Veriut, Jugut, po eksporton gjithnjë e më shumë drogë, krim, para të pista.
Ajo sot me indeksin më të lartë të ndërtimit në Europë, që tejkalon me 3 herë indeksin e ndërtimit në vendet nordike, është shndërruar me çmimet më të larta, e treta më e lartë në Europë për apartamentet. Është kthyer në vrimën e zezë të larjes së parave të pista në Europë. Emërimet që bëni kanë krimin dhe drogën si kriter themelor. Kjo është e vërteta. Integrimi nënkupton më shumë përgjegjshmëri përpara ligjit.
Berisha gjithashtu shprehu mbështetje ndaj banorëve të Divjakës të cilët kundërshtuan traun e vendosur në hyrje të parkut, duke deklaruar se i thyen turinjtë mafies së Edi Ramës.
Berisha: Dua të japë një mbështetje dhe përshëndetje për banorët e Divjakës që me guximin e tyre i thyen turinjtë mafies së Edi Ramës. I përmbysën traunë antiligjor dhe antiqytetar në rrugën e tyre shekullore. Nderim të madh për ju. Opozita do qëndrojë prapa çdo shqiptari që ka një kauzë të drejtë.