Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të drejtuar nga Sali Berisha. Teksa ka reflektuar për disa ditë që nga shpallja e vendimit të gjykatës, që i dha vulën dhe logon Sali Berishës, Alibeaj thotë se distancohet nga politika e vjetër.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se është demokrat, por duke thënë se nuk pranon kushtin që të jesh demokrat duhet të jesh me Sali Berishën.
Zgjedhjen e tij që të mos i bashkohet Sali Berishës thote se e ka bërë në shenjë respekti ndaj vendimit të Gjykatës.
Reagimi i Alibeajt
Vendimi i Gjykates së Apelit ishte një peshë e madhe për demokratët dhe betejën brenda PD. Mbi të gjithë për mua, si nënshkruesi i ankimit kundër vendimit të Zhukrit. Kam patur bindjen atëherë, e kam ende dhe sot, se ishte rruga e vetme, institucionale dhe bazuar në argumenta juridike për të refuzuar paligjshmërinë e vendimit gjyqësor. Sepse edhe në organizimin partiak vullneti duhet formësuar dhe shfaqur sipas rregullave statutore dhe jo me kaos e dhunë.
Tashmë vendimi i apelit është dhënë, e me takon ndoshta vetëm mua, por në çdo rast më shumë se kushdo tjetër, të mos hesht. Jo për të komentuar vendimin e gjykatës, sepse i mbahem qëndrimit se do ta pranoj vendimin pa koment. Por nuk kam si të mos ndalem tek pasojat që ka ky vendim për PD, e ndër të tjera edhe tek qendrimi apo përgjegjësia ime paskëtaj.
PD, të paktën në sytë e mi, për këto 3 vjet, nuk ka qenë një “casus” juridik, por vullnet i lirë politik i njerëzve që besonin tek vlerat e saj. 3 vitet e fundit treguan qartë se ky vullnet u fokusua tek betejat e brendshme, kryesisht tek beteja me berishizmin brenda PD, si mendësi dhe ideologji, ku u fokusua energjia e shumicës së demokratëve. Nuk e fsheh, se pertej aktit juridik të ankimit, synimi dhe përpjekja ime ishte për të bërë të mundur që PD të dominohej nga një model dhe mendësi e re, ndryshe, e aftë të shndërronte PD në forcën kryesore për të sfiduar modelin e Ramës. Duke iu kthyer ideologjisë dhe vlerave themelore të saj. Për t’u përqafuar si shpresë nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Në mungesë të transformimit të brendshëm, spontan e të natyrshëm, rruga gjyqësore erdhi dhe mbeti thjesht një instrument i pakërkuar nga unë, por i detyrueshëm për tu ndjekur. Tashmë vendimi i gjykatës e vulosi pa më dhënë të drejtë.
Arsyet përse ndodhi kështu, janë të dukshme dhe të padukshme. Por nuk mund të fshihen interesat ekonomike që mbajnë në këmbë aleancën e vjetër Berisha-Rama. Sikundër dhe komoditeti i të qënurit dy pjesë të vjetra dhe të konsumuara të politikës që nuk mund të mbijetojnë pa njëra-tjetrën. Jo rastësisht kjo rrymë pati mbështetjen e qeverisë dhe të një pjese të mirë të medias.
Gjatë këtyre 3 viteve kam qenë njëri prej një grupi njerëzish, që jemi përpjekur, si grup jo i madh në numër, një grup me mjete të reduktuara, por me dëshirë, shpresë dhe ide të qëndrojmë fort ndaj së vjetrës brenda PD, me bindjen e palëkundur se shumica e shqiptarëve e do këtë ndryshim. Qëndresa jonë është vlerësuar nga demokratët dhe sulmuar nga qeveria dhe një pjesë e atyre që nuk duan ndryshimin në PD. Akuzat, sulmet dhe llumi që pjesa e drejtuar nga Berisha hodhi ndaj të gjithë atyre që guxuan ta kundërshtojnë linjën e tij në PD është gjithashtu arsye e fortë për të kërkuar ndryshimin e forcës politike që shenjoi krijimin e pluralizmit në Shqipëri.
Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë pra, shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi.
Mbetem tek e verteta dhe tek bindja ime se kjo mendësi e kulture politike duhet larguar nga PD dhe politika. Berishizmi i Ramës është prova më e qartë në sytë e shqiptarëve se cfarë zymtësie dhe dëshpërimi ka krijuar për ta. Sido që të jetë e vërteta e numrave, ajo që vlen është e vërteta e asaj që beson se do sjellë më të mirën për vendin dhe qytetarët.
Unë jam demokrat sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u perpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin.