Gjatë intervistës për ABC News, analisti Skënder Minxhozi komentoi gjithashtu edhe refuzimin e presidentit Bajram Begaj për të marrë pjesë në darkën informale në Athinë ditën e djeshme. Sipas tij, presidenti ka marrë vendimin e duhur pasi e ka lexuar drejt mesazhin e Greqisë që të mos jetë kryeministri Edi Rama.
“Me kaq sa njoh marrëdhëniet diplomatike, nuk besoj se një kryeministër të ftojë për darkë një president. Do ta shihja si më normale refuzimin e Begajt pasi besoj se e ka lexuar drejt sepse nuk ishte një ftesë për të por një akt, thikë pas shpine ndaj Edi Ramës. Nuk ishte ftuar Begaj në atë darkë por po i jepej një mesazh Ramës se nuk të duam ty. Ishte problemi për të mos ftuar kryeministrin e Shqipërisë dhe besoj se presidenti e ka lexuar drejt situatën dhe ka marrë vendimin e duhur.”, theksoi Minxhozi.
Kryeministri grek ftoi presidentin Begaj dhe jo kryeministrin Rama, sikundër ka ndodhur me liderët e vendeve të tjera të rajonit. Duket se kjo ka ardhur pas reagimit së gjatë që pati Edi Rama për protestën e Himarës për Belerin, ku shefi i qeverisë shqiptare kujtoi se diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, në asnjë vend, ku një shesh të protestojë kundër vendimeve të drejtësisë së një shteti tjetër dhe u kërkoi politikanëve të shtetit fqinj, t’i binden ligjit shqiptar.