Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka replikuar me deputeten socialiste Ermonela Felaj për bojkotin që kanë bërë avokatët për shkak të Hartës së re Gjyqësore.
Felaj e konsideron flagrante këtë bojkot teksa thotë se nuk mund të bëhet një gjë e tillë.
Në përgjigje, avokati Haxhia tha se nuk ka ardhur në seancën dëgjimore për të dhënë llogari mbi qëndrimin e Dhomës së Avokatisë për bojkotin.
Felaj: Kundërshtari më i madh i Hartës Gjyqësore, është avokatia. Avokatia ka marrë flamurin duke bojkotuar sistemin, gjë e cila mua më duket flagrante sepse janë në shërbim të qytetarëve. Nuk mund ta kenë diskrecionale këtë sjellje të tyre, është njësoj sikur mjekët të bojkotojnë, është njësoj sikur policia të bojkotojë. Nuk mundet ta bëjnë këtë gjë, është një sjellje pa princip. Kur është bërë reforma në drejtësi, ka pasur ekspertë nga avokatia, që do të thotë se paketa e ligjeve të reformës përfshirë kushtetutën që kemi miruatar, kanë qenë aty. Nuk mund të bëjnë sikur nuk kanë qenë aty.
Haxhia: E para, ne s’kemi ardhur të japim llogari për qëndrimin tonë për bojkot. Kam qenë anëtar i komisionit për Reformën në Drejtësi në nivelin e ekspertit dhe e kam kundërshtuar me forcë. Sepse në variantin e parë ishte që dy anëtarët e KLGJ nga avokatia të zgjidheshin nga dhoma, jo me short, gogla. Ne kërkuam ti zgjidhnim ne. Por mënyra e zgjedhjes me gogla, ato s’janë përfaqësues tonët. Ne ku ta gjenim që të përcillej zëri i dhomës! Nuk i kemi propozuar, s’japin asnjë llogari te dhoma e avokatëve.
Bushka: S’iu kemi marrë për t’iu kërkuar llogari, se ju llogarinë e jepni në vend tjetër, jeni jurist e njihni ligjin, Ka organe se ku jepet llogaria. Nuk është Kuvendi që iu kërkon llogari.