Borat, në mbyllje të kësaj letre, më duhet të të kërkoj falje!

0
917
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Erion Dasho

I dashur Borat!

U desh të kalonte shumë kohë para se të dyshoja se ndoshta po të bie kot në qafë prej dhjetë vjetësh.

Që ditën kur erdhe në pushtet, duke pirë kafe me disa shokë (të gjithë të njihnin mirë dhe ndonjë prej tyre edhe personalisht) arritëm në përfundimin se një Enver i ri kishte lindur.

Nga ajo tavolinë vetëm unë u largova nga Shqipëria një vit pas ardhjes tënde në pushtet. Kjo më dha mundësinë të shkruaja pa frikë se patronazhistët, aktivistët dhe langonjtë e tjerë rreth e qark teje mund të më largonin nga puna, falimentonin biznesin, apo hiqnin bukën e gojës.

Kjo që sapo thashë nuk është fantazi.

Në dhjetor të vitit 2014 shkruaja një artikull shumë kritik kundër Beqes tënd të koncesioneve. Një person nga kabineti i Beqes mori në telefon ish-shefin tim për të protestuar dhe kërkuar ndëshkimin tim. Nëse do ta kisha shkruar atë artikull disa muaj më parë, sigurisht që shefi do të kishte patur vetëm dy rrugë, armiqësinë e Beqes ose largimin tim nga puna.

***

Që nga dhjetori 2014 kam qënë zë konstant kundër qeverisjes tënde. Kryesisht në atë fushë që njoh më mirë, sistemin shëndetësor. Rasti e solli që këtë sistem ti dhe banda jote e caktuat si tabelë qitje për një hajdutëri të pashoqe që sot vlerësohet në mbi 400 milionë euro!

Rasti tjetër e solli, që ky sistem kaloi një provë zjarri me pandeminë e COVID-it. Deri në atë kohë, klarinetistët, kimistët dhe balerinat që ti i kishe emëruar si taksidarë, kishin arritur t’i hidhnin hi syve miletit duke mbjellë bar dhe bojatisur mure spitalesh dhe qendrash shëndetësore.

Përballë pandemisë, shteti yt u dorëzua. 20 mijë njerëz vdiqën dhe shqiptarët paguan më shumë se 200 milionë euro nga xhepi për t’u trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Përsëri unë isha kritik i klarinetistëve dhe balerinave të tua, duke u argumentuar shqiptarëve se ti po i vrisje dhe po i vidhje (i mban mend testet që kushtonin 120 euro dhe trajtimin sharlatan me remdesivir që kushtonte deri në 5,000 euro cikli?!)

Madje jo vetëm kaq. Edhe po i terrorizoje, po i tallje dhe po i mashtroje (I mban mend tanket në rrugë?! I mban mend të vdekurit e fshehur në morg?! Po vaksinën kineze që e solle si shpëtimtar dhe refuzove vaksinën Moderna që t’u propozua me një çmim më të lirë se kinezja?!)

***

Por unë (dhe besoj edhe shumë kolegë të mij) hera-herës bëhemi pishman që të kemi rënë në qafë gjithë këta vjet.

Sepse ti, Borat, paske patur me vete të gjithë dashurinë e shqiptarëve!

Nuk ka rëndësi se zëvendëskryeministri yt është në arrati i akuzuar për hajdutëri (për më tepër i arratisur me bekimin tënd! Në fund të fundit, ishte ti vetë që e lejove inskenimin e SPAK-ut vetëm pasi u binde se ai kishte çarë ferrën!)

Nuk ka rëndësi se vetëm me dy grupe koncesionesh, ata të djegësve dhe ata të shëndetësisë, ti u ke vjedhur shqiptarëve 400 milionë euro me secilin!

Nuk ka rëndësi se shumë ministra, deputetë dhe kryetarë bashkie i ke sot pas hekurave për krime nga më monstruozet, përfshi vrasje, trafik droge dhe prostitucion!

Nuk ka rëndësi se me videot erotike të qeveritarëve të tu mund të kishe hapur një portal me pullë të kuqe që të rivalizonte kanalet më profesionalë të kësaj lëmije!

Nuk ka rëndësi se ti sillesh si tradhtar dhe ke shitur dhe vazhdon të shesësh interesat kombëtare tek ata që janë armiqtë më të këqij të shqiptarëve.

Të gjithë këto skandale (edhe një i vetëm prej tyre mjafton për të larguar nga pushteti me turp një homologun tënd europian) ty vetëm të kanë bërë më të fortë.

Mezi fitove në 2013-ën dhe t’u deshën akrobaci me qeveri teknike në 2017-ën, por ama në 2021-in fitove thellë, kurse në 2023-in arrite fitore plebishitare.

Vjedhja e votave me të burgosurit në Rrogozhinë dhe skandali me pullë të kuqe në Kukës, jo vetëm nuk të penalizuan, por përkundrazi të forcuan dhe thelluan diferencën me opozitën.

Ky popull sa më shumë e vjedh, e tall, e përqesh, e mashtron, e përdhos, aq më shumë të voton.

***

Jo pak nga kolegët dhe bashkëmendimtarët që kanë shkruar prej vitesh kundër teje, tashmë kanë hequr dorë.

Argumentet e mësipërm janë kokëfortë!

Sa më shumë të zeza i bën këtij populli, aq më shumë të do dhe të voton. Gjasat janë që në 2025-ën të fitosh mandatin e katërt. 16 vjet në pushtet! 65 vjeç do të jesh në 2029-ën. Mund të qeverisësh lehtësisht edhe 25 vjet të tjerë (a nuk qeverisi Mugabe deri në 93 vjeç?!) për të kaluar Enverin që 40 vjet mbushi në pushtet!

Kjo perspektivë i ka lodhur jo pak nga miqtë e mi pasi është me të vërtetë demoralizuese. Në fund të fundit, 700,000 shqiptarë që të votojnë akoma ty, ka më shumë të ngjarë të kenë të drejtë dhe kritikët e tu të paktë ta kenë gabim!

Vetëm se unë e kam të vështirë të heq dorë. Deri 18 vjeç jetova në komunizëm dhe më vjen jashtëzakonisht keq për ato vite të jetës sime.

Në kohën kur moshatarët e mi në Europë i gëzoheshin mundësive të pafundme që krijon një shoqëri e lirë, unë dhe bashkëmoshatarët e mi ishim të kufizuar në “Korenë tonë të Veriut”! Ato vite mund t’i quajmë me keqardhje si vite të humbur! Ti po e rikthen atë kohë, Borat!

Tani, në mbyllje të kësaj letre, më duhet të të kërkoj falje! Sepse unë, sa herë të më jepet rasti, do të shkruaj dhe do të flas kundër teje. Do të të denoncoj ty dhe langonjtë e tu duke shpresuar që shqiptarët të kuptojnë se sa të dëmshëm jeni për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Mjafton të përmendet shpopullimi katastrofik që po ndodh gjatë qeverisjes tënde!

Ajo që më gëzon është se jemi shumë në Gjermani, SHBA, Angli, Kanada, Itali, Zvicër, etj. që nuk të ndahemi! Të vendosur të mos i lëmë në baltë miqtë dhe qëndrestarët që kanë mbetur akoma në Shqipëri!

Që do të flasim e shkruajmë për çdo hajdutëri, grabitje, tallje, shitje dhe maskarallëk që i ke bërë, po i bën dhe do t’i bësh këtij vendi!

Pas na ke, Borat!

Mos harro!

Këto kohët e fundit, të paktë janë maskarenjtë që kanë vdekur në krevat floriri!

Pjesa më e madhe i kanë larë herët a vonë mëkatet…

Në këtë botë…

Zjarr Tv Ad