Bushati: Nëse Greqia bëhet pengesë për negociatat, piruetat e Ramës kanë ngecur diku

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti Andi Bushati i ftuar në MCN TV ditën e djeshme, tha se çështja “Beleri” është kthyer në një lojë forcash mes Ramës dhe Mitsotakis, ku asnjëri nuk lëshon pe, për të mos humbur pikë përballë opinionit publik. Bushati vë në dukje se Rama ka luajtur një lojë të dyfishtë për këtë çështje. Sipas tij, nëse në fund Greqia bëhet pengesë për një hap përpara për negociatat e Shqipërisë, do të thotë që të gjithë këto pirueta të Ramës kanë ngecur në një vend. Për analistin, më shumë se çështje etnike, kjo është një çështje korrupsioni, ku Beleri s’është në burg si minoritar, por si qytetar i Shqipërisë që në bashkinë e tij mund t’i bëhej pengesë qeverisë me pronat e Jugut.

“Besoj se asnjëri s’ka një zgjidhje të gatshme, për arsye se palët janë barrikaduar në pozicione ndarasi shumë të qarta. Greqia nuk lëshon pe, edhe Edi Rama që në optikën time është nismëtari dhe ideatori i burgosjes së Belerit, nuk lëshon pe. Është bërë edhe një lojë force se kush do tërhiqet përballë opinionit të vet publik. Nga njëra anë ne i njohim grekët që janë gati nacionalistë të sëmurë, që më tepër një qeveri e djathtës si e Mitsotakis, po të tërhiqej do humbiste në opinionin e saj publik. Trysnia e opinionit publik në Athinë është e madhe. Por pavarësisht nga arsyet që e nisën Ramën që ta burgoste Belerin, duhet thënë që edhe në Shqipëri ka një sentiment të ngjizur anti-grek, dhe Rama duke thënë që unë i tregojë ‘dhëmbët’ Greqisë, nuk është se nuk fiton pikë në opinionin publik. Secila nga palët do ishte e vështirë të tërhiqet, aq larg sa ka shkuar çështja”, tha Bushati.

I pyetur mbi kërkesën e Athinës që të lejohet betimi i Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, Bushati thotë:

“Ky është një artific i Athinës. Nëse mbajmë mend krononologjinë e ngjarjeve, Greqia kërkoi fillimisht lirimin e tij. Greqia për të fokusuar projektorët te Rama, tha zbatoni kaq sa keni ju në dorë. Çështja e lirimit të Belerit sa për të bërë betimin, është një çështje që mund ta vendosë edhe administrata e burgjeve, pretendojnë grekët. Ishte një lënie topi për ta bërë indirekt qeverinë përgjegjëse për këtë vendim. Kushtëzimi është bërë për lënien e Belerit të betohet. Nëse Beleri do kishte një dasmë apo fatkeqësi familjare, atij mund t’i jepej leje, por kur kjo është e mundur, nuk qenka e mundur që për hir të zbatimit të vullnetit të zgjedhësve, atij të mos i jepen disa orë për t’u betuar, ky është interpretimi që bën pala greke.

Në na intereson si zbatohet shteti ligjor në vendin tonë, nga kjo pikëpamje ka një problem të shtetit ligjor. Në këndvështrimin tim Fredi Beleri është një i burgosur politik, sepse mbahet në qeli me urdhër të kryeministrit, dhe e dyta, është futur në kurth nga agjentët e policisë. Policia bëri një aksion të denjë për KGB-në, për ta futur në kurth Fredi Belerin. Nëse drejtësia vazhdon të validojë këtë kurth, atëherë ne po kemi një problem me drejtësinë dhe shtetin ligjor”.

I pyetur përse nuk i eci skema Ramës, Bushati thotë:

“Deri tani i ka ecur skema, sepse Beleri është në burg. Për bllokimin e negociatave, Rama ka deklaratë politike, nëse bllokohemi për Belerin, le të ngelemi të bllokuar. Nuk i çahet koka pse bllokohemi për këtë punë. Rama është munduar të bëjë një lojë të dyfishtë. Jo lojën e një nacionalisti tipik, që i tregon dhëmbët Greqisë. Rama shkon në Deriviçan dhe babait të Mitostakis i zbulon bustin. Unë s’kam gjë me grekët, unë minoritarëve u flas edhe greqisht. Më shumë se çështje etnike, unë këtë e shoh si çështje korrupsioni. Beleri s’është në burg si minoritar, por si qytetar i Shqipërisë, që në bashkinë e tij mund t’i bëhej pengesë qeverisë me pronat e Jugut. Rama ka pasur një kurbë të lëvizshme. Mos harrojmë që Rama u ofrua edhe të pajtonte Mitostakis-in me Erdoganin, kur ishte puna e konfliktit në Mesdheun Lindor. Ka pasur periudha dashurie dhe provokimi. Ka luajtur edhe aleatin e Greqisë nga njëra anë, por edhe patriotin shqiptar, me nuanca nacionaliste, pak anti-greke për elektoratin vendas. Por nëse në fund Greqia bëhet pengesë për një hap më përpara në negociatat e Shqipërisë, do të thotë që të gjithë këto pirueta të Ramës kanë ngecur në një vend. Kjo është një nga çështjet ku opozita është e qartë. E ka denoncuar çështjen ‘Beleri’ si burgosje politike”.

Zjarr Tv Ad