“Digjet jorgani për një plesht”- Protestat në Himarë për të liruar Fredi Belerin, Rama reagon në greqisht: Bindju ligjit! Ja mesashi për Mitsotakis

0
635
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Protestave të një ditë më parë në Himarë, kundër arrestimit të Fredi Belerit, ku morën pjesë edhe dy kryebashkiakë të Greqisë, Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet përmes një statusi të gjatë në Facebook.

Postimin e tij, kreu i qeverisë shqiptare e nis në greqisht “bindju ligjit”, ndërsa thekson se “nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti”.

Edhe pse ndërhyrjen e shtetit grek për këtë çështje nuk e konsideron të drejta, Rama shkruan se grekët janë të mirëpritur në Shqipëri, madje edhe për të protestuar, sepse – Shqipëria- thotë kryeministri është një vend demokratik.

“Po kush dhe si mund ta lirojë sot nga burgu një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, se ka kryer krimin e blerjes së votave – për të cilin Kodi Penal i Shqipërisë është i qartë dhe drastik – ndërsa sipas vendimit të pandryshuar në të treja shkallët e gjykimit, nuk mund ta lerë paraburgimin deri në fund të procesit gjyqësor ndaj tij?!

Vallë kombësia greke i jep qytetarit shqiptar të akuzuar nga SPAK-u dhe mbajtur në paraburgim nga gjykatat e vendit, një status të ndryshëm nga 48 qytetarë të tjerë shqiptarë me kombësi shqiptare, ndër të cilët edhe disa kryebashkiakë të partisë time, që sot janë të paraburgosur nën akuzat e të njëjtit organ, me vendime identike të të njëjtave gjykata?!”, shkruan Rama.

Një mesazh kishte edhe për homologun e tij grek, Mitsotakis për të cilin tha se ‘ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve “kush jam unë e kush je ti!”,

“Unë nuk e kam fshehur mendimin tim shumë pozitiv, e as ndjenjat e mia shumë miqësore për kryeministrin Mitsotakis. Tek ai kam parë qysh në fillim një lider modern europian dhe kam gjetur në vazhdimësi një njeri të admirueshëm. Nuk kam ndërmend t’i fsheh mendimin e ndjenjat e mia as sot, kur kolegut të nderuar e mikut tim të dashur Kyriakos, do t’i duhet të lexojë opinionin tim të mirëformuar dhe të mirëinformuar, i cili nuk përkon gjëkundi me opinionin e miqve protestues.

Për mua, ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që të organizohet një protestë këtu në Shqipëri nga autoritete të zgjedhura në Greqi, ndër të cilët as më shumë e as më pak, po edhe kryebashkiakët e dy qyteteve më të mëdha të Greqisë, mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve “kush jam unë e kush je ti!”, po jo realitetit demokratik të fqinjësisë europiane, mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi që aktualisht negocion anëtarësimin në BE”, shprehet kryeministri Rama.

Zjarr Tv Ad