Do dilte në gjyq për “Dosjen 184”, goditet para Gjykatës ish-shefi i Policisë Dibër, Robert Aga

0
173
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Robert Aga, ish-shefi i Policisë së Dibrës, i akuzuar për Dosjen “184” të vjedhjes së votave në këtë qark, është dhunuar këtë të enjte nga tre persona në ambientet e gjykatës. Gjyqi ndaj tij dhe ish-administratorit të Lursë Hasan Hoti është shtyrë disa herë.

Gjyqtarja Nertila Kape e Gjykatës së Dibrës po bëhej gati të shtynte një tjetër seancë të “Dosjes 184” për shkak të mungesës së të pandehurve paraditen e së enjtes, kur në sallë u shfaq Hasan Hoti, njëri prej të pandehurve.

Hoti pretendoi se kishte ardhur me vonesë për shkak se kishte dërguar në spital të pandehurin tjetër të këtij procesi, Robert Agën. Sipas tij, Aga kishte pësuar lëndime, pasi ishte goditur nga tre persona përpara gjykatës.

Ish-shefi i policisë, Robert Aga dhe ish-administratori i njësisë së Lurës, Hasan Hoti përballen me akuzat për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Dibër në vitin 2016.

Lajmi për dhunimin e Agës u konfirmua për BIRN edhe nga prokurorja e gatshme, Xhoana Mehmeti, e cila tha se kishte marrë informacion paraprak nga policia për rrahjen e tij. “Por ende janë duke u kryer veprimet hetimore dhe nuk mund të flas për rrethanat,” tha ajo.

Procesi gjyqësor ndaj Hotit dhe Agës ka filluar në shkurt të vitit 2021, por është bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh për shkak të mungesës së avokatëve. Të njëjtin fat ka pësuar edhe një dosje paralele e derivuar nga çështja “184”, e cila zvarritet gjithashtu për arsye të ngjashme.

Pas njoftimit për lëndimin e Agës, gjyqtarja Kape deklaroi mbylljen e seancës dhe njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 1 dhjetor 2022. /Birn

Zjarr Tv Ad