Ish-ministri i Mbrotjes, Fatmir Mediu, gjatë seancës së sotme në GJKKO për dosjen “Gërdeci”, i ka kërkuar ndijesë familjarëve të prekur nga tragjedia e 15 Marsit 2008.
Fatmir Mediu u shpreh se donte shumë ta zhbënte atë që ndodhi, por s’ka forcë për ta bërë këtë, duke shtuar se ngjarja tragjike e Gërdecit i ka ndryshuar jetën.
“Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore”, shprehet ish-ministri para togave të zeza.
Mediu deklaroi si ministër i Mbrojtjes dha dorëheqjen duke marrë përgjegjësi morale për atë që ndodhi, megjithatë u shpreh se ndihet i keqardhur që aktin e tij grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj.
“Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri.
Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit”, tha Mediu.