Dom Gjergj Meta Ipeshkëv në Dioqeza Rrëshen ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashët, teksa ka përcjellë edhe dy mesazhe.
Në mesazhin e tij, Dom Gjergj Meta thotë se Pashkë do të thotë kalimi në jetët tonë në gjërat e mira.
“Fjala Pashkë do të thotë kalim, dhe ju ftoj që të përfitoni të gjithë ato kalime të bukura që kanë ndodhur në jetën tonë. Për shembull nga shtrati i spitalit në një jetë të shëndetshme” tha ndër të tjera në mesazhin e tij Dom Gjergj Meta.
Ndër të tjera ai përmendi Pashkët Ortodokse apo agjërimin e myslimanëve në këto ditë, teksa tha se festat fetare nuk janë kurrsesi për t’u ndarë, por për t’u bashkuar.
Mesazhi i plotë:
Në pamundësi për të ardhur tek secili prej jush dhe për të trokitur në derën tuaj për t’ju uruar Pashkët, po e bëj këtë nëpërmjet një videomesazhi, falë rrjeteve sociale shpresoj që të arrijë në zemrën e secilit prej jush.
Dëshiroj tju uroj Pashkët me këtë mesazh të gjithë besimtarëve katolikë të Dioqezës së Rrëshenit, duke filluar nga Mirdita deri në Dibër, por edhe të gjithë atyreve që do ta shohin këtë mesazh.
Dëshiroj të jap dy mesazhe në këtë video. Mesazhi i parë: Fjala Pashkë do të thotë kalim dhe ju ftoj që të përfitoni të gjithë ato kalime të bukura që kanë ndodhur në jetën tonë. Për shembull nga shtrati i spitalit në një jetë të shëndetshme, apo kalimi nga qelia e një burgu drejt gjirit të familjes. Nga bankat e shkollës drejt jetës së Punës. Vendimin e dy të rinjve që kanë dëshirë të krijojnë një familje dhe të lindin fëmijë. Pra këto kanë të bëjnë me Pashkët. Pashka është kalim dhe këto janë shenjat e Pashkës në jetën tonë. Është vetë jeta një kremtim Pashkësh. Është vetë jeta një Pashkë me keto kalime ripërtëritëse.
Duhet të themi ama që jo të gjitha kalimet janë të bukura. Shpeshherë ne kalojmë nga paqja në luftë, nga qetësia në grindje, nga jeta e ndershme në jetë të joshur nga korrupsioni. Këto janë kalime të mbrapshta që e shëmtojnë bukurinë e jetës tonë. E megjithatë jemi në Pashkë. Pashka na jep mesazhin se s’duhet të heqim dorë nga shpresa. Nuk duhet të heqim dorë nga angazhimi ynë. Për të bërë ato kalime të bukura në jetën tonë, se këtu është thelbi i Pashkëve.
Mesazhi i dytë është ky: Sot kemi Pashkë ne të krishterët katolikë, mbas një jave do të kenë Pashkë vëllezërit dhe motrat tonë ortodoksë. Gjatë këtyre ditëve vëllezërit dhe motrat tonë myslimanë po agjërojnë. Festat fetare nuk janë kurrsesi, nuk janë një motiv për tu ndarë, por janë përbashkues. Qenia njerëzore është e aftë, madje të gëzojë me gëzimin e tjetrit dhe ne jemi të thirrur të respektojmë dhe të nderojmë zgjedhjen, mundin, sakrificën dhe lirinë e tjetrit
Kështu të gjithë bashkë krijojmë një shoqëri me harmoni. Edhe një herë të gjithë juve që po më ndiqni, ju uroj gëzuar Pashkët. Zoti i bekoftë familjet tuaja e qoftë Krishti drita e jetës tuaj për shumë vjet.




