Dritëhijet e Fatos Nanos!

0
134
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA ERMAL MULOSMANI

Ditëve të fundit në Shqipëri është hapur një debat për rolin e Fatos Nanos në historinë politike të vendit. Ky debat ka marrë shkak nga shtrimi urgjent i tij në një prej spitaleve private të Tiranës me një sëmundje të rëndë.

Fatos Nano është njëri prej emrave më rëndësishëm të pluralizmit politik në Shqipëri. Ai ishte emri i përzgjedhur nga elita komuniste e viteve ‘90, me në krye Ramiz Alinë, për të transformuar Partinë e Punës në një forcë politike konkuruese në kushtet e një sistemi të ri politik.

Fatos Nano është djali i Thanas Nanos, ish funksionar i lartë në zyrat e propagandës komuniste. Thanas Nano ishte 14 vjet Drejtor i ATSH-së (Agjencia Telegrafike Shqiptare), 9 vjet Drejtor i Radio Tiranës (1961-1970) dhe 6 vjet Drejtor i Përgjithshëm i Raditolevizionit Shqiptar (1971-77). Gjithsej, Thanas Nano drejtoi për 29 vjet organet kryesore të propagandës duke treguar zell e përkushtim dogmatik.

Koha gjatë së cilës Thanas Nano shërbeu si Drejtor i RTSH-së mbahet mend si më e errëta e këtij institucion (1971-1977). Ai drejtoi RTSH-në menjëherë pas Festivalit të 11-të, me dorë të hekurt, për të pastruar pasojat e parardhësit liberal, Todi Lubonja.

**

Fatos Nano i ri, e fillon jetën publike me ndikimin e pushtetit të të atit. Sapo mbaron Fakultetin Ekonomik, vetëm 27 vjeç, fillon punën në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste, një prej “vendeve të pëllumbave” të kohës, që udhëhiqej nga vetë bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija.

Por krejt ndryshe nga i ati dogmatik, te Fatosi shquhej menjëherë një frymë liberalizmi modern. Më shumë se liberal, Nanos së asaj kohe i pëlqente të ishte një lloj “dendy”(kuller) i ri tavolinash; atë e tërhiqte sharmi rinor i rebelit por pa cënuar aspak të mirat që i vinin nga trashëgimia dogmatike.

Fatos Nanon në vitin ‘90 ishte një emër pothuaj i panjohur në elitën politike e aq më pak për atë publike të Shqipërisë. Ai ishte një “Demkë” që thurte fjalime shefash komunistë apo mbronte doktrina ekonomike të dështuara për të siguruar favoret e një jete plot favore e pa andralla.

Megjithatë, ambicia politike dhe dëshira për protagonizëm flinte brenda tij. Kur Ramiz Alia e thirri nga hiçi për të zëvendësuar Adil Çarçanin, Kryeministrin e fundit komunist, Nano duhet të ketë nuhatur aromën joshëse të një pushteti të lakmueshëm. Me kurajo të madhe pranoi të jetë Kryeministri që do të çojë vendin në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Ato zgjedhje, që i fituan komunistët, duket i siguruan Kryeministrit të ri Karrigen e lartë të Kryetarit të Partisë Socialiste. Ramiz Alia u bind që kishte bërë zgjedhjen e duhur nga ajo periudhë qeverisjeje 100 ditore.

Nga ana tjetër, Fatos Nano e pagoi me çmim fort të lartë ato ditë të pakta qeverisjeje. Pushteti i fituar në zgjedhjet e vitit 1991 nuk zgjat shumë dhe revanshi i kundërshatrëve politikë është i plotë. Në zgjedhjet e 22 Marsit 1992, pushteti politik kalon plotësisht në duart e demokratëve të udhëhequr nga Sali Berisha. Ky moment shënon edhe fillimin e një dikotomie politike 13 vjeçare Nano-Berisha.

Nano u akuzua se gjatë atyre 100 ditëve të qeverisjes së tij, me fondin e ndihmave të Qeverisë italiane, kishte shkelur procedurën e blerjes së mallrave duke diktuar firmën ku do të bliheshin këto mallra. Sipas akuzës, firma “Levante Company”, një kompani italo-jugosllave ishte sjellë në Shqipëri nga Ajdin Sejdia, përfaqësues i Iliria Holding dhe i akuzuar nga demokratët për favore nga Nano dhe Farudin Hoxha.

Perceptimi publik i kohës është se po pregatitej arrestimi politik i kundërshtarit. Fatos Nano do të arrestohej në zyrën e prokurorit Fatos Dervishi më 30 Korrik 1993.

Burgosja e Nanos e kthen atë në një hero te mbështetësit dhe është një moment kthese e fortë në kurbën politike të Partisë Socialiste. Aso kohe bënë bujë batutat e tij me Prokurorin e çështjes kur i thoshte: “Do të takohemi shpejt kur të jem Kryeministër”.

Por kjo datë nuk do të ishte edhe aq e afërt. Nano do të dënohej me 12 vjet burg më 3 Prill 1994.

Fatos Nano e lë qelinë e burgut të Tiranës në ngjarjet shkatërrimtare të Marsit 1997 pas një amnistie politike që pushteti i brishtë i Berishës bëri pas presionit opozitar dhe ndërkombëtar.

Ai u rikthye triumfator dhe lider i padiskutueshëm i vendit në zgjedhjet e 1997-ës. Megjithë fitoren e thellë politike, Nano tregoi një zemërgjerësi të paparë në ndarjen e pushtetit me aleatë të parëndësishëm politikë. Pushteti i erdhi i plotë dhe pa kufizim por Nano dukej se nuk ishte i aftë për ta mbajtur. Jeta e gjatë e burgut e kishte lodhur shumë; ai nuk ishte në gjendje të qeveriste një vend të dalë nga një luftë si ajo e 97-ës. Jetonte me delire të tilla si:

“ I vetmuar si në burg nga lartësitë morale dhe intelektuale prej ku e qeveris Shqipërinë, i rrethuar nga pleshta e parazitë që meritojnë tua mbyll çadrën e t’i lë në shi”

(Edi Rama, Kurban, fq 137)

Një liberalizëm shthurës pushtoi administratën e asaj kohe. Kryeministri shpesh humbej e përhumbej në sallone mondane e hotele luksi ndërkohë që vendi i tij ishte në prag të kaosit. Nano po paguante ëndrrat e ditëve të munguara me haraçin e qeverisjes së shqiptarëve.

Vetëm dy-tre muaj nga fillimi i qeverisjes së Nanos ndodh takimi i famshëm Nano-Milloshevic në Kretë, një nga vendimet më të kritikuara të Kryeministrit. Mister do të mbette nëse ai takim ishte i mbështetur nga aleatët perëndimorë të Shqipërisë apo ishte një vendim i pavaruar i Nanos.

Ngjarja që do të shënonte fillimin e perëndimin politik të yllit të Fatos Nanos ishte padyshim vrasja e Azem Hajdarit. Njerëz me pushtet policor, të administratës shtetërore, ishin vrasësit e liderit të Lëvizjes Studentore. Qëndrimi i squllët pas revoltës së dhunshme të Opozitës solli dorëzimin e pushtetit të Nanos dhe bjerrjen e themeleve të pushtetit të tij brenda Partisë Socialiste. Rryma të reja ishin të gatshme të përfitonin.

Nano del nga skena politike pa bujë dhe jep dorëheqje nga Kryetar i Partisë Socialiste.
U duk se ora e tij politike ndali së rrahuri por duket se jeta në hije pasi kishte provuar shkëlqimin verbues të dritave kryeministrore ishte e papërballueshme. Një vit pas dorëheqjes, në vitin 1999, Nano arrin të sfidojë Kryeministrin në fuqi Pandeli Majko në garën për Kryetarin e Partisë Socialiste me vetëm 36 vota më shumë.

Ky rezultat u arrit në sajë mbështetjes politike të kundërshtarit më të madh të Nanos brenda Partisë. Aso kohe, Ilir Meta ishte zëvendës i Majkos dhe në dukje njeriu më i afërt i tij. Marrëveshja me Nanon e shpërblen menjëherë me postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

Nano u rikthye por jo me lavdinë e para dy viteve. Mbretërimi tani u takonte të tjerëve. Ndaj Konti i Montekristos (siç e quan Edi Rama në librin Kurban) po pregatit rikthimin e plotë. Për më tepër në jetën e tij tashmë ka hyrë edhe një grua e bukur, Xhoana. Rrëfimet e kohës tregojnë për një Nano të shfrenuar emocionalisht dhe të motivuar për revansh si asnjëherë më parë. Ethet e pushtetit të ndihmuara edhe nga gabimet politike të Kryeministrit të kohës, Ilir Metës, e shtyjnë Nanon në lëvizjen e njohur si “katharsis” ku me një gjuhë therëse e vulgare përçmon anëtarët e lartë të kupolës socialiste si të ishin hajdutët e Ali Babës.
Nano nuk pyeste më për kosto politike. Zgjedhjet e 2001-shit i kishin dhënë një mundësi të fundit. Ai nuk mund ta humbte.

Më mirë se askush tjetër, këtë dalldi të papërgjegjshme Nano-pushtet e përshkruan Edi Rama me personazhin e Robert Çamçakëzit, një personazh i filmave të soc realizmit. Ja sesi e shkruan këtë moment Rama te “Kurbani” i tij 14 vjet më vonë, në 2011:

“Nëse koha do të kthehej mbrapsht nuk do ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, dembelin me shfaqje të huaja të Portit të Durrësit, në një film kult të realizmit socialist për heroin e klasës punëtore Adem Reka. E vërteta është se, për dreq, ai parazit simpatik që rrumbullohej paq, fishkëllente këngë të huaja, shpotiste kalimtarët dhe tërhiqte mbi vete sa energjinë negative të të gjithë kantierit e sa interesimin e spektatorëve ngjante për kiamet me Fatosin e kohës së katharsisit të bubullimshëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë, ku Kryetari i Partisë Socialiste i vuri kazmën jo vetëm Qeverisë Socialsite të Ilir Metës, as edhe Partisë që udhëhiqte, por më thellë akoma, themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend”.
(Edi rama, Kurban, fq 62)

Pasojë e lëvizjes së Katharsisit ishte rrëzimi i Qeverisë së Ilir Metës dhe ardhja në fuqi për herë të tretë e Fatos Nanos!

Qeverisja e viteve 2002-2005 mund të jetë më e papërgjegjshmja në historinë moderne të Shqipërisë. Nano nuk kishte aspak më synim afirmimin e unit politik përmes ndryshimeve pozitive në jetën e vendit a të njerëzve por vetëm afirmimin e fuqisë së ushtruar mbi njerëzit, sidomos mbi njerëzit që udhëhiqte, ndaj të cilëve ndihej shpesh si një diell fatkeq që u kishte dhënë gjithçka, jetë, dritë, punë,
“ca qenieve që nuk e meritonin atë mbi krye”. Rikthimi I pabesueshëm i Sali Berishës pas gjithë ngjarjeve të 97-ës është pasojë e drejpërdrejtë e qeverisjes së tmerrshme të atyre viteve nga Fatos Nano. Kryeministri jepte shfaqje ekstreme vaniteti, kazinove të botës, ku biznesmenë dhe grupe interesi paguanin haptas humbjet e tij në rrethin magjepsës të ruletës.

Një nga përshkrimet më shteruese të Fatos Nanos e ka dhënë Edi Rama në librin Kurban. Ja sesi thotë ai:

“Je si një fëmijë që kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën, por, me ta marrë, fillon ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika çika derisa s’të mbetet gjë në dorë”.

Fatos Nano është një personazh kompleks në historinë politike të Shqipërisë. Ai e ka trajtuar pushtetin si një mjet dëfrimi, si një afrodiziak shpirtëror dhe material, si një lodër ekzotike e lakmuar por edhe e rrezikshme. Ai u tërhoq nga pushteti sapo ndjeu rrezikun prej tij. Fatos Nano arriti të shkëputej nga pushteti pikërisht sepse nuk e kishte parë atë kurrë si një mjet për të arritur qëllime të mëdha sesa si një qëllim të madh për të arritur mjete të vogla. Sapo mjetet u arritën qëllimi humbi kuptimin.

Zjarr Tv Ad