Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “arrest me burg” për 2 autorët e dyshuar të vrasjes së 32-vjeçares, Luljeta Prezës disa ditë më parë.
Aldo Brahimaj dhe Ylli Grabovari janë lënë në qeli pasi akuzohen për vrasjen e Prezës. 32-vjeçarja e cila punonte si punonjëse seksi u vra në mënyre makabër me thikë disa ditë më parë dhe u la poshtë urës së Dajlanit, Durrës.
Trupi i të resë u gjet nga kalimtarët e rastit të cilët menjëherë lajmëruan policinë. Nga verifikimet e bëra, Policia e Durrësit njoftoi se arrestoi dy autorët e dyshuar të ngjarjes, Aldo Brahimi, 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Ylli Grabovari, 45 vjeç, banues në Durrës.
Shkak i vrasjes u bë një konflikt i çastit, pasi Luljeta së bashku me dy autorët dhe tre shtetase tashmë nën hetim kishin konsumuar kokainë. Pas konflikti që Brahimi dhe Grabovari patën me viktimën, lidhur me paratë, ata e qëlluan me thikë duke e lënë të vdekur poshtë urës, në vendin ku u gjet trupi.