Një 60-vjeçare nga fshati Çinar ka ndërruar jetë këtë të Mërkurë në ambientet e Bashkisë së Lushnjes. Gruaja, e identifikuar si Shpresa Cani, kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike. Pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është drejtuar Drejtorisë së ndihmës sociale.
Viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë. Më pas, 60-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.
Sapo ka kryer takimin, ajo është ndier keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje. Pas mbërritjes së ambulancës, se gruaja ka ndërruar jetë në vend. Pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në Prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 60-vjeçares.
Kjo ngjarje mësohet ka tronditur kryebashkiaken Eriselda Sefa, e cila sipas disa raportimeve mediatike, ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.
Pas raportimit në media, për rastin njoftoi zyrtarisht edhe policia lokale.
“U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh.C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 60-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e bluve.