E ZBULON Muç Nano: Qëllimi i vërtetë i protestës së Sali Berishës, t’i thotë Europës se…

0
134
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti dhe publicisti Mustafa Nano, ka bërë një analizë të ngjarjeve që pritet të ndodhin javën e ardhshme në Tiranë; Samiti i liderëve të Europës do të mblidhet për herë të parë jashtë Brukselit dhe për këtë është zgjedhur kryeqyteti shqiptar; e po në të njëjtën ditë opozita ka lajmëruar protestë.

Sipas Nanos, qëllimet e vërteta të protestës janë të dukshme, Sali Berisha do t’i tregojë Europës se damkosja e tij si non-grata nuk ka zgjidhur gjë, por se madje madje ai ka në dorë paqen dhe stabilitetin e Shqipërisë.

Shkruan Mustafa Nano:

Berisha duket se e ka bërë mendjen top. Do ta bëjë demonstrimin e paralajmëruar në datën 6 dhjetor, me synimin “për të sensibilizuar Perëndimin mbi klikën e korruptuar që qeveris Shqipërinë”, në një kohë që i vetmi politikan shqiptar, të cilin Perëndimi e ka shpallur të korruptuar, është Berisha vetë. Dhe jo vetëm e ka shpallur të korruptuar e të rrezikshëm për demokracinë shqiptare, por edhe e ka ndëshkuar me izolim për këtë shkak. Asnjë ambasador i Perëndimit nuk pranon t’i japë dorën. Kuptohet pra se qëllimi i vërtetë i protestës është krejt tjetër, është t’i thotë Europës se “goditja, damkosja, turpërimi e ndoshta gjykimi i tij nuk zgjidhin gjë, përkundrazi, e ndërlikojnë situatën, dhe se paqja e stabiliteti në Shqipëri varen prej tij”.

Paradoksalisht, është nga të rrallat rrethana, kur unë e kuptoj Berishën. Atij i është ngushtuar hapësira. Në fakt, i kanë mbetur vetëm dy rrugë: 1. të dorëzohet apo të humbasë, dhe për rrjedhojë të përfundojë pa kthim në koshin e plehrave të historisë, ku e ka edhe vendin; 2. të rezistojë deri në fund me shpresën se mund të shpëtojë diçka. Ai ka zgjedhur këtë të dytën. Dhe as që ka ndërmend të kthehet mbrapsht. Ndoshta një zë i brendshëm, por edhe familjarët e tij, janë duke i thënë se me rrugën që ka zgjedhur qederi do të jetë gjithsesi më i madh sesa qari, por atij në këtë situatë nuk ia ka qejfi të bëjë llogari. Llogaritë e bezdisin. Sepse nuk i dalin ashtu si ai do donte. Erërat që fryjnë nuk i ka në favor. Koha nuk punon për të. Nuk i kanë mbetur më aleatë. Është më i izoluar se kurrë e se kushdo tjetër. Ka mbetur vetëm me ata shqiptarë që e mbështesin. Nuk janë shumë, por janë aq sa i duhen për të organizuar edhe një gjurulldí tjetër të madhe, mbi bazën e devizës së njohur: Après moi, le deluge (pas meje u bëftë qameti). Ia ka shprehur Peter Lucas-it në vitin 1996 këtë gjë.

Duhet shpresuar që këta të ftillohen pak e nga pak e një e nga një, për të kuptuar më në fund se janë thjesht mish për top i interesave të një personi e të familjes së tij. Duhet shpresuar se edhe ky turp që po bën Berisha (protesta në bulevard pikërisht në ditën kur në Tiranë do të jetë crème della crème e politikës europiane) mund t’u hapë sytë disave syresh. Ndoshta.

Marrë nga profili zyrtar i Mustafa Nano:

https://www.facebook.com/mustafa.nano.60

Zjarr Tv Ad