Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri për projektin e transformimit të Portit të Durrësit. Sipas tij, duke ju përgjigjur akuzave të opozitës dhe aktorëve të tjerë, shteti shqiptar është aksioner me 33% në këtë projekt.
Më tej, Edi Rama thotë se në seancën e radhës të Parlamentit do të ndajnë faktet për shqiptarët.
“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës!
Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys”!
Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë”, shkruan kryeministri shqiptar.