“Edvin kjo është rruga e shpresës, por ajo e Surrelit është e turpit”- Berisha i flet simpatizantëve nga ballkoni: Të rinj ngrihuni, lini auditoret dhe mbushni rrugët dhe sheshet sepse…

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dalë sërish në ballkonin e banesës së tij ku ndodhet në arrest shtëpiak dhe i është drejtuar me një fjalim simpatizantëve të tij që janë mbledhur për natën e shtatë me radhë poshtë banesës së tij.

Ai e ka nisur fjalën duke dërguar një mesazh për kryeministrin Edi Rama, duke i thënë se rruga nën ballkon është rruga e shpresës, e njerëzve të lirë dhe njerëzve guximtarë, por ajo e Surrelit është e vjedhjes, rrugë qorre dhe pa fund.

Berisha i bëri thirrje të rinjve në vend që të lënë auditoret dhe të ngrihen e të mbushin sheshet për të përmbysur këtë regjim dhe për të shpëtuar vendin.

Berisha: Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj, ju përshëndes përzemërsisht ju dhe oratorët e mrekullueshëm për fjalët e tyre.

Por më lejoni t’i dërgoj një mesazh nga rruga nën ballkon Edvin Kristaq Ramës.

Edvin, kjo rruga nën ballkon është rruga e shpresës.

Kjo rruga nën ballkon është rruga e njerëzve të lirë.

Kjo rruga nën ballkon është rruga e njerëzve guximtarë.

Në të vërtetë, kjo është rruga e lirisë.

Por rruga e Surrelit është rruga drejt Pëllumb Gjokës, drejt McGonigalit, drejt Bajrëve, drejt Gjushit tënd.

Edvin, rruga e Surrelit është rruga e turpit, rruga e vjedhjeve, rruga e krimit, rruga pa të ardhme, rroga qorr, rruga pa fund.

Dëgjova me shumë kënaqësi fjalimet e të rinjve, e profesorëve, jam jashtëzakonisht i prekur dhe frymëzuar.

Sot më shumë se kurrë, pas 32 viteve, koha, Shqipëria kërkon fjalën e gjeneratës së re.

Kërkon guximin e kësaj gjenerate, kërkon vizionin e kësaj gjenerate, kërkon fuqinë e saj.

Në qoftë se 32 vite më parë, një gjeneratë të rinjsh u përball me një guxim epik me diktaturën komuniste dhe e zvarriti atë rrugëve të Tiranës, nuk duhet të harrojmë se e keqja ndër vite, e keqja këto 10 vitet e fundit, mori përsëri, lëshoi shtat dhe mori formë tjetër.

Përsëri kjo e keqe bëri që të gjitha pushtetet të përqendrohen, të grabiten, të mblidhen në duart e një personi.

Përsëri kjo e keqe bëri që opozita të shndërrohet në një fiktivitet.

Por kjo e keqe, miqtë e mi, të mos harrojmë kurrë se kohërat kurrë nuk do e harrojnë.

Kjo e keqe u soll me rininë shqiptarë si e keqja më e madhe, si pushtuesi më i egër që kjo rini ka njohur në të gjitha kohërat.

Ju lutem shumë, djemve dhe vajzave të reja, gjeni dhe lexoni promemorien e armikut doktrinar më të keq të kombit shqiptar, Vaso Çubrilloviç. Lexoni se si ky armik i qenies sonë parashtronte platformën e zbrazjes së Shqipërisë, platformën e shuarjes së kombit shqiptar duke dëbuar shqiptarët nga Shqipëria.

Çubrilloviçi frymëzoi regjimet nacionaliste serbe jugosllave për të përzënë qindra mijëra shqiptarë nga trojet e tyre.

Por, më shumë se Çubrilloviçi, më shumë se Pashiqi, më shumë se çdo regjim, shqiptarët i përzuri nga vatrat e tyre e keqja që quhet Edi Rama.

Sot, në 8 vite, Shqipëria përlotet, Shqipëria vajton mbi 500 mijë të rinj shqiptarë të cilët u larguan nga vendi i tyre, të cilët braktisën klasat e tyre, braktisën familjet e tyre. Morën rrugët e botës vetëm e vetëm se një e keqe që përqendroi çdo pushtet në duart e tij, vriste si një kuçedër, shpresën e tyre.

Vriste shpresën në çdo skaj, në çdo shkollë, në çdo universitet, në çdo qendër pune dhe kudo.

A nuk mjafton kjo që të shpallim Edi Ramën si armikun më të egër të qenies shqiptare?

A nuk mjafton kjo që të shpallim Edi Ramën si të keqen më të madhe kombëtare?

Atëherë, përballë kësaj, a nuk i takon të rinjve shqiptarë, nderi, detyra, misioni të ngrihen si luanë kundër kësaj të keqe për të shpëtuar veten, për të shpëtuar këtë vend që ai po e shkatërron me një program më shkatërrimtar se çdo pushtues tjetër.

Të dashur miq, të dashur gjimnazistë, të dashur studentë, të dashur pedagogë dhe mësues.

Çdo ditë që kalon, ne pakësohemi. Ne çdo ditë, nënshtrimi na poshtëron gjithnjë e më shumë.

Sot, më shumë se gjysma e atyre që mbarojnë gjimnazet janë përjashtuar nga mesatarja për të hyrë në universitete.

Ata nuk kanë alternativë tjetër përveçse të largohen nga Shqipëria.

Sot, shkollat, gjimnazet, kanë bërë jo përpara, por kanë pësuar rënien më të madhe se në çdo vend tjetër të botës në 8 vitet e kësaj të keqe që quhet Edi Rama.

A nuk përbën për ju të dashur mësues dhe mësuese, të dashur gjimnazistë dhe gjimnazistë, një kambanë alarmi, rënia në pikiatë e cilësisë së arsimit tonë në 8 vite?

Studente dhe studentë, koha u thërret sot më shumë se kurrë, të ngriheni, të lini auditoret, të mbushni rruget dhe sheshet sepse universitetet tuaja po nuk u ngritët ju sot, pas 10 vitesh nuk do kenë më studentë.

Sepse pedagogët tuaj do largohen një nga një dhe vendin e tyre do e zënë trafikantët, kriminelët, militantët dhe injorantët.

Zjarr Tv Ad