Ballina Blog Faqe 15

Berisha: DASH hoqi ‘non gratën’ ndaj meje dhe familjes time

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka një tjetër reagim sa i takon heqjes së “non gratës” nga Shtetet e Bashkuara. Përmes një postimi në Facebook, ai rikonfirmon se Departamenti Amerikan i Shtetit, e ka hequr atë sanksion për të dhe familjarët e tij, duke e cilësuar një korrigjim të një vendimi të padrejtë të marrë më herët.

Falenderon administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Sekretarin Marco Rubio.

“Të dashur miq! Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-ve ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve për çështjen e Zvërnecit. Vendimi i datës 10 qershor lidhet me sekuestrimet e mbi 128 mln eurove në llogarine e noteres, Amela Mukaj që janë përdorur në 3 shitblerje tokash në Zvërnec.

Sipas SPAK, paratë do të kalonin për kontrata me personat që kanë në pronësi tokat: Artur Shehaj, Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj. Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si dosja e Zvërnecit.

“Vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e luajtshme, shuma monetare në valutën euro të ndodhura në llogarinë bankare te noteres publike Amela Mukaj, person fizik, si më poshtë vijon:

i) Shuma e parave 110.247.134 euro, sipas kontratës së shitjes me nr. 2062 rep., nr. 1166 kol., datë 24.04.2026 me palë Artur Shehu dhe “Albanian Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.

ii) Shuma e parave 10.044.684 euro, sipas kontratës me nr. 2060 rep., nr. 1164 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK.

iii) Shuma e parave 8.062.619 euro, sipas kontratës me nr. 2061 rep., nr. 1165 kol., datë 24.04.2026 me palë Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj dhe “Albania Land Development” sh.p.k., e ndodhur në llogarinë numër 435001036CLPRBFEURMJ të noteres AMELA MUKAJ PERSON FIZIK”, thuhet në vendim.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zhdukja e Eglant Koçit, zbardhen detaje të reja: Autori përdori karrotrec për të çuar makinën dhe trupin në Ibë

0

Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar shokun e ngushtë, Armand Shakaj.

Shakaj për t’iu fshehur kontrolleve rutinë të policisë, ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij brenda të cilit dyshohet të ketë qenë edhe trupi i 34-vjeçarit deri në zonën e Ibës.

Ky veprim sipas hetuesve ka ndodhur në datën 6, që sipas kamerave të sigurisë, rezulton që trupi i Koçit rezulton të jetë mbajtur në makinë për 1 ditë e gjysmë pasi kontaktet e fundit i kishte me familjen në datën 4 qershor.
Policia identifikoi pronarin e karrotrecit dhe e shoqëroi për ta marrë në pyetje. Ai ka pohuar se automjeti e kishte lënë pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makinën e kishte me defekt. Prej andej, thotë dëshmitari, nuk di më se çfarë ka ndodhur pasi është larguar dhe nuk kishte ide se çfarë kishte brenda në makinë.

Ndërkohë, brenda ambientit të zyrës ku është mbajtur Koçi, janë gjetur mbetje baruti, por që grupi hetimor pret përgjigjen e ekspertizës për të përcaktuar çfarë ka ndodhur.

Prej ditësh policia është fokusuar në 2 drejtime kontrolli, së pari për të gjetur trupin e Eglant Koçit në rrethina të Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit si dhe gjetjen për arrestimit e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim, Armand Shakaj.

Burime të sigurta bëjnë me dije se 41-vjeçari, gjatë ditëve të fundit ka ndryshuar 6 numra celulari, në përpjekje për të mos u lokalizuar.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Operacioni i SPAK/ Sekuestrohen makinat luksoze të biznesmenit të “Top Seven”

0

SPAK ka zhvilluar një operacion të përbashkët me policinë e shtetit për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, duke lëshuar 20 masa sigurie.

Sipas njoftimit, ky operacion ka si synim ekzekutimin e masave ndaj disa personave të përfshirë në pastrim të shumave të mëdha parash.

“SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po zhvillon sot një operacion për ekzekutimin e masave të sigurimit ndaj disa personave, të dyshuar për veprat penale trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash në vlera të mëdha, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Detaje më të hollësishme do të njoftohen pas përfundimit të operacionit”, njofton SPAK.

Ndër të arrestuarit është Orest Sota, ndërsa për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi, të dyshuar për pastrim parash të grupit kriminal, është lëshuar masa sigurie “arrest me burg”. Të dy ndodhen jashtë vendit.

Artur Shehu është pronar i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz.

Ndërkohë, Ilir Shtufi është një nga biznesmenët më të njohur në fushën e ndërtimit, ndërkohë në kërkim mbetet edhe Orgec Birçaj.

Orgest Birçaj zotëron një nga kompanitë më të rëndësishme luksoze të makinave, “Top Seven”. Mësohet se makinat e kompanisë në fjalë po sekuestrohen nga SPAK, në kundër të hetimeve për pastrim parash.

Orest Sota njihet për kapjen e tij më 1 nëntor 2017, kur u arrestua duke qarkulluar me një automjet që transportonte 863 mijë euro.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Administrata bashkohuni me popullin”/ Thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme: Të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës!

0

Një thirrje e fortë u shpërnda dje nga protestuesit për tubimin e ditës së sotme. Ndërsa revolta kundër qeverisë la pas ditën e saj të 12-të, qytetarët kërkuan një mobilizim akoma më të madh për t’iu përgjigjur asaj që e konsiderojnë si provokim nga ana e kryeministrit.

Pasi Edi Rama njoftoi mbajtjen e një antimitingu në Sheshin “Italia” në të njëjtin orar me protestën, reagimi i sheshit ka qenë i menjëhershëm.

Organizatorët dhe qytetarët aktivë po u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që të vërshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të treguar forcën e tyre përballë asaj që e quajnë “antimiting të Ramës me administratën”.

“Nesër të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës me administratën e tij!” është kryefjala e thirrjeve që po qarkullojnë pas mbylljes së protestës së sotme.

Një vëmendje e veçantë në këto thirrje i është kushtuar punonjësve të administratës publike, të cilët sipas protestuesve, po detyrohen të dalin në shesh për të mbrojtur pushtetin.

Protestuesit kërkojnë që punonjësit e shtetit të mos përdoren si mburojë politike, por të rreshtohen krah qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Pjesëmarrja masive shihet si zgjidhja e vetme për të bllokuar tentativën e kryeministrit për të krijuar një imazh mbështetjeje përmes administratës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Kam nënën sëmur, më jep makinën…”/ Ja si aktori i humorit Rezart Veleshnja mashtroi Ylli Troplinin

0

Nga Elton Qyno

Ish-humoristi i spektaklit “Portokalli”, Rezart Veleshnja, rezulton të jetë marë i pandehur për akuzën e “Mashtrimit”, pasi në vitin 2024 i ka marë 45-vjeçarit, Ylli Troplini, makinën tip “Mitsubishi Pajero” dhe më pas ja ka shitur, një personi tjetër në Linzë të Tiranës.

Ylli Troplini, është një emër i njohur për policinë Shqiptare, por në vitin 2024, makinën ia ka dhënë aktorit, Rezart Veleshnja, me kërkesë të këtij të fundit, pasi e kishte nënën e sëmurë dhe i nevojitej për ta çuar në spital.

Por makinën “Mitsubishi” shumë shpejt Rezart Veleshnja e ka shitur tek një prson në Linzë të Tiranës, i quajtur Shpendi. Tashmë Veleshnja, është marë i pandehur për akuzën e “Mashtrimit” dhe dosja penale kundër tij është dërguar në gjykatë, ku gjyqtari, Rexhep Bekteshi, në 30 qershor 2026, ka planifikuar zhvillimin e seancës së rradhës ndaj të pandehurit, Veleshnja.

Sipas dosjes hetimore në 12 dhjetor 2024, Ylli Troplini, ka paraqitur kallëzim penal duke deklaruar se ai ka në pronësi një mjet “Mitbusishi” me targa AA239MM dhe këtë mjet ia ka dhënë aktorit, Rezart Veleshnja, me të cilin e ka njohur një shoku i tij, Shkëlzen Beqiri.

Shkëlzeni, i ka thënë Ylli Troplinit, që mos t’i besonte shumë Rezartit, por atij (Yllit) i ka ardhur keq pasi i ka thënë se kishte nënën e sëmurë me kancer dhe i duhej makinë për të lëvizur e për të dërguar nënën e tij nëpër spitale për vizita.

“…për këtë arsye unë ia kam dhënë edhe mjetin…”-ka pohuar Ylli Troplini.

Rezart Veleshnja, e ka marrë mjetin dhe që nga korriku i vitit 2024 nuk ia ka kthyer makinin. Kur i ka dhënë mjetin, Rezartit, prezent ka qenë edhe dy shokët e tij, Ani Shyti si dhe Gëzim Leka.

Ylli Troplini thotë se për herë të fundit makinën e ka parë më 23 Gusht 2024, në Durrës, kur Rezarti i ka shkuar në varrimin e nipit të tij. Nuk ka pasur asnjë lloj detyrimi ndaj Rezartit dhe nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet mjeti i tij.

Ndërkohë si person që ka dijeni për ngjarjen është pyetur në prokurori Ani Shyti, i cili deklaron se makinën Ylli Troplini, ia ka dhënë Rezartit që nga vera e vitit 2024, dhe kanë qenë në plazh duke pirë kafe, por saktësisht emrin e lokalit se mban mend.

Por sipas tij, Rezarti, i tha Yllit se i duhet një mjet pasi ka nënën e sëmurë dhe do e dërgonte në spital për analiza dhe s’kishte me çfarë ta çonte.

Në këto momente një shok i Yllit dhe i Rezartit, Erzen Beshiri të cilin e njeh dhe ai i ka thënë të mos ia jepte makinën, Rezartit. Pas disa muajsh, Rezarti, nuk po ia kthente makinën duke gjetur justifikime të ndryshme dhe ndonjëherë nuk i përgjigjej në telefon.

Sipas prokurorisë së Durrësit, nuk ka informacion që aktori Rezart Veleshnja, të ketë bërë reklama biznesi për shtetasin Ylli Troplini pasi ky i fundit nuk ka biznes.

Si person që ka dijeni për ngjarjen është pyetur Erzen Beshiri, i cili deklaron se është ai personi që e ka njohur Ylli Troplini me aktorin Rezart Veleshnja.

Pasi ata janë takuar disa herë, Rezarti, i ka kërkuar mjetin Yllit për ta përdorur për disa kohë pasi Rezarti kishte nënën me sëmundje të keqe.

Kanë qenë duke pirë kafe në lagjen nr.13, Plazh Durrës. I ka thënë Yllit mos t’ia jepte makinën Rezartit sepse ai nuk i dilte garant por Yllit i ka ardhur keq.

Nuk e di çka bërë Rezarti me makinën pasi nuk e ka takuar atë. telefon me Rezartin dhe i ka thënë që t’ia çonte mjetin Yllit pasi do t’ia jepte ai shumën prej 2 milion lekë të vjetra, por Rezarti as ia hapi më telefonin dhe as nuk shkoi të marrë lekët.

Si person që ka dijeni për ngjarjen është pyetur dhe Gëzim Leka, i cili deklaron se e njeh Ylli Troplinin dhe ka pirë kafe disa herë me të dhe ka dëgjuar në bisedë kafeje se, Ylli i ka dhënë një mjet “Mitsubishi”, Rezart Veleshnja përkohësisht pasi ai ishte pa mjet.

Gjithashtu ka dëgjuar edhe Yllin që i kërkonte në telefon Rezartit që t’i kthente mjetin pasi kishte kaluar kohë e gjatë dhe Rezarti, nuk e kthente mjetin por i thoshte se: “…e kishte shitur por nuk i tregonte se ku…”.

Në dëshminë e tij Gëzim Leka thotë se nuk ka dijeni që Rezart Veleshnja të ketë bërë reklama biznesi për Ylli Troplinin pasi ky i fundit nuk ka biznes në dijeninë e tij.

Prokuroria e Durrësit rezulton të ketë administruar informacion nga DRSHTRR-së Durrës, ku rezulton se mjeti me targa AA239MM, është i markës “Mitsubishi Pajero Sport” i vitit 1999 dhe rezulton se Ylli Troplini është bërë pronar i mjetit me kontratën e shit-blerjes së lidhur më datë 22 Prill 2024.

Gjithashtu nga ana e prokurorit është marrë vendim për sekuestrimin e mjetit në fjalë, por nuk është bërë i mundur sekuestrimi i mjetit pasi nuk është gjendur në Republikën e Shqipërisë. Më datë 12 dhjetor 2024 është bërë dhe shpallja në kërkim e mjetit.

Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni aktori i humorit, Rezart Veleshnja, i cili deklaron se Ylli Troplini, e njeh pasi ka bërë një bashkëpunim me pijen e tij “Star Energy” duke postuar në “Instagramin” e tij dhe duke reklamuar pijen energjike kundrejt një pagese nga ana e tij.

Rezart Veleshnja, në dëshminë e tij tregon në takimet e para me Ylli Troplinin, se kur ka shkuar pa makinë, Ylli gojarisht i ka thënë se “…makinën e vjetër do t’ia dhuronte atij në këmbim të pagesës për reklamën dhe imazhin e pijes që ai ka bërë…”.

Veleshnja, deklaron se e ka marrë makinën dhe për arsye shëndetësore të familjarëve të tij, e ka shitur në shumën 200.000 Lekë. Ai thotë se nuk disponon kontratë me shkrim nga Ylli Troplini, por ka patur vetëm fjalë goje.

Këtë makinë ia ka dhënë një shtetasi në Linzë kundrejt pagesës prej 200.000 lekë por nuk e njeh. Në këtë moment policia gjyqësore ka ndërprerë deklarimin si person që ka dijeni, duke vijuar më pas pyetjen e Veleshnjës si person nën hetim, i cili ka deklaruar të njëjtat thënie.

Gjithashtu Rezart Veleshnja ka sqaruar se makinën ia ka shitur Shpedit nëpërmjet Elisit, sepse e njeh dhe e ka shok në shumën 2.8 milion lekë të vjetra.

I ripyetur si person nën hetim Rezart Veleshnja i qëndron deklarimeve të dhëna më parë por nuk ka dhënë shpjegime duke shpjeguar se do t’i japë ato në gjykatë.

Është bërë këqyrja e telefonit celular të shtetasit Rezart Veleshnja. Këqyrja u bë në rrjetin social “Instagram”,ku në faqen e “Instagramit” Starz Energy Albania tek mesazhet e kësaj faqe shihen disa postime nga faqja e “Instagramit” e Rezart Veleshnja.

Po kështu, dallohen disa mesazhe teksti të dërguara Rezart Veleshnja drejt Ylli Troplinit. Nga të dhënat e marra nga QKB-ja rezulton e regjistruar subjekti tregtar “Starz Brench”, por nuk rezulton as ortak dhe as administrator shtetasi i dëmtuar, Ylli Troplini. /Syri.net

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sonte nis Botërori 2026/ Çfarë duhet të dini për spektaklin më të madh në historinë e futbollit

0

Numërimi mbrapsht po shkon drejt fundit. Kupa e Botës 2026 nis sonte – dhe me të fillon festa më e madhe e futbollit. Për 39 ditë, 48 kombëtare do të garojnë për trofeun më të lakmuar në sport, në një Botëror që do të sjellë më shumë ekipe e më shumë ndeshje, dhe që premton më shumë spektakël se kurrë më parë.

Këtu mund të mësoni shumëçka për favoritët, yjet, formatin e ri të garës, oraret, biletat dhe zhvillimet që po e shoqërojnë turneun para fishkëllimës së parë.

Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, shënon herën e parë që tri vende e organizojnë së bashku kampionatin që mbahet çdo katër vjet.

Ky do të jetë Botërori më i madh deri më tani sa i përket numrit të pjesëmarrësve.

Ndeshja hapëse e garës do të zhvillohet mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, në Meksiko Siti, të enjten, pra sonte në orën 21:00, sipas kohës lokale në Kosovë. Finalja do të luhet më 19 korrik, në Nju Xhersi të SHBA-së.

Kush merr pjesë?
Kjo Kupë e Botës është e para që përfshin 48 shtete, për dallim nga Botërorët e mëparshëm, që kishin nga 32 sosh.

Argjentina, Brazili, Franca, Gjermania, Spanja dhe Anglia janë në mesin e kombëtarëve të mëdha, që do të garojnë për trofeun më prestigjioz në futboll.

Këtij Botërori do t’i mungojë fituesja e katërfishtë e Kupës, Italia, që nuk arriti të kualifikohet, ashtu siç nuk arritën as Kosova dhe Shqipëria – megjithëse ishin afër, dështuan në plajof dhe nuk do t’i shohim për herë të parë në një Botëror.

Si zhvillohet gara?
Kombëtaret pjesëmarrëse sivjet janë të ndara në 12 grupe, me nga katër ekipe.

Dy ekipet e para në grup, me më së shumti pikë (fitorja siguron 3, barazimi 1), do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën e radhës të garës – e cila njihet si rrethi i 32 më të mirëve.

Pjesa e mbetur e rrethit të 32 më të mirëve do të përbëhet nga ekipet që do të zënë vendin e tretë në grup gjatë fazës grupore, dhe që do të kenë rezultate më të mira në përgjithësi. Gjashtëmbëdhjetë ekipe do të eliminohen në grupe.

Nuk do të ketë gjuajtje të penalltive për të përcaktuar ekipin fitues gjatë ndeshjeve në grupe. Por, në fazat e ardhshme, nëse një ndeshje përfundon me barazim, atëherë do të luhen edhe 30 minuta shtesë. Nëse prapë nuk ka fitues, atëherë do të zhvillohen penalltitë.

Në çfarë oraresh luhen ndeshjet?
Tifozët në Kosovë, dhe në Evropë në përgjithësi, duhet të përgatiten për net të gjata, ose për t’u zgjuar shumë herët në mëngjes, të paktën gjatë dy javëve të para të turneut.

Ndeshjet e Kupës së Botës fillojnë qysh pas mesnate për tifozët në Evropë, më saktë nga ora 1 e mëngjesit e tutje.

Ka, gjithashtu, ndeshje që nisin në orën 4 të mëngjesit, sipas kohës lokale në Kosovë, por edhe në orët e përshtatshme si 18 dhe 21.

Plot 35 ndeshje të fazës së grupeve fillojnë mes mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale në Kosovë.

Edhe disa nga ndeshjet e fazës eliminatore nuk do të zhvillohen në orare shumë të favorshme, por shikuesit evropianë do të lehtësohen kur të mësojnë se gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen në orën 21, sipas kohës lokale në shumicën e vendeve të Kontinentit të Vjetër.

Kush janë favoritët?
Dy prej kombëtareve që po shihen si favoritet kryesore janë kampionia e dyfishtë, Franca, si dhe Spanja, e cila e ka fituar kampionatin një herë.

Franca ka një skuadër yjesh, përfshirë Kylian Mbappen, Ousmane Dembelen dhe Michael Olisen. Spanja, ndërkaq, var shpresat te të rinjtë e talentuar, siç është 18-vjeçari Lamine Yamal.

Edhe kampionia në fuqi, njëherësh fituese e trefishtë e Botërorit, Argjentina, së bashku me favoritin tradicional, Brazilin – kombëtaren më të suksesshme në Botëror – kanë shanset e tyre reale.

Brazili synon trofeun e gjashtë botëror, i cili do të ishte i pari nga viti 2002.

Biletat e ndeshjeve
Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, është përballur me kritika të ashpra për strategjinë e saj të çmimeve të biletave për këtë Kupë Bote.

Kur biletat dolën në shitje të përgjithshme në janar, çmimet silleshin nga rreth 122 euro deri në rreth 7.570 euro. Megjithëse disa bileta më vonë u ofruan me çmime më të ulëta, të tjerat janë shtrenjtuar ndjeshëm – deri në rreth 28.740 euro për finalen.

Çmimet e rishitjes janë edhe më të larta në tregun dytësor.

Në prill, platforma zyrtare e FIFA-s për rishitjen e biletave listonte katër bileta për finalen me çmim pak më të ulët se 2.3 milionë dollarë secila. Edhe pse FIFA nuk i kontrollon çmimet në këtë platformë, ajo përfiton një komision prej 30 për qind nga çdo rishitje.

Tensionet ndërkombëtare
Muajin e kaluar, FIFA konfirmoi se kombëtarja e Iranit e kishte zhvendosur kampin e saj nga Arizona në Meksikë, si pasojë e bombardimeve të nisura në shkurt nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit.

Megjithëse një armëpushim hyri në fuqi në fillim të prillit, ka pasur sulme mes palëve kohë pas kohe.

Ditët e fundit pati raportime se futbollistët e Iranit do të lejoheshin të hynin në SHBA jo më herët se ditën e ndeshjeve të tyre, por kjo u hodh poshtë nga SHBA-ja.

“Këto komunikata janë të pavërteta. Falë zemërgjerësisë së presidentit Donald Trump, ekipi iranian do të jetë në gjendje të mbërrijë një ditë para ndeshjeve”, tha një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Por, disa anëtarëve të ekipit iranian nuk iu lëshuan viza, përfshirë “anëtarë kyç të stafit drejtues dhe administrativ”, sipas Federatës së Futbollit të Iranit. Mes tyre: menaxheri i ekipit, dy analistë të ekipit, drejtori i mediave dhe një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas Ambasadës së Iranit në Meksikë.

Ndërkohë, gjyqtarit somalez të futbollit, Omar Artan, iu ndalua hyrja në SHBA për shkak të “lidhjeve të tij me persona të dyshuar si anëtarë të organizatave terroriste”, sipas zyrtarëve amerikanë.

Artan – i shpallur gjyqtari më i mirë i Afrikës në vitin 2025 – pritej të bëhej somalezi i parë që do të gjykonte në fazën finale të një Kupe Bote, por iu mohua hyrja në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit të hënën, pavarësisht se posedonte pasaportë diplomatike dhe vizë amerikane.

Somalia është një nga 12 vendet që përfshihen në listën e ndalimit të udhëtimit, të vendosur nga presidenti Trump./rel

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Meta reagon pas lajmit për heqjen e non gratës ndaj Berishës

0

Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit për heqjen e non gratës ndaj Sali Berishës, duke theksuar se është zhbërë një vendim që ishte komplot mafioz për asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se “nuk i heq dot asnjë presje qëndrimit publik që kam mbajtur pesë vite më parë, si President i Republikës, për komplotin mafioz që synonte jo vetëm asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri, por edhe helmimin e marrëdhënieve historike dhe strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Sipas tij “afera McGonigal shpjegon shumë qartë të gjitha skandalet që korruptuesi i Charles McGonigal financoi për të shkatërruar pluralizmin dhe opozitën në Shqipëri duke keqpërdorur zyrtarë të korruptuar si McGonigal dhe plot të tjerë”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta e qytetarëve, Pëllumb Pilinçi: Kam gati qeverine teknike

0

Në ditën e 11-të të protestës qytetare në Tiranë, është shfaqur në shesh edhe Pëllumb Pilinçi.

Në një prononcim për mediat, Pilinçi deklaroi se jo vetëm që qëndron pas protestës aktuale para Kryeministrisë, por se është i angazhuar edhe në organizimin e protestave të tjera në rajon, përfshirë atë të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

I pyetur për synimet e tij politike, Pilinçi shkoi edhe më tej, duke shpallur se Edi Rama “ka rënë” dhe se ai vetë e ka tashmë gati qeverinë teknike.

“Erdhi përfundimi i komunistëve dhe agjentëve që kanë dalë vërdallë. Ne kemi ngritur studentët, ne organizojmë këtë, por janë 7-8 vetë që është futur nga Sali Berisha dhe Edi Rama. Data 13 është dita e fundit e agjentëve, spiunëve që paguhen dhe hiqen trima. Policia është këtu dhe është duke kontrolluar, policia është në favor të shqiptarëve. Drejtori i policisë është një hero i kombit.  Edi Rama ka rënë. Qeverinë teknike e kemi krijuar”, tha ndër të tjera Pilinçi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Popullin ta dëgjoni sepse do ju marrin zvarrë”/ Sherr në Kuvend mes Shehaj dhe Ballës

0

Është zhvilluar me tone të larta dhe debat seanca e kësaj të enjte në Kuvend, pasi Agron Shehaj gjatë fjalës së tij, duke devijuar nga rendi i ditës tha se qytetarët do i marrin zvarrë politikanët me protestën që po zhvillojnë.

Duke kërkuar që t’i dëgjojnë thirrjet e qytetarëve, Shehaj kërkoj që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa iu kthye kreut të grupit parlamentar të PS-së me tone të larta dhe një gjuhë kërcënuese duke thënë se njerëzit do i marrin zvarrë.

“Unë flas për ça të dua unë. Ka lidhje që  çke me të. Ju ju duken disa, janë me dhjetëra e mijëra. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje. Nuk funksionon kështu demokracia, kur populli ngrihet duhet ta dëgjoni sepse do ju marrin zvarrë” tha Shehaj.

Në këtë moment ndërhyri menjëherë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, i cili i tërhoqi vëmendje duke i bërë me dije se po shantazhon haptazi.

Për reagimin e Shehajt replikoi Taulant Balla i cili i kujtoi kreut të Partisë “Mundësia” se ai ka vjedhur të dhënat personale të Partisë Demokratike.

“Shantazhin e këtij unë s’e marr në konsideratë. Ti je një hajdut, i vodhe PD listën e anëtarësisë, dole. A mund të tërhiqet vëmendja e një zhurmuesi që shkon e bën selfie në protestë. Protesta lindi për një  projekt , ti i shkon natën dhe i thua investitorit, të jap para. Ti je  një gjobaxhi, një person i dënuar për vjedhje të dhënash personale. Ktheji PD-së listën e të dhënave personale që i ke vjedhur sepse sot ka një lajm të mirë, Luli mund të bëhet i penduar dhe të tregojë se sa e pagove ti që të futi ty në listë” iu përgjigj Balla Shehajt. 

Agron Shehaj: Ju po shkelni rregulloren. Duhet të zbatohet gjithmonë. Duhet të zbatoni Kushtetutën e vendit. I shikoni njerëzit në shesh apo jo. Kalojnë afër shtëpia të tuaja apo jo. Kemi vjedhur shqiptarët, keni shitur Shqipërinë, dhe ju i tallni. Ky parlament duhet shkrirë. Nuk duhet të vazhdoni të injoroni. Është turp kjo që po bëni, protesta do të mbahet mend. Dilni aty.

Peleshi i ndërpret fjalën

Agron Shehaj: Unë flas për ça të dua unë. Ka lidhje që  çke me të. Ju ju duken disa, janë me dhjetëra e mijëra. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje. Nuk funksionon kështu demokracia, kur populli ngrihet duhet ta dëgjoni sepse do ju marrin zvarrë.

Taulant Balla: Shantazhin e këtij unë s’e marr në konsideratë. Ti je një hajdut, i vodhe PD listën e anëtarësisë, dole. A mund të tërhiqet vëmendja e një zhurmuesi që shkon e bën selfie në protestë. Protesta lindi për një  projekt , ti i shkon natën dhe i thua investitorit, të jap para. Ti je një gjobaxhi, një person i dënuar për vjedhje të dhënash personale. Ktheji PD-së listën e të dhënave personale që i ke vjedhur sepse sot ka një lajm të mirë, Luli mund të bëhet i penduar dhe të tregojë se sa e pagove ti që të futi ty në listë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx