Ballina Blog Faqe 15

Kush është Klevi Metaj, studenti që u përball me 6 efektivë të FNSH dhe u kthye në simbol të protestës?

0

Një i ri përballë gjashtë efektivëve të FNSH-së. Një përplasje fizike, gjak në fytyrë dhe më pas pranga në duar. Këto janë pamjet që bënë xhiron e rrjetit dhe e kthyen Klevi Metajn në një nga personazhet më të përfolur të protestës studentore në Tiranë.

Videoja e përplasjes së tij me policinë u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale. Në pamje, 22-vjeçari shihet teksa përleshet me efektivët e FNSH-së, të cilët e rrethojnë dhe përpiqen ta neutralizojnë. Pak më vonë, fotografitë e tij të gjakosur dhe të prangosur shkaktuan reagime të shumta, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si policia ndërhyri ndaj të riut.

Por kush është Klevi Metaj, studenti që u gjend në qendër të kësaj përplasjeje?

Sipas raportimeve, ai është 22 vjeç, me origjinë nga Gjirokastra dhe studion për drejtësi në Tiranë. Nëna e tij, Brikena Metaj, është gazetare në Gjirokastër, ndërsa babai, sipas të njëjtave raportime, punon në Policinë e Shtetit.

Një detaj jo pak interesant ky i fundit, pasi i riu që u përlesh me gjashtë efektivë të FNSH-së është pikërisht djali i një punonjësi policie.

Deri përpara protestës, emri i Klevi Metajt ishte i panjohur për publikun e gjerë. Por pamjet e përplasjes së tij me efektivët mjaftuan që brenda pak orësh ai të kthehej në një nga emrat më të komentuar në rrjet.

Reagimet kanë qenë të shumta. Disa e kanë përgëzuar për guximin e treguar përballë forcave të policisë, ndërsa të tjerë kanë ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e përplasjes. Veçanërisht të forta kanë qenë reagimet pas publikimit të fotografive ku 22-vjeçari shfaqej i gjakosur, me duart e lidhura në pranga.

Dhe ndërsa rrjetet sociale vijojnë komentet për veprimin e 22-vjeçarit, një pyetje mbetet ende pa përgjigje, a ishte e nevojshme ndërhyrja me atë nivel force e gjashtë efektivëve të FNSH-së për të neutralizuar një student 22-vjeçar?

Studentët “pushtojnë” Tiranën, Universiteti i Mjekësisë bojkoton mësimin dhe dynden rrugëve drejt qendrës

0

Ka nisur protesta në disa lokacione në Tiranë. Pas gjimnazit “Partizani” dhe studentët e mjekësisë, i janë bashkuar revoltës qytetare duke bojkotuar mësimin.

Ata janë mbledhur në rrugë, ndërsa pas kalimit pranë zonës së njohur si “Medreseja”, janë drejtuar nga qendra e Tiranës.

Ndërkohë ditën e djeshme protesta është karakterizuar nga tensione dhe dhunë, me 16 persona të arrestuar dhe 49 të proceduar.

Protesta e të martës, Policia: 16 të arrestuar, 49 të proceduar penalisht

0

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë për shkak se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të së martës.

“Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.

Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie”, tha policia.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:

U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. 

Një ditë pas protestës 9-orëshe në Tiranë, gjimnazistët e “Partizanit” bojkotojnë mësimin

0

Një ditë pas protestës së studentëve, e cila zgjati rreth 9 orë në Tiranë dhe u shoqërua me përplasje, tensione dhe akte dhune, reagimi ka vijuar edhe në gjimnaze.

Nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë kanë bojkotuar mësimin, një zhvillim ky që vjen pas protestës së gjatë të studentëve një ditë më parë.

Studentët dalin në protestë, hedhin kapsolla dhe vezë drejt godinës së Ministrisë së Arsimit

0

Ka nisur prej disa minutash protesta para Ministrisë së Arsimit, teksa studentët kanë hedhur sende në drejtim të godinës. Në drejtim të ministrisë janë hedhur tullumbace me ujë, vezë, kapsolla dhe sende të tjera.

Protestuesit gjithashtu kanë shkruar grafite në muret e ministrisë: “Ju erdhi fundi”, “Turp” etj. Siç shihet edhe nga pamjet, prania e protestuesve është shtuar teksa herë pas here hedhin sërish sende ndaj ministrisë.

Policia është mobilizuar dhe ka marrë masa. Forca të shumta të policisë ndodhen në terren, duke rrethuar institucionin e arsimit

Rama sot në Luksemburg, zhvillohet konferenca e dhjetë BE–Shqipëri

0

Shqipëria dhe Bashkimi Europian rikthehen sot në tryezën e negociatave në Luksemburg, ku do të mbahet Konferenca e dhjetë Ndërqeveritare për anëtarësimin. Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i BE-së, delegacionet pritet të mbërrijnë në orën 17:30. Në 17:50 është parashikuar fotografia zyrtare, ndërsa në 18:00 nis tryeza e diskutimeve. Konferenca do të zhvillohet në orën 18:15. Delegacioni shqiptar pritet të drejtohet nga kryeministri Edi Rama. 

Në qendër të takimit do të jetë mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me sipërmarrjen dhe politikën industriale. Ky kapitull përfshin politikat për zhvillimin e biznesit dhe industrisë, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Ky është hapi i radhës në procesin e negociatave, pasi më 14 korrik Shqipëria dhe BE-ja mbyllën përkohësisht negociatat për Kapitullin 25, Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26, Arsimi dhe Kultura, si dhe Kapitullin 30, Marrëdhëniet me Jashtë.

Shqipëria i ka hapur tashmë të 33 kapitujt negociues, ndërsa procesi ka hyrë në fazën e mbylljeve të përkohshme. Këto mbyllje nuk janë përfundimtare, pasi marrëveshja për çdo kapitull mbetet e kushtëzuar deri në përfundimin e plotë të negociatave të anëtarësimit.

Mes të izoluarve edhe Ergys Agasi/ BKH kontrolle në paraburgimin e Bradasheshit, sekuestrohen disa telefona

0

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ushtruar kontroll në qelinë ku mbahet i izoluar Ergys Agasi, në Bradashesh të Elbasanit.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë sekuestruar disa telefona celularë, të cilët, sipas burimeve, ende nuk janë zbërthyer për të identifikuar personat që u përkasin dhe për të zbuluar përmbajtjen e tyre.

Ergys Agasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si drejtues i një grupi kriminal që dyshohet se vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Balla: Presidenti Begaj dekreton javën e ardhshme datën për zgjedhjet lokale

0

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se kërkesa për ngritjen e një komisioni të posaçëm për qeverisjen vendore, kompetencat, funksionet, financat dhe rajonet është hera e katërt që prej vitit 2013 që diskutohet dhe miratohet për t’u kaluar në seancë plenare. Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, Balla u shpreh se opozita ka marrë pjesë në dy prej komisioneve të mëparshme, ndërsa një tjetër e ka bojkotuar. 

Ai theksoi se shpreson që opozita të mos bojkotojë edhe këtë herë. Duke komentuar diskutimet në Konferencën e Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar socialist tha se përfaqësuesit e PS-së kanë qenë të pranishëm, ndërsa nga opozita morën pjesë deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deputetja demokrate Jorida Tabalku, e cila, sipas Ballës, parashtroi qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së.

“Sot, siç ndodh në çdo Konferencë Kryetarësh, përfaqësuesit e grupit të PS-së kanë qenë të gjithë aty. Ka qenë z. Tedi Blushi dhe një kolege që hynte e dilte, e cila parashtroi qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së, të cilin nuk e kuptova. Shpresoj që deri të enjten, në seancë plenare, të ketë reflektim”, u shpreh ai.

Balla iu përgjigj edhe pretendimeve lidhur me përfundimin e mandatit të komisionit të posaçëm të mëparshëm, i cili përfundoi punën në korrik. Sipas tij, kërkesa për zgjatjen e mandatit ishte paraqitur gabim dhe nuk u miratua në Konferencën e Kryetarëve, duke bërë që komisioni të përfundonte mandatin.

“Ti thua që nuk iu zgjat mandati komisionit të posaçëm të tretë, që përfundoi në korrik. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen që, në radhën e diskutimit të korrikut, kërkesa ishte parashtruar gabim, jo në afatin e duhur, nuk kaloi në Konferencën e Kryetarëve dhe, për pasojë, ai komision përfundoi”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur gjithashtu se të dyja palët e përfaqësuara në komisionin e mëparshëm kishin paraqitur propozime për ndarjen administrative-territoriale. Sipas tij, Partia Demokratike vijon të propozojë një ndarje me 100 bashki, ndërsa në Kuvend është votuar ndarja me 46 bashki.

“Të dyja palët e përfaqësuara në atë komision erdhën me dy propozime. PD-ja edhe sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki. Ditën e enjte, në seancë plenare, u votua ndarja me 46”, përfundoi Balla.

Balla u ndal te reforma zgjedhore, duke theksuar se afati përfundimtar për çështjet që lidhen me të duhet të jetë brenda këtij viti. Ai i bëri thirrje opozitës të mos e pengojë procesin për shkak të agjendës politike të ditës.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, me mbajtjen e konferencës së dhjetë për mbylljen e Kapitullit 20. Afati përfundimtar për çështjet që lidhen me reformën zgjedhore duhet të jetë brenda këtij viti. Opozita duhet të kuptojë që detyrimet e Shqipërisë përballë Brukselit nuk janë vetëm detyrimet e PS-së, por të Kuvendit si institucion. Ti s’mund të mbash peng reformën zgjedhore për agjendën politike të ditës. Ne duhet të kemi dakordësi. Kemi çështje që mund t’i zgjidhim”, u shpreh Balla.

Ai theksoi gjithashtu nevojën që Kodi Zgjedhor të trajtohet sa më shpejt, duke pasur parasysh afatet që lidhen me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.

“Kodin Zgjedhor duhet ta shohim sa më shpejt, pasi Presidenti, sipas parashikimeve, në javët në vijim duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve. Një prej të dielave mes 15 prillit dhe 15 majit është periudha për të cilën duhet të përcaktohet data e zgjedhjeve. Gjithmonë zgjedhjet vendore kanë qenë në maj, por kjo është kompetencë e Presidentit të Republikës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Bordi i Transparencës rrit çmimet e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina

0

Bordi i Transparencës ka rritur çmimin e naftës me 8 lekë për litër dhe atë të benzinës me 1 lek për litër.

Sipas vendimit të ri, nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 219 lekësh për litër, nga 211 lekë që ishte më parë.

Ndërsa benzina do të kushtojë deri në 196 lekë për litër, nga 195 lekë.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 13 tetor, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimin e ardhshëm.

“E keni kthyer Kuvendin në tallje”/ Plas debati për fazën e dytë të ‘Territoriales’, PD braktis mbledhjen

0

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend është përfshirë nga debatet mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, gjatë diskutimeve për ngritjen e komisionit që do të merret me fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen, pas përplasjeve me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Debati ka përfshirë kundërshtimet e opozitës për mënyrën se si mazhoranca ka miratuar hartën e re territoriale, si dhe vendimin e Komisionit të Etikës që përjashtoi për 60 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.

Deputeti Tedi Blushi ka akuzuar mazhorancën se po e përdor Kuvendin për të miratuar vendime në interes të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar procesin e Reformës Territoriale si një ndërhyrje që cenon përfaqësimin e qytetarëve.

“Kuvendi është kthyer në noter dhe rrobaqepës të akteve kriminale dhe ligjeve me porosi të Edi Ramës”, ka deklaruar Blushi gjatë mbledhjes.

Ai ka pretenduar se miratimi i hartës territoriale ka ardhur pa konsensus politik dhe pa konsultim me qytetarët që kanë kundërshtuar ndryshimet.

Sipas Blushit, përjashtimi i deputetëve të opozitës përbën një tjetër shkelje të të drejtave parlamentare dhe tregon se mazhoranca nuk pranon debat për vendimet që merr.