E martë, Tetor 13, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Balla: Presidenti Begaj dekreton javën e ardhshme datën për zgjedhjet lokale

Balla: Presidenti Begaj dekreton javën e ardhshme datën për zgjedhjet lokale

0
8

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se kërkesa për ngritjen e një komisioni të posaçëm për qeverisjen vendore, kompetencat, funksionet, financat dhe rajonet është hera e katërt që prej vitit 2013 që diskutohet dhe miratohet për t’u kaluar në seancë plenare. Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, Balla u shpreh se opozita ka marrë pjesë në dy prej komisioneve të mëparshme, ndërsa një tjetër e ka bojkotuar. 

Ai theksoi se shpreson që opozita të mos bojkotojë edhe këtë herë. Duke komentuar diskutimet në Konferencën e Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar socialist tha se përfaqësuesit e PS-së kanë qenë të pranishëm, ndërsa nga opozita morën pjesë deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deputetja demokrate Jorida Tabalku, e cila, sipas Ballës, parashtroi qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së.

“Sot, siç ndodh në çdo Konferencë Kryetarësh, përfaqësuesit e grupit të PS-së kanë qenë të gjithë aty. Ka qenë z. Tedi Blushi dhe një kolege që hynte e dilte, e cila parashtroi qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së, të cilin nuk e kuptova. Shpresoj që deri të enjten, në seancë plenare, të ketë reflektim”, u shpreh ai.

Balla iu përgjigj edhe pretendimeve lidhur me përfundimin e mandatit të komisionit të posaçëm të mëparshëm, i cili përfundoi punën në korrik. Sipas tij, kërkesa për zgjatjen e mandatit ishte paraqitur gabim dhe nuk u miratua në Konferencën e Kryetarëve, duke bërë që komisioni të përfundonte mandatin.

“Ti thua që nuk iu zgjat mandati komisionit të posaçëm të tretë, që përfundoi në korrik. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen që, në radhën e diskutimit të korrikut, kërkesa ishte parashtruar gabim, jo në afatin e duhur, nuk kaloi në Konferencën e Kryetarëve dhe, për pasojë, ai komision përfundoi”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur gjithashtu se të dyja palët e përfaqësuara në komisionin e mëparshëm kishin paraqitur propozime për ndarjen administrative-territoriale. Sipas tij, Partia Demokratike vijon të propozojë një ndarje me 100 bashki, ndërsa në Kuvend është votuar ndarja me 46 bashki.

“Të dyja palët e përfaqësuara në atë komision erdhën me dy propozime. PD-ja edhe sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki. Ditën e enjte, në seancë plenare, u votua ndarja me 46”, përfundoi Balla.

Balla u ndal te reforma zgjedhore, duke theksuar se afati përfundimtar për çështjet që lidhen me të duhet të jetë brenda këtij viti. Ai i bëri thirrje opozitës të mos e pengojë procesin për shkak të agjendës politike të ditës.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, me mbajtjen e konferencës së dhjetë për mbylljen e Kapitullit 20. Afati përfundimtar për çështjet që lidhen me reformën zgjedhore duhet të jetë brenda këtij viti. Opozita duhet të kuptojë që detyrimet e Shqipërisë përballë Brukselit nuk janë vetëm detyrimet e PS-së, por të Kuvendit si institucion. Ti s’mund të mbash peng reformën zgjedhore për agjendën politike të ditës. Ne duhet të kemi dakordësi. Kemi çështje që mund t’i zgjidhim”, u shpreh Balla.

Ai theksoi gjithashtu nevojën që Kodi Zgjedhor të trajtohet sa më shpejt, duke pasur parasysh afatet që lidhen me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.

“Kodin Zgjedhor duhet ta shohim sa më shpejt, pasi Presidenti, sipas parashikimeve, në javët në vijim duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve. Një prej të dielave mes 15 prillit dhe 15 majit është periudha për të cilën duhet të përcaktohet data e zgjedhjeve. Gjithmonë zgjedhjet vendore kanë qenë në maj, por kjo është kompetencë e Presidentit të Republikës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Zjarr Tv Ad