Ballina Blog Faqe 14

Dita e tretë e protestës studentore, anulohet seanca plenare e Kuvendit! Largohen deputetët

0

Një orë para nisjes së seancës plenare në Kuvend është njoftuar anulimi i saj. Seanca plenare pritej të niste në orën 10:00 teksa studentët kishin paralajmëruar se do të protestonin këtë të enjte para Kuvendit.

Siç shihet edhe nga pamjet, deputetët janë larguar nga ambientet e Kuvendit teksa forca të shumta policie ndodhen në terren.

Pavarësisht pranisë së madhe të forcave të rendit, këtë të enjte nuk është vendosur kordoni, perimetri i zakontë i sigurisë përreth zonës.

“Digje! Digje!”, hidhet molotov te Ministria e Arsimit, godina në tym e flakë

0

Godina e Ministrisë së Arsimit është sulmuar me molotov nga protestuesit, duke shkaktuar zjarre në katin e parë dhe të dytë. Protestuesit bërtisnin në kor “Digje! Digje!”, teksa ndaj godinës hidheshin lëndë plasëse.

Pas disa minutash, forcat e policisë ndërhynë duke larguar demonstruesit dhe duke u vënë në lëvizje për të shuar zjarrin.

E gjithë Rruga e Durrësit është shndërruar në një arenë përplasjeje mes studentëve protestues dhe policëve, për të dytën ditë radhazi tashmë.

Më parë tubuesit shkatërruan degën e një banke të nivelit të dytë aty pranë, duke thyer derën kryesore dhe duke nxjerrë dokumente nga raftet.

Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga ana e policisë për persona të arrestuar, por gjatë ditës ka pasur shoqërime. Të mërkurën protestuesve iu bashkuan studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe gjimnazistë.

Një ditë më parë disa persona mbetën të lënduar nga përplasjet, ndërsa Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë.

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë mësimin në solidaritet me studentët e Tiranës

0

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Shkodrës kanë bojkotuar procesin mësimor, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve në Tiranë.

Ata kundërshtojnë dhunën e ushtruar nga Policia gjatë tubimit të një dite më parë dhe shprehen se reagimi i tyre synon të sjellë ndryshime.

Studentët thonë se do të ndjekin zhvillimet në kryeqytet dhe u bëjnë thirrje edhe të rinjve të tjerë t’i bashkohen protestës.

“Sot, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, i kemi bojkotuar mësimet. Jemi përgjigjur në solidaritet me thirrjen e studentëve në Tiranë dhe do të vazhdojmë të shohim se si do të shkojnë gjërat. Shpresoj që atje të mos përkeqësohet më tej situata, sepse, siç e thashë edhe më parë, është bërë një makabër e vërtetë.

Policia nuk duhet të ushtrojë kurrë kaq shumë dhunë ndaj qytetarëve. Siç thonë edhe në ministri, policia është krijuar për të na mbrojtur dhe jo për të ushtruar dhunë, siç ndodhi dje. Kjo është krejtësisht e gabuar.

Sot kanë nisur edhe disa bojkotime në Tiranë nga nxënës të disa gjimnazeve dhe i përgëzoj ata që nuk kanë rënë pre e presionit që shteti ushtron ndaj studentëve. Do të kishte qenë shumë më mirë të shkonim në Tiranë, në mënyrë që të bëheshim sa më shumë”, është shprehur një student.

Deputetët e PD shkojnë te Rruga e Durrësit në mbështetje të studentëve

0

Deputetët e Partisë Demokratike kanë shkuar në zonën e Rrugës së Durrësit, për të mbështetur protestën e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët janë në ditën e dytë të revoltës së tyre.

Aty janë parë Luçiano Boçi, Luan Baçi, Tomor Alizoti dhe Bardh Spahia, të cilët kanë deklaruar se mbështesin plotësisht kërkesat dhe protestën e studentëve.

Bardh Spahia, i cili është edhe mjek me profesion, i ka dhënë ndihmën e parë një personi që raportohet se është plagosur nga përplasjet me trupat e Policisë së Shtetit, dhe ka thyerje në pjesën e ballit.

Ndërkohë, një grupim i qytetarëve u ka kërkuar deputetëve të Partisë Demokratike që të largohen dhe të mos përfshihen në tubimin e tyre, nën pretendimet se ata nuk i përfaqësojnë.

Deri tani kanë kaluar më shumë se dy orë nga grumbullimi i studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve të Tiranës në zonën e Rrugës së Durrësit, ku nuk kanë munguar përplasjet me efektivët dhe vandalizmat ndaj Ministrisë së Arsimit.

“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private”, thuhej ne apel.

Mbledhja e qeverisë, ja komenti i parë i Ramës për protestën e studentëve

0

Ka përfunduar mbledhja e qeverisë, e zhvilluar këtë të mërkurë në një kohë kur Tirana po përjeton ditën e dytë të protestës studentore.

Sipas gazetares së Euronews Albania, Eksiola Shehu, Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë mbledhjes se personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestës, sipas tij, nuk janë studentë.

Mbledhja e qeverisë ishte parashikuar fillimisht të mbahej në orën 17:30, por agjenda u ndryshua dhe ajo u zhvillua më herët, pas zhvillimeve të fundit të lidhura me protestën.

Më herët, Rama u detyrua të hynte në godinën e Kryeministrisë nga hyrja e pasme, e përdorur nga stafi i mediave, pasi hyrja kryesore ishte blinduar në kuadër të protestës.

Ndërkohë, protesta studentore vijon në Tiranë, ku në ditën e dytë të saj janë regjistruar tensione dhe përplasje, ndërsa studentëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë.

Protestuesi djeg në protestë teserën e PS-së: Jam socialist që në kohën e Fatos Nanos, jam i zhgënjyer

0

Një nga protestuesit ka treguar live teserën e Partisë Socialiste, që e kishte që në kohën e Fatos Nanos.

Protestuesi e dogji teserën LIVE në protestë, duke u shprehur se është zhgënjyer shumë dhe se sot është me studentët.

“Nuk e dua më PS-në”, deklaroi ai.

Protestuesi: Jam anëtar i PS-së dhe do e djeg. Nuk e dua më PS-në, sepse nuk më ka sjellë asgjë.

Jam me PS që nga koha e Fatos Nanos. Dua ta djeg. I jam bashkuar protestës, sepse nuk e dua më Partinë Socialiste.

Bllokohet Rruga e Durrësit, studentët i vendosin flakën koshave. Policia nis shoqërimet e para

0

Rruga e Durrësit është bllokuar sërish këtë të mërkurë, pasi qindra studentë dhe protestues kanë bllokuar kalimin, duke protestuar. Ata kanë shkulur kangjellat dhe i kanë vendosur si barriera në rrugë, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë forcat e policisë. Më parë, protestuesit hodhën gurë brenda godinës së Ministrisë së Arsimit.

Disa protestues nisën të digjnin koshat e plehrave të vendosur në rrugë. Kjo solli edhe ndërhyrjen e policisë, ku pati disa persona të shoqëruar. Ndërkohë, autobotet e ujit u afruan për të shuar flakët.

Kjo është dita e dytë e protestës studentore. Të mërkurën disa universitete dhe fakultete bojkotuan mësimin dhe marshuan nëpër rrugët e Tiranës drejt Ministrisë së Arsimit. Edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” bllokuan rrugën para shkollës së tyre dhe bojkotuan mësimin. Deri më tani nuk janë shënuar përplasje me forcat e rendit, siç ndodhi të martën.

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë për shkak se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të së martës.

Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e naftës dhe benzinës

0

Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur me 6 lekë për litër. Bordi i Transparencës ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë i gazoilit të jetë 213 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte më parë.

Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, më 14 tetor 2026, çmimi maksimal i shitjes me shumicë i naftës do të jetë 201 lekë për litër.

Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i benzinës do të jetë 190 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë do të tregtohet me jo më shumë se 178 lekë për litër.

Çmimet e reja hynë në fuqi më 14 tetor, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.

Tensionohet protesta para Ministrisë së Arsimit, studentët shkulin sërish kangjellat metalike anës rrugës

0

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit ka nisur me tensione. Një grup protestuesish kanë shkulur kangjellat metalike dhe sinjalistikën rrugore pranë godinës, ndërsa kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të policisë.

Më herët, studentët iu drejtuan në kor Forcave Speciale me thirrjen: “Mos na provokoni!”. Ndryshe nga një ditë më parë, uniformat blu ende s’janë kundërpërgjigjur dhe po qëndrojnë brenda perimetrit të godinës. 

Ndonëse protesta ishte njoftuar të niste në orën 14:00, demonstrata nisi shumë më herët. Studentë të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave dhe fakulteteve të tjera bojkotuan mësimin duke u grumbulluar në rrugë për të marshuar në drejtim të MAS. 

Bojkoti ishte paralajmëruar nga disa universitete dhe fakultete pas përplasjeve të dhunshme të një dite më parë.
Protestës i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani”, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.

Dhunë, arrestime e përleshje me policinë, mediat ndërkombëtare jehonë protestës studentore në Tiranë

0

Protesta studentore e zhvilluar dje në Tiranë, ka bërë jehonë dhe në mediat ndërkombëtare. Nëntë orë protestë të mbushura me tensione, dhunë ndaj godinave qeveritare, e përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave policore.

“Studentët shqiptarë protestojnë për arsimin, vendet e punës dhe përplasen me policinë”; kështu e prezanton artikullin Retuers ku flitet për sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit paralelizuar me protestat studentore në Francë.

“Studentët protestues hodhën tulla dhe blloqe betoni drejt Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë në Tiranë të martën dhe policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe topa uji në përgjigje, ndërsa një demonstratë mbarëkombëtare mbi arsimin dhe çështjet sociale u shndërrua në të dhunshme… Demonstrata vjen në mes të një vale më të gjerë të aktivizmit studentor në Evropë. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar javë të tëra protestash dhe bllokimesh shkollash duke kërkuar më shumë mësues dhe ambiente më të mira, duke argumentuar se ndërtesat shkollore në përkeqësim dhe klasat e mbipopulluara po dëmtojnë arsimin”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Al Jazeera shkruan se revolta studentore është ndezur në valën e protestave që po zhvillohen masivisht në Tiranë muajt e fundit ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit të vendit Edi Rama.

“Kryeqyteti i Shqipërisë ka parë një sërë protestash antiqeveritare që nga maji , të nxitura nga një projekt turizmi luksoz i lidhur me familjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Projekti ka nxitur zemërim për korrupsionin e dyshuar dhe mungesën e transparencës, me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Studentët i bënë jehonë këtyre kërkesave, por i thanë medias lokale se tubimi i së martës synonte gjithashtu të kritikonte kushtet universitare, tarifat e shkollimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë”, thuhet në artikull.

Dhe media italiane ANSA ka shkruar për protestën e djeshme, dhunën dhe përleshjet masive të qytetarëve me uniformat blu.

“Një protestë studentësh dhe qytetarësh jashtë Ministrisë së Arsimit në Tiranë u përshkallëzua shpejt në përleshje të dhunshme me policinë. Turma, e cila numëronte me qindra, brohoriti slogane antiqeveritare përpara se të hidhte fishekzjarrë, bojë, vezë dhe gurë shtrimi të shqyer nga trotuari”, thuhet në artikull.

Përveç Ministrisë së Arsimit, protestuesit arritën të futeshin dhe në katin e parë të Bashkisë së Tiranës duke ndezur dhe flakadanë brenda në godinë. Sipas raportimeve paraprake nga Policia, raportohet për mbi 45 persona të shoqëruar, 20 të lënduar, mes tyre 7 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë.

Protesta fillimisht nisi e qetë me thirrje “Dorëheqje’, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, më pas u përshkallëzua me hedhjen e pllakave të betonit drejt ministrisë së Arsimit, vezëve e letrave higjenike. Protestuesit shkulën dhe hekurat anësorë nëpër trotuare e arritën të futeshin deri në oborrin e ministrisë ku u përballën më pas me kordonin e policisë, gaz lotsjellës, spray me piper e autobotë me ujë.

Turma u shpërnda në të tjera drejtime, ndërsa zjarre u ndezën nëpër rrugë kryesore. Protestuesit sulmuan dhe biznese private. Nëpër media sociale, janë bërë virale video nga përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Sakaq, policia ka nisur verifikimet dhe për rastin e një 19-vjeçari, i cili ka pësuar frakturë të rëndë në këmbë në rrethana ende të paqarta. Ajo që e rëndon situatën është mënyrë sesi policia e ka kapur në krah për të dërguar në ambulancë. Për këtë rast, është pezulluar nga detyra shefi i Rendit në Komisariatin nr. 1 Tiranë si dhe 4 efektivë.