Pas afro 10 muajsh arrati, është vënë në pranga i shumëkërkuari nga drejtësia, Ylli Zalla.
Arrestimi i tij i finalizua nga forcat RENEA dhe ato Operacionale një ditë pasi në shtëpinë e tij në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, u vendos një sasi lënde plasëse.
Zalla ishte fshehur në një tjetër banesë në afërsi të shtëpisë së tij ndërsa në momentin e arrestimit ai ka qenë i armatosur rëndë me kallashnikov dhe 3 karikatorë me fishekë, por nuk ka bërë rezistencë.
Ylli Zalla është shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 i dyshuar se ka furnizuar me armë e arsenal autorët e atentatit në Rinas. Pas kësaj ngjarje të rëndë ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, në banesën e Zallës në Fushë-Krujë, policia zbuloi një arsenal armësh tipik ushtarak çka nxiti dyshime për lidhje të tij me autorët e masakrës apo grupe kriminale.
Zalla është arrestuar më herët për posedim të municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse. Po ashtu ai rezulton i skeduar edhe për rekrutim të shqiptarëve që janë dërguar për të luftuar me ISIS-in. Ndërsa disa vite më parë Ylli Zalla ka kërcënuar pronarin e një fabrike në Fushë Krujë.






