Ballina Blog Faqe 16

Blushi në Konferencën e Kryetareve për ‘Territorialen’: Tre deputetë janë kërcënuar nga Rama dhe bandat

0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe ka kërkuar mbajtjen e një qëndrimi nga Kuvendi për pretendimet mbi kërcënimet ndaj deputetëve, në lidhje me votimin e reformës territoriale.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, Blushi e cilësoi miratimin e hartës së re territoriale si një akt politik që, sipas tij, prek interesat e qytetarëve. Ai deklaroi se vendimi dhe përjashtimi i deputetëve të opozitës nga punimet parlamentare tregojnë, sipas tij, përkeqësimin e situatës në Kuvend.

“Ky Kuvend konfirmoi se mbron vetëm interesat kriminale, mafioze dhe ekonomike të Edi Ramës. Miratimi i dhunshëm i hartës së shpopullimit shtroi nevojën që shqiptarët të zhbëjnë tani Kuvendin e krimit”, u shpreh Blushi.

Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe mohim të të drejtave të opozitës, duke e cilësuar Kuvendin si një institucion që, sipas tij, po miraton ligje me porosi të kryeministrit Edi Rama.

 Një pjesë të fjalës së tij, Blushi ia kushtoi pretendimeve për kërcënime dhe shantazhe ndaj deputetëve, të cilët, sipas tij, janë vënë nën presion për të votuar hartën e re territoriale.

Ai përmendi deputetët Erion Braçe, Elisa Spiropali dhe një tjetër deputete, të cilët sipas deklaratës së tij kanë pohuar se janë kërcënuar apo shantazhuar nga Edi Rama dhe persona të lidhur me qeverinë.

“Kuvendi duhet të mbajë një qëndrim për kërcënimet mafioze ndaj deputetëve për të votuar nën shantazh hartën e shpopullimit”, deklaroi Blushi, duke shtuar se kërcënimet ndaj deputetëve përbëjnë një pretendim serioz që duhet të hetohet.

Blushi u shpreh gjithashtu se refuzimi i konsensusit politik dhe i konsultimeve me qytetarët që protestuan kundër reformës territoriale e bën, sipas tij, të pamundur vijimin e negociatave me shumicën.

Gjatë fjalës në Konferencën e Kryetarëve, Blushi kritikoi edhe masat e sigurisë të marra gjatë seancave plenare ndërsa qytetarët protestojnë, duke përmendur rrethimin e Kuvendit, automjetet e blinduara, gardhet metalike dhe praninë e shtuar të policisë.

Ai kërkoi që Kuvendi të mbajë qëndrim edhe për dhunën e pretenduar ndaj qytetarëve gjatë protestave, veçanërisht në ditët kur zhvillohen seancat parlamentare.

Salianji: Nëse PD nuk fiton zgjedhjet vendore do bëj lëvizje për të larguar Berishën!

0

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sërish lëvizje për largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së, nëse demokratët nuk fitojnë zgjedhjet lokale.

I ftuar në News 24, Salianji e cilësoi Berishën si pengesën kryesore për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa theksoi se deri në zgjedhjet vendore do të përpiqet për bashkimin e opozitës.

“Do të bëj lëvizje dhe përpjekje të tjera nëse PD-ja nuk i fiton zgjedhjet lokale. Unë do të bëj përsëri lëvizje për të larguar Sali Berishën, si pengesën kryesore për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai tha se duhet të mblidhen të gjitha flukset opozitare, kryetarët e partive të tjera, si dhe protestusit

“Në politikë, as unë dhe askush tjetër nuk ka shkopin magjik për ta ndryshuar situatën brenda ditës. Do të bëj përpjekje deri në zgjedhjet lokale. Deri në zgjedhjet lokale, do të bëj çdo përpjekje që opozita të jetë e bashkuar dhe unë të kontribuoj, sepse bëhet fjalë për zgjedhje administrative. Në këtë moment, sepse ka kohë edhe për luftën, në këtë moment t’i lëmë luftën ndaj njëri-tjetrit, të mbledhim të gjitha flukset opozitare dhe kryetarët e partive të tjera, si dhe protestën”, tha Salianji.

Shpërthen makina në Tiranë, në pronësi të bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri

0

Një makinë tip Mercedes Benz GLE ka pësuar dëmtime të shumta pas një shpërthimi mëngjesin e të martës. Makina figuron në emër të bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri, Nexhi Beqiri.

Mjeti ka qenë i parkuar kur ka ndodhur shpërthimi.

“Rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, para një pallati, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në automjetin e parkuar në pronësi të shtetases N. B. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, tha policia.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. 

Deputeti i PS, Sinaj: Nuk më është bërë asnjë presion apo ultimatum. Ja me kë fola që ndryshove vendim

0

Deputeti socialist Vullnet Sinaj shpjegoi në News24 votën e tij “pro” reformës territoriale, pavarësisht qëndrimit kundër saj.

Sinaj shpjegon se ndaj tij nuk u bë asnjë lloj presioni, siç u përfol, nga kryeministri Rama.

Deputeti shton se pati biseda konstruktive për reformën me Ramën, Çuçin dhe Ballën. Në fund ai votoi si shumica e grupit parlamentar, pasi ishte vendim politik.

Vullnet Sinaj: Dua të sqaroj se në grupin parlamentar të PS u bën dy votime. E para kush është pro reformës dhe kush kundër, unë votova kundër bashkë me kolegun BRaçe. Pas këtij u bë një votim i dytë, u hodh në votim që ndarjen territoriale do e votojmë pro me vendim politik të grupit të PS. Iu binda vendimit të grupit parlamentar të PS. Siç mund ti bindet një vendimi të tillë edhe një deputet i opozitës.

Kur mazhoranca kanë një mendim kundër me mendimin tuaj duhet ti bindesh vendimit të shumicës. Iu binda jo vetëm si disiplinë por edhe në mendimet e mia. Qëndrimi im kundër ishte një pikëpamje por asnjëherë një njeri nuk e vërteton, duhet kohë. Grupi parlamentar dhe komisioni i posaçëm kishin mendimin e tyre. Bashkimi do ishte në të mirë të qytetarëve rritjes së fuqizimit ekonomik të bashkive. Unë u bashkova me grupin parlamentar PS. Nuk ka patur në mënyrë absolute presion as ultimatum.

Nuk më bëhet presion as personalisht dhe as ndonjë fushë. Kam dëgjuar në studio se e kam lidhur punën me biznesin. Nuk kam asnjë frikë sepse biznesi im është nga më të rregulltit në këtë vend. Nuk kisha pse të kisha frikë dhe nuk kam patur asnjë presion. Kam patur vetëm një bisedë konstruktive për të mirat e reformës me kryeministrin, drejtuesin e qarkut dhe kreun e grupit parlamentar. Ishte një bisedë mes nesh. Në fund të kësaj bisede ishim të një mendimi që duhej votuar reforma territoriale sepse benefitet do jenë më mira se ato në kushtet e sotme. Sepse reforma e parshme kishte sjellë rezultatet e saj. Nëse nuk do kisha qenë deputet i PS apo i pavarur edhe mund ta kisha votuar kundër asaj reforme.

Kontrolle të rrepta në rrugët e Tiranës, gjobiten 78 këmbësorë

0

Policia Rrugore në Tiranë ka intensifikuar kontrollet për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorët.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë vendosur 78 masa administrative ndaj këmbësorëve që kanë shkelur rregullat. Sipas njoftimit të policisë, kontrollet kanë si qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Autoritetet u bëjnë thirrje këmbësorëve të respektojnë sinjalistikën, të përdorin vijat e bardha dhe të shmangin kalimin e rrugës në vende të palejuara.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, në funksion të mbrojtjes së jetës dhe sigurisë së të gjithë përdoruesve të rrugës.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Policia Rrugore kontrolle për respektimin e rregullave të qarkullimit nga këmbësorët.

Gjatë 24-orët e fundit u vendosën 78 masa administrative.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë vijuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e këmbësorëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjatë 24-orëve të fundit, janë vendosur 78 masa administrative ndaj këmbësorëve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore apelon për më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri nga ana e këmbësorëve, duke respektuar sinjalistikën rrugore, përdorur vendkalimet e përcaktuara dhe shmangur kalimin e rrugës në vende të palejuara.

Kontrollet do të vijojnë në funksion të rritjes së sigurisë rrugore dhe mbrojtjes së jetës së të gjithë përdoruesve të rrugës.

Ministri i Izraelit në Tiranë, Gideon Sa’ar: Rama një lideri i jashtëzakonshëm

0

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Tiranës dhe qëndrimin kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe Iranit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Sa’ar vlerësoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botë.

“Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit. Me zgjedhjet që do të zhvillohen në Izrael nuk është momenti më i lehtë për të udhëtuar, por ishte e rëndësishme të gjeja kohën për të vizituar Shqipërinë. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit”, deklaroi Sa’ar.

Ai shprehu admirimin për kreun e qeverisë shqiptare, duke vlerësuar qëndrimin e tij ndaj Izraelit.

“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama, që është, në këndvështrimin tim, një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë. Faleminderit për punën e pareshtur për ta çuar marrëdhënien tonë përpara”, tha ministri izraelit.

Sa’ar u ndal edhe te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, duke përmendur rritjen e numrit të turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Numri i vizitorëve izraelitë është rritur në 100 mijë, me shumë shpejtësi dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri. Potenciali për rritje është edhe më domethënës dhe, bazuar në atë që kemi parë, kur vjen turizmi, investimet ndjekin. Duam ta ruajmë këtë moment për të ndërtuar bashkëpunim në energjetikë, ujë, mbrojtje dhe inovacion. Falënderojmë Shqipërinë që qëndron kundër terrorizmit, antisemitizmit, për zërin e saj të qartë në…”, u shpreh ai.

Ministri izraelit kujtoi gjithashtu marrëveshjen dypalëshe për shëndetësinë, të nënshkruar një vit më parë, ndërsa bëri të ditur se palët synojnë ta zgjerojnë partneritetin me një marrëveshje më të gjerë.

“Sot do ta zgjerojmë këtë partneritet me një marrëveshje më të gjerë, duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe bashkëpunim më të thellë”, përfundoi Sa’ar.

Zhdukja e Inez Hajrullës/ Rrëmbim si Ervis Martinaj apo inskenim për t’i shpëtuar SPAK?

0

Prej dy ditësh, një prej emrave më të kërkuar të botës së krimit në Vlorë është zhdukur pa lënë gjurmë duke ngjallur dyshime për një tjetër eleminim të ngjashëm me atë të Ervis Martinajt. Rrethanat janë të ngjashme, telefonat fikur duke ndërprerë kontaktet me familjen, personi i zhdukur Inez Hajrulla i shpëllur në kërkim nga policia dhe shoqërimi i fundit me një vajzë. 

Diferenca me rastin e Martinajt është se familja e Inez Hajrullës nuk ka nxituar të bëjë denoncim në polici, por sipas raportimeve, ka deklaruar se do të presë 72 orë.

Çfarë ka ndodhur me Inez Hajrullën? Është rrëmbyer dhe eliminuar nga kundërshtarët, siç dyshohet se ndodhi me Ervis Martinajn, apo zhdukja është një inskenim për të humbur përfundimisht gjurmët e policisë dhe SPAK-ut?

Për momentin mbeten vetëm dyshimet. Asnjë version nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Informacionet e pakta që qarkullojnë janë se Hajrulla ishte nisur nga Vlora drejt Tiranës dhe kishte planifikuar një takim rreth orës 13:00. Në komunikimet e fundit dyshohet se kishte shprehur shqetësimin se po ndiqej nga persona që i kishte marrë për agjentë të BKH-së dhe se mund të arrestohej.

Por gjurmët humbasin në Kombinat. Enigmës i shtohet edhe një personazh tjetër, një vajzë që ishte me të në orët e fundit përpara humbjes së kontakteve, Hajrulla raportohet se shoqërohej ose ishte takuar me një emër të njohur të ekraneve shqiptare, pjesëmarrëse në një reality shoë. Nuk ka deri tani asnjë të dhënë publike që ta lidhë atë me zhdukjen apo që të tregojë se ajo kishte dijeni për atë që mund të ndodhte. Por dëshmia e saj, nëse takimi konfirmohet, mund të jetë e rëndësishme për rindërtimin e orëve të fundit të Hajrullës.

Hajrulla rezulton i skeduar si pjesë e grupeve kriminale të Vlorës, fillimisht nën hijen e Edison Harizajt, i njohur si “Faqedjeguri”, i vrarë në Durrës në nëntor 2018. Pas eliminimit të Harizajt, raportohet se Hajrulla mori një rol shumë më të rëndësishëm në grupin e tij.

Në qendër të përplasjes ishte një emër tjetër i njohur i nëntokës së Vlorës: Fatmir Hyseni, alias Musai, i njohur si “Doqa”. Grupi i Hajrullës dyshonte se Doqa kishte qenë ekzekutori i Edison Harizajt dhe, sipas komunikimit në Sky ECC, nisi kërkimin e tij dhe të njerëzve të afërt me të.

Kur nuk arritën te Doqa, hetuesit dyshojnë se goditjet u drejtuan ndaj rrethit të tij. Një prej viktimave ishte Gentian Qarri, kushëri i Doqës, i vrarë më 6 shkurt 2021 në Vlorë. Emri i Hajrullës del edhe në hetimet për Bledar Birçajn, të vrarë me armë zjarri në Vlorë më 10 maj 2021.

Ndërkohë vetë Hajrulla i ka mbijetuar disa atentateve. Në vitin 2017 u plagos rëndë nga një shpërthim eksplozivi në automjet, ndërsa në vitin 2019 u bë sërish objektiv i një atentati. Në vitin 2023 policia arrestoi Amarildo Nikollin, i dyshuar se ishte paguar për ta vrarë.

Tani, pas vitesh gjatë të cilave i shpëtoi plumbave dhe së fundmi edhe operacioneve të policisë, gjurmët e Inez Hajrullës janë zhdukur.

Nëse është arratisur, është marrë peng apo është eliminuar, këtë ende nuk e thotë dot askush me prova. Kamerat, telefonat dhe njerëzit që e panë të fundit, mes tyre edhe një vajzë, mund të ndihmojnë në zbulimin e enigmës./Lapsi.al

Edi Rama paralajmëron supermarketet: Gjobë nëse spekulohet me çmimet

0

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te presioni mbi ekonominë dhe rritja e kostove.

Ai u shpreh se në këto kushte bizneset duhet të shohin përtej fitimit të përditshëm dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Rama paralajmëroi gjithashtu se ligji parashikon gjoba në rastet kur konstatohet spekulim me çmimet.

Sipas tij, përpjekja për të rritur transparencën duhet të jetë e vazhdueshme, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të informohen dhe të verifikojnë vetë të dhënat.

““Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe respekti për qytetarin materializohet dhe në formën e vetëdijes. Në kushtet e presionit të përgjithshëm mbi ekonominë, që s’ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por ka përfshirë mbarë botën për shkak të rritjes së kostove në tërësi, janë karakteristikë e të gjitha vendeve.

Duhet bërë një hap përtej asaj vije, për atë që shet dhe atë që blen. Duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë mundësi.

Tashmë në këtë platformë do të prezantohen shumë oferta, por deri në një vit do të ketë 1 mijë artikuj me ulje. Ligji parashikon dhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim. Përpjekja jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme, mirëkuptimi.

Duam ta çojmë në një nivel tjetër transparencën në çdo sektor dhe në çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjeve, në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme.

Është mbushur jeta jonë me shumë pasqyra që i kemi të gjitha te sipërfaqja digjitale e telefonit. Çfarë nuk na del para dhe çfarë s’dëgjojmë, dhe shpeshherë biem pre e manipulimeve, e gënjeshtrave dhe gjysmë të vërtetave të gënjeshtrave më të mëdha. Krijimi i kësaj platforme, ku shteti është i aksesueshëm, ku njihesh me fakte, jo me fjalë dhe retorikë, është i domosdoshëm në këtë kohë.”, tha Rama.

9 drejtues në 13 vite/ Burgjet nuk janë ‘kafshatë’ e lehtë për zyrtarët, nga Artur Zoto te Adratik Kupi që dha sot dorëheqjen

0

Drejtoria e Burgjeve, një institucion me rëndësi të veçantë në vendin tonë, nën varësinë e ministrisë së Drejtësisë, ka njohur shpesh ndryshime të drejtuesve të saj, më i fundit Adriatik Kupi, që njoftoi dorëhejen pas rreth 7 muajve në detyrë. Që nga viti 2013, sistemi i burgjeve ka ndryshuar 9 drejtues, ndërkohë që akuzat [ër favorizim të të dënuarve VIP kanë qenë vazhdimisht prezente. Drejtuesi më jetëgjatë i Burgjeve ka qenë Artur Zoto,me rreth 3 vite në detyrë, ndërkohë që drejtuesi më jetëshkurtër rezulton Arjan Hoxha.

DATAT E MARRJES SË DETYRËS NGA 9 DREJTORËT NË 13 VITE

5 tetor 2013: Artur Zoto

16 korrik 2016: Miklovan Kopani

25 maj 2017: Arjan Hoxha

20 korrik 2017: Arben Çuko

3 shtator 2018: Stefan Çipa

6 shkurt 2019: Agim Ismaili

20 dhjetor 2021: Admir Abrija

13 mars 2024: Klevis Qose

Prill 2026: Adriatik Kupi

Artur Zoto ishte drejtori i parë i emëruar pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Ai mori detyrën më 5 tetor 2013 dhe qëndroi deri në korrik 2016, rreth dy vjet e nëntë muaj, duke regjistruar një nga mandatet më të gjata në këtë periudhë.

Zoto u përball më pas me një çështje penale për korrupsion lidhur me tenderat e ushqimeve në burgje. Ai u dënua në shkallën e parë, por në shtator 2018 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli të pafajshëm, duke vlerësuar se provat nuk ishin të mjaftueshme për dënim.

Në korrik 2016, në krye të institucionit u emërua Miklovan Kopani, i cili qëndroi rreth dhjetë muaj. Në maj 2017, vendin e tij e zuri Arjan Hoxha, mandati i të cilit zgjati vetëm rreth dy muaj, në një periudhë kur në vend po zhvilloheshin negociata politike që çuan në marrëveshjen Rama-Basha.

Në korrik 2017, drejtimi i Burgjeve iu besua Arben Çukos, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe ish-komandant i Gardës së Republikës. Ai qëndroi në detyrë pak më shumë se një vit.

Në tetor 2018, Çuko u arrestua nën dyshimet për korrupsion pasiv, lidhur me pretendimet se kishte marrë para në këmbim të lejeve për të dënuarit. Ai i mohoi akuzat dhe, sipas raportimeve të mëvonshme, në janar 2020 u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.

Pas largimit të Çukos, në shtator 2018, në këtë detyrë u emërua Stefan Çipa, ish-kryetar i Bashkisë së Sarandës dhe ish-ministër i Brendshëm. Ai qëndroi rreth pesë muaj në krye të institucionit, përpara se në shkurt 2019 drejtimi t’i kalonte një tjetër emri.

Agim Ismaili u emërua drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve më 6 shkurt 2019 dhe qëndroi në këtë detyrë deri më 20 dhjetor 2021. Me afro dy vjet e dhjetë muaj në post, ai ishte ndër drejtuesit me mandatin më të gjatë gjatë kësaj periudhe.

Gjatë drejtimit të tij, Ministria e Drejtësisë njoftoi disa herë për inspektime në institucionet penitenciare, me fokus sigurinë, trajtimin e të burgosurve dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara. Në shtator 2020, ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kërkoi që masat kundër abuzimeve dhe kontrollet për sigurinë të mos dobësoheshin gjatë pandemisë.

Në dhjetor 2021, drejtimin e mori Admir Abrija, i cili më herët kishte mbajtur detyra në administratën publike dhe në strukturat e Policisë së Shtetit.

Gjatë periudhës kur Abrija drejtonte Burgjet, në nëntor 2023, ndodhi një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit brenda sistemit penitenciar: vrasja e Arben Lleshit dhe plagosja e Indrit Shaqjas në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Për ngjarjen u akuzua i dënuari Sokol Mjacaj.

Abrija u largua nga detyra në mars 2024, kur në krye të institucionit u emërua Klevis Qose. Ky i fundit qëndroi në detyrë deri në prill 2026. Para këtij emërimi, ai kishte drejtuar Shërbimin e Provës dhe strukturën e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Gjatë mandatit të tij, një tjetër ngjarje që ngriti pikëpyetje për sigurinë ishte arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, në janar 2026, ku ishte dërguar për vizitë mjekësore nga burgu. Rrethanat dhe përgjegjësitë për këtë rast duhen trajtuar veçmas nga kronologjia e emërimeve.

Në prill 2026, Qose u largua nga detyra dhe u zëvendësua nga Adriatik Kupi, i cili u prezantua nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Sipas njoftimit zyrtar, Kupi ka përvojë të mëparshme në strukturat teknike e operacionale të sektorit energjetik dhe në Policinë e Shtetit. Tashmë do të jetë sërish ministri Gogu ai që do të bëjë propozimin për drejtuesin e ri të Burgjeve, që duket se nuk është një detyrë e lehtë për asgjë prej zyrtarëve, pavarësisht eksperiencave të mëparshme që kanë pasur në sistem. /SHEKULLI

Jep dorëheqjen drejtori i Përgjitshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi

0

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra, pas shtatë muajsh në drejtimin e këtij institucioni. Përmes një reagimi publik, Kupi ka bërë të ditur vendimin, duke u ndalur te sfidat e hasura gjatë kësaj periudhe, objektivat e punës së tij dhe kritikat me të cilat është përballur.

Në mesazhin e lamtumirës, Kupi e përshkruan këtë periudhë si të vështirë, për shkak të problemeve që, sipas tij, kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendime të vështira. Ai thekson se është përpjekur t’i përballojë këto përgjegjësi me angazhim maksimal.

Gjatë drejtimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Kupi thotë se fokusi i punës ka qenë forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar. Ai përmend gjithashtu rritjen e përgjegjshmërisë, profesionalizmin e punonjësve dhe përmirësimin e kushteve për personat që vuajnë dënimin.

Një pjesë të reagimit, drejtori në largim ia kushton edhe kritikave dhe kundërshtimeve gjatë ushtrimit të detyrës.

Reagimi:

Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.

Për mua kjo nuk ishtë një përiudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjesi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.

Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.

Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.

Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.

Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.

Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.

Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.

Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.