Ballina Blog Faqe 17

Përplasjet brenda PS, Braçe: Duan të më eliminojnë politikisht

0

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj publikimit të diskutimeve të tij dhe Edi Ramës në media, duke deklaruar se kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta “poshtëruar” dhe për ta eliminuar politikisht brenda Partisë Socialiste.

I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Braçe u shpreh se publikimi i komunikimeve të brendshme nuk është rastësi, por pjesë e një lufte të brendshme në Grupin Parlamentar.

“I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë. Për mua është shumë e rëndë. Edhe ajo që ka dalë nga mbledhja e grupit është transformuar dhe hedhur në publik. Nuk është ashtu si është paraqitur. Është ta nxjerrësh për ta vrarë tjetrin politikisht”, tha Braçe.

Sipas tij, personi që ka nxjerrë mesazhet synon ta largojë nga ndikimi brenda Grupit Parlamentar, pasi e konsideron rival.

“Ai që e ka nxjerrë këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar një njeri që e sheh aty prej vitesh, që e konsideron konkurrent dhe e ka problem. Unë nuk kam problem me qenien e atij. I konsideroj kolegë”, u shpreh deputeti socialist.

Braçe kujtoi edhe një rast të mëparshëm, kur pas incidentit me hedhjen e vezëve ndaj deputeteve socialiste kishte kërkuar në grupin e brendshëm që të njoftohej policia. Edhe ai mesazh, sipas tij, u publikua më pas në media dhe u interpretua politikisht.

“Nuk është vetëm ndaj meje kjo sjellje. E kanë pësuar edhe të tjerë si unë dhe guxojnë ta bëjnë. Këto interpretohen si përpjekje për eliminim. Ja, kjo më bën të them se ka luftë të brendshme në PS”, deklaroi Braçe.

Dosja “Balluku”/ SPAK firmos disa urdhër-kontrolle, BKH zbarkon në banesa e zyra

0

SPAK ka firmosur disa urdhra kontrolli në kuadër të hetimit ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zbarkuar në banesa, zyra dhe ambiente të tjera, me qëllim zbatimin e urdhrave të miratuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake.

Kontrollet po kryhen në kërkim të provave të reja, pasi gjatë hetimeve janë ngritur dyshime për elementë të tjerë që lidhen me çështjen.

Veprimet hetimore vijnë në një kohë kur SPAK ka vendosur zgjatjen me tre muaj të hetimeve për Ballukun, e cila është ftuar të paraqitet më 31 korrik në Prokurorinë e Posaçme. Megjithatë, ish-ministrja ka kërkuar një datë tjetër, duke pretenduar se ka angazhime të tjera.

Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për veprat penale të dyshuara të korrupsionit, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Mesazhet me kryeministrin, Kryemadhi për Ramën: E kam “zemër”, do vijë si dëshmitar në gjyqin tim!

0

Monika Kryemadhi deklaroi se dosja e saj dhe ish bashkëshortit, Ilir Meta është një histori që nuk ka pasur qëllim zbulimin e të vërtetës, por eliminimin politik.

Në përfundim të seancës së sotme, Kryemadhi u ndal për mediat, ku foli edhe për mesazhet që ka shkëmbyer me Edi Ramën, që janë edhe pjesë të dosjes hetimore.

Kryemadhi u pyet nëse Ilir Meta u bë xheloz për Edi Ramën, pasi ky i fundit në një moment e ka quajtur atë “zemër”. Ish deputetja tha “shumë veta i thonë zemër”, ndërsa theksoi se Edi Rama do jetë dëshmitar në dosjen e saj.

Kryemadhi: Mënyra si është ngritur e gjithë përralla e çështjes Meta-Kryemadhi është një histori që nuk ka pasur si qëllim zbulimin e të vërtetës, as luftën kundër korrupsionit, por ka pasur linçimin dhe eliminimin politik.

Pyetje: Ju lexuat mesazhet me Ramën, ku ai në një moment ju quan “zemër”, mendoni se është bërë xheloz ish bashkëshorti juaj?

Kryemadhi: Po le të bëhet me motra, sa veta më thonë “zemra” mua ca problemi ka. Ashtu të më thonë të gjithë zemra.

Pyetje: Pse e kërkoni Ramën për dëshmitar?

Kryemadhi: Po e kam zemër…Problemet e mia me Edi Ramën vazhdojnë edhe te ligji i minierave. Kështu që “zemra” ime do vijë dëshmitar te gjyqi im.

Artan Hoxha: Rama është i dënuar nga sistemi që ndërtoi vetë

0

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘A Show’ në SYRI TV, ka bërë një analizë të zhvillimeve të fundit politike në vend, duke u ndalur te protestat kundër qeverisë Rama, raportet e pushtetit me krimin e organizuar dhe kontrollin mbi ekonominë.

Hoxha deklaroi se dalja e qytetarëve në protestë ishte një moment që, sipas tij, surprizoi edhe vetë organizatorët, pasi në shesh u shfaq një shtresë shoqërore që kishte munguar prej kohësh në skenën publike.

Gazetari tha se një nga problemet më të mëdha të qeverisjes aktuale është ajo që ai e cilësoi si bashkimi i pushtetit me strukturat kriminale. Kjo situatë ka krijuar një sistem ku çdo veprim i qeverisë kthehet në kosto politike, tha Hoxha.

Përqendrimi i madh i ndërtimeve në Tiranë është një tregues i mënyrës se si është shpërndarë ekonomia. ‘Mund të përballemi me një krizë më të rëndë se vitet ’90’, tha gazetari Artan Hoxha.

‘Duke qenë një vend i vogël, ata, kur them ata, aleatët e mëdhenj, shikojnë, e mbështesin stabilitetin apo burokracinë. Pra, sepse ne këtu i kemi pasur, me flamingot e Shqipërisë, e tani u kujtuan për flamingot ata.

Këtu i kemi pasur pelikanët kaçurrelë ne. Pra, pse po prisnim ne sot të na thoshin ata? Gjithsesi, Rama u shfaq sot shumë i pafuqishëm në dy javët e para që doli Tirana dhe doli qyteti. Dhe doli shtresa e mesme, dolën profesionet e lira, pra njerëz që nuk i trysnonte dot.

Pra, në ditët e para as s’ia kishte kote. Edhe ata që thirrën protestën u habitën, të paktën ditën e parë, ditën e dytë, ditën e tretë, me masivitetin. Nuk e prisnin, askush nuk e mendonte që do dilte Tirana në shesh.

Dhe dalja e Tiranës në shesh i kapi gafil të gjithë. Pra, qyteti doli, e mbështeti dhe tregoi pakënaqësinë. Më në fund, ai elektorati gri që na mungonte ne gjithmonë e që s’e gjenim, e pamë në shesh, ishte aty. Tani jemi në fazën, si do ta formalizojmë ne të gjithë këtë? Ta kthejmë në një të mirë, e cila na përkthehet në votë, në zgjedhjet e ardhshme.

Tani Rama është i dënuar, nuk ikën nga pushteti. Ndryshe nga ç’kemi ngulur e themi këtë gjënë, nuk është se Rama kryeministri që jep dorëheqjen dhe ikën. E di pse? Se s’ka ku të iki. Pra po të kishte ku të ikte, dëgjohen herë pas here përfaqësues të opozitës që thonë ‘jo do shkojë te Putini’, ‘jo do shkojë në Arabi’… nuk ka ku ikën ai fare.

Ai është i dënuar tani për shkak të asaj që ka krijuar. Pra ai është njeriu që krijoi sistemin, ai është njeriu që krijoi monstrën. Monstra në fund do ta hajë vetë. Se e dimë, të gjithë bosët e krimit, kush i vret në fund? Shoferi i vet. Pra, për fat të keq shikojmë dhe Erdoganin i jep edhe një pistoletë në atë… pistoletë prej vërteti.

Por ajo që kemi… problemi që kemi ne sot, sepse u lidh pashmangshmërisht krimi i organizuar. Thashë edhe nga e çoi atje, sepse akuza më e madhe, më e rëndë që ka kjo qeveri sot, është pikërisht simbioza që ka krijuar me krimin e organizuar.

Lidhja, dhe aty i ka bërë pis të gjithë, ka bërë pis dhe s’e lë njeri të dalë. Pra, çdo gjë që ai prek sot, të keni parasysh, ndonëse shqiptarët e nxorën për PR, i kthehet kundër. Pra, çdo gjë që ai prek sot i kthehet kundër. Është fiks si ajo batuta e sherifit, çdo fjalë që thotë nga ky moment do përdoret kundër tij në proces. Ne në këtë moment, çdo minutë që kalon, është në dëm të vendit. Çdo ditë që kalon përkthehet në muaj dhe vite.

Më mbaj mend, Ahmetaj e thoshte që ‘pasojat do t’i vuajmë për 60 vjet’ të kësaj që ka ndodhur në vend. Unë mendoj mbase dhe më shumë. Sepse kemi krijuar pa dashur një sistem i cili ka deformuar demokracinë po e po, ka deformuar njeriun, shoqërinë, të gjithë. Kemi qenë të shtrembër ne, po tani jemi bërë kështu, lavjerrës fare, as këtu, as nga shkojmë.

Dhe mbi të gjitha, ai krijoi një sistem kontrolli mbi paranë dhe mbi pasurinë e këtij vendi, e cila do të jetë shumë e vështirë që të arrihet në një kohë të shkurtër të kthehet në vijën e drejtë. Pra, sot po ta shikosh në këtë vend, ku kalojmë ne?

Tek kontrolli i pushtetit dhe te kontrolli i parasë. Ata janë bërë bashkë, nuk i ndajmë dot. Dhe papritmas, i shohim, kaq ton kapen në një vend, unë hipi gjithmonë te loka aty dhe shoh një vinç s’ndalon së rrotulluari. Po një vinç s’ndalon së rrotulluari, shtatëdhjetë të tjerë lëvizin dhe rrotullohen.

Kështu që ne do të kemi parasysh këtë teorinë e vinçave, se e kam ditur e kam mësuar në Dubai… 85% e vinçave të Shqipërisë janë në Tiranë. Pse janë në Tiranë? Se këtu është… Pra ne, sa më parë duhet të gjejmë një zgjidhje, duhet ta bëjmë vetë. Formën, si e qysh, unë nuk jam politikan, kontribuoj sa mundem për t’u hapur sytë njerëzve, për ta kuptuar që shiko, jemi në zgrip, jemi në pikë të hallit.

Ka të ngjarë që shembja e ngrehinës dhe e vetë monumentit që ka ngritur kryeministri të na marrë dhe ne me vete, të na zërë poshtë, të na fundosë të gjithëve, dhe të na çojë në një krizë ekonomike që do vuajmë pasojat shumë herë më të rënda se 90-ta apo se 97-ta.’, tha ndër të tjera gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.

Të rinjtë protestë para SPAK-ut: Heshtja nuk është provë pune

0

Të rinjtë kanë zhvilluar për të tretën ditë radhazi një protestë simbolike përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar transparencë dhe reagim nga institucionet e drejtësisë.

Me pankarta në duar dhe me gojën e mbyllur, protestuesit kanë përcjellë mesazhin e tyre kundër heshtjes institucionale.

Një nga pankartat kryesore të mbajtura prej tyre kishte mbishkrimin: “Heshtja nuk është provë pune”.

Ndërkohë ditën e sotme SPAK thirri për t’u paraqitur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe të pandehurit e tjerë në dosjen që lidhet me tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, duke ju theksuar të paraqiten me avokat.

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku thirret në SPAK

0

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si edhe të pandehurit e tjerë në dosjen që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, për t’u paraqitur pranë organit të akuzës të shoqëruar nga avokatët e tyre.

Procesi ka nisur këtë të mërkurë me paraqitjen e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai mbërriti në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ende nuk është e qartë nëse të pandehurve do t’u komunikohet zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, apo nëse bëhet fjalë për një tjetër veprim procedural në kuadër të çështjes.

Në listën e personave të thirrur është edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, çka ka ngritur dyshime se SPAK mund të ketë regjistruar një procedim të ri penal ose të jetë drejt komunikimit të akuzave të reja ndaj zyrtarëve nën hetim.

Organi i akuzës nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar mbi natyrën e këtyre veprimeve procedurale.

PD çon në Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të për kredinë 302 milionë dollarë

0

Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin ratifikues të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se ai bie ndesh me Kushtetutën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se marrëveshjet strategjike nuk mund të miratohen duke shkelur Kushtetutën.

Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare.“, tha Bardhi.

Ai theksoi se Partia Demokratike e mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-të, e cila sipas tij, i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, por shtoi se nuk pajtohen me procedurën që ndoqi Partia Socialiste për ratifikimin e saj.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë“, tha ai.

Sipas tij, ligji përmban shtatë shkelje kushtetuese dhe kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e tij.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota të socialistëve, këtë të hënë, 27 korrik 2026 marrëveshjen e huasë me SHBA-të, ndërsa PD e bojkotoi seancën.

Marrëveshja parashikon një hua në vlerën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë, në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak.

Deklarata e plotë e Gazment Bardhit:

Gjatë seancës plenare të ditës së hënë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, paralajmërova zyrtarisht se procedura e ndjekur nga shumica për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Paralajmërova gjithashtu se, nëse mazhoranca do të këmbëngulte në këtë rrugë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky paralajmërim nuk ishte për të bërë politikë. Ishte një paralajmërim real dhe i sinqertë. Ai ishte përpjekja e fundit për të ndaluar shumicën parlamentare që të mos përfshinte edhe marrëdhënien më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në një procedurë antikushtetuese.

Opozita kërkoi gjatë gjithë seancës respektimin e afateve kushtetuese, të drejtës së deputetëve për t’u njohur me aktin që votonin dhe të standardeve që vetë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vetëm pak muaj më parë në vendimin e saj për procedurat parlamentare dhe Rregulloren e Kuvendit. Paralajmëruam se një procedurë e tillë nuk e zgjidhte urgjencën që pretendonte qeveria, por vetëm sa do ta zgjaste atë, sepse do ta bënte të pashmangshëm kontrollin kushtetues të saj.

Edhe përpara seancës, në komunikime institucionale me Kryetarin e Kuvendit, kërkuam që kjo rrugë të mos ndiqej. Kërkuam të respektoheshin afatet, të mos mohoheshin disa të drejta kushtetuese për deputetët, përfshirë të drejtën për t’u njohur me projektligjin. Për të qenë i sinqertë deri në fund, më duhet të pohoj se, në këto komunikime, morëm mirëkuptim nga Kryetari i Kuvendit për shqetësimin e ngritur. Për fat të keq, në fund nuk vendosi as Kushtetuta, as arsyeja, as mirëkuptimi. Vendosi urdhri politik i Edi Ramës, duke e kthyer edhe një herë Kuvendin në noter të vendimeve të qeverisë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë.

Fatkeqësisht, ne ndodhemi në këtë situatë për shkak të dështimeve të vetë qeverisë. Për vite me radhë, qeveria e Shqipërisë, nën drejtimin e Edi Ramës, nuk përmbushi angazhimet e Shqipërisë ndaj Aleancës. Në vend të objektivit minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shpenzimet reale mbetën rreth 1.6%, duke e vendosur Shqipërinë në një pozitë të vështirë përballë aleatëve dhe duke krijuar deri edhe pikëpyetje serioze mbi përmbushjen e angazhimeve që lidhen me antarësimin në NATO të Shqipërisë.

Nuk na habit fakti që qeveria e Edi Ramës nuk i përmbushi për vite me radhë detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, sepse, për vite me radhë në opozitë, Edi Rama udhëhoqi protesta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Prandaj, si forca politike që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Atlantike, Partia Demokratike nuk pranon leksione nga askush për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara apo për përkushtimin ndaj NATO-s.

Pikërisht sepse këto marrëdhënie janë jetike për sigurinë kombëtare, ne nuk do të pranonim kurrë që marrëveshja më e rëndësishme e viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes të miratohej në shkelje të Kushtetutës. Ky ishte edhe thelbi i qëndrimit tonë gjatë seancës plenare. Sepse problemi nuk është marrëveshja, të cilën edhe sot pas miratimit antikushtetues nuk e njohim se cfarë përmban. Problemi është mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen.

Për këtë arsye, kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Është një çështje kushtetuese. Është një cështje për të mbrojtur dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, institucioneve të saj demokratike dhe thelb vetë imazhit të shtetit shqiptar në botë.

Thomas Jefferson thoshte se: “Mjafton një hap përtej kufijve që Kushtetuta i ka vendosur pushtetit, që ai të hyjë në një territor pa kufij.”

Fatkeqësisht, edhe në këtë rast. ky hap u hodh nga mazhoranca dhe çështjen e bën akoma më shqetësuese fakti se kjo ndodhi vetëm pak muaj pasi vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për Rregulloren e Kuvendit, kishte vendosur standarde të qarta për përdorimin e procedurës së përshpejtuar dhe mbrojtjen e të drejtave të deputetëve. Në vend që ta zbatonte atë vendim të muajit shkurt, shumica zgjodhi të përsëriste të njëjtën praktikë që Gjykata sapo e kishte shpallur antikushtetuese. Duke injoruar jo vetëm deputetët, Kuvendit, por edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Për grupin parlamentar të PD respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e autoritetit të kësaj gjykate, por mbi të gjitha me vetë themelet mbi të cilën është ngritur Republika Parlamentare.

Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese. Meqenëse kjo është një çështje me natyrë juridike, do të përpiqem t’i shpjegoj ato me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo qytetar.

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

Nuk bëhet fjalë për një problem që nuk kishte zgjidhje. Legjislacioni shqiptar ofron mekanizma për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar pa cënuar kërkesat kushtetuese për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare. Qeveria zgjodhi të mos i përdorte ato. Ky nuk është thjesht një gabim procedural. Është një mënyrë qeverisjeje që e bën të atakueshme vetë marrëveshjen dhe e ekspozon Shqipërinë përballë partnerit të saj strategjik si një vend aleat joserioz, që nuk qeveriset sipas Kushtetutës, por sundohet sipas interesit politik të Kryeministrit.

Pikërisht mbi këto argumente, të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese dhe në jurisprudencën më të fundit të saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar kontrollin kushtetues të procedurës së ndjekur nga Kuvendi. Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij.

Qëllimi ynë është të mbrojmë kushtetutshmërinë në vend dhe që marrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të miratohet sipas Kushtetutës, me një procedurë të rregullt parlamentare, në përputhje me standardet që vetë Gjykata Kushtetuese ka vendosur për Kuvendin. Nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton këtë çështje me përparësi, ne mund ta miratojmë së bashku marrëveshjen, pasi të njihemi me përmbajtjen e saj, edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe duke siguruar mbështetjen e plotë politike që një marrëveshje e tillë strategjike meriton.

Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk forcohet duke mohuar dhe shkelur Kushtetutën. Ajo forcohet duke respektuar shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe standardet që përbëjnë themelin e demokracive perëndimore. Shqipërisë i duhet standardi i Kongresit Amerikan, jo standardi i Taulant Ballës.

Marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara meritojnë shumë më tepër sesa të përfaqësohen përmes akteve antikushtetuese të Edi Ramës.

Po drejtonte avionin duke folur me nënën në telefon, zbardhet dëshmia e Ermal Beqirajt pas arrestimit

0

Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen e “AKSHI”-t, u arrestua dje në Francë. Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin në Shqipëri, pasi ndaj tij është lëshuar masa “arrest me burg” nga Prokuroria e Posaçme.

Raportohet se Ermal Beqiraj u arrestua në Normandi, në veri të Francës, pasi u konstatua duke fluturuar me një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly. 

Ai kishte zbritur nën lartësinë minimale të lejuar në këtë zonë të konsideruar të sigurisë së lartë. 

Kur është ndaluar nga Forcat franceze Ajrore, Beqiraj gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente teksa po drejtonte avionin, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon.

Por, përgjigjet e tij krijuan dyshime të policia e për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare, u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiri.

Dy muaj protesta, Gonxhja: Gjenerata Z të lexojë më shumë, ne i dimë hallet e qytetarëve

0

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zgjedhur një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur protestës 59-ditore kundër qeverisë: jo me përgjigje për shqetësimet e qytetarëve, por me një këshillë për të “lexuar më shumë”.

I ftuar në emisionin “Quo Vadis”, Gonxhja deklaroi se protestuesit duhet të kuptojnë historinë ekonomike të Shqipërisë dhe se vendi nuk mund të krahasohet me shtetet e Bashkimit Europian, pasi sipas tij qeveria ka pasur përpara “gropa financiare” për të mbyllur.

Ministri tha se shqetësimet e qytetarëve njihen nga qeveria, por sipas tij zgjidhja nuk vjen menjëherë, pasi fillimisht duhen “mbushur gropat” e trashëguara ndër vite.

Ndërkohë, për protestuesit që prej 59 ditësh dalin në rrugë, Gonxhja përdori një tjetër argument të njohur tashmë nga mazhoranca: sipas tij, protesta nuk është thjesht pakënaqësi qytetare, por mund të ketë edhe ndikime të huaja.

Duke folur për tubimet para Parlamentit dhe Kryeministrisë, ministri akuzoi disa pjesëmarrës se kanë përdorur gjuhë të ashpër dhe tha se policia ka detyrë të reagojë kur cenohen institucionet.

Por mesazhi që ra më shumë në sy ishte ai drejtuar brezit të ri. Gonxhja tha se “gjenerata Z duhet të lexojë më shumë”, duke lënë të kuptohet se një pjesë e kritikave ndaj qeverisë vijnë nga mungesa e njohurive historike dhe ekonomike.

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë përgjigje për korrupsionin, ekonominë, pronat dhe mënyrën e qeverisjes, ministri zgjodhi t’u kujtojë atyre rrugët e Greqisë, problemet e vendeve të tjera dhe “gropën” e pensioneve.

Pjesë nga biseda:

Gonxhja: Duhet t’i themi ne gjeneratës Z se kanë ende kohë të lexojnë më shumë. Shqipëria ka shumë pak vite me CV ekonomike, nuk mund të krahasohet me vende që kanë qenë koloni. Janë vende që sot janë boshti i BE-së. Ne sot duhet të aplikojmë standarde për Shqipërinë që nuk i kanë aplikuar Bullgaria, Rumania e as Greqia. Të më thonë shqiptarët nëse komisariatet, institucionet dhe allishverishet që kishte dhe ka Greqia sot, a mund të ishin ato standardet e BE-së. Kanë qenë arsye gjeopolitike arsyet që u pranua Greqia. Kanë qenë standarde më të ulëta atëherë për pranimin në BE. Sot ka standarde më të larta. Nuk ka absolutisht standardi i sotëm që plotësojmë, krahasuar me vendet rreth nesh. E dini çfarë bëhet me standardet e BE-së? Të shkoje nga Selaniku në Igumenicë, ka qenë si të shkoje në Dakar në rrugët e tyre. Deri vonë Greqia ka qenë copë-copë në infrastrukturë. Ne e kuptojmë që mund të jemi të qartë se duam të jetojmë më mirë, por gropa e pensioneve ishte 1 miliard euro. E kemi ende në rrezik.

Gonxhja: Për pak kohë isha ministër i Ekonomisë. Gropa që kishin lënë paraardhësit e mi, kolegët e PD-së, ishte një skemë pensionesh.

Borakaj: Si e shikoni këtë protestë?

Gonxhja: Sot ka çuna me maska, që unë i kam portretizuar dhe kam thënë se kur bllokon hyrjen e Parlamentit dhe godet institucionin, duhet ta marrësh me mend që policia do të bëjë çdo lloj presioni që të mos e godasësh.

Borakaj: Dje ka qenë si shtetrrethim?

Gonxhja: Nuk flas për dje, flas për fillimin, kur gjuhej nga rreshti i dytë me gurë dhe me xhama. Në rreshtin e dytë ka nga ata që në podkastet e tyre thonë: “Më 28 do e vrasim”. Ne e hapëm rrugën një herë, dy herë, dolëm nga mbrapa, duke u prishur punë bizneseve.

Borakaj: Do të dilni nga mbrapa edhe në shtator?

Gonxhja: Ajo që është për t’u keqardhur është që Tirana, në vend që në qershor të ishte në kulmin e sezonit turistik, zgjeron perimetrin e sigurisë. Çfarë jemi duke bërë? Jemi një vit e gjysmë larg, gati për të hyrë në BE. Një vend që fut prizën në BE është i automatizuar. Do të doja shumë që kjo të ishte një keqkuptim i madh, papjekuri.

Borakaj: Çfarë ka mbrapa?

Gonxhja: Unë nuk jam ministër i Brendshëm. Ne jemi dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur më parë me interesat e Iranit. Kemi vende në Ballkan që thonë se Kosova është e tyre. Ka rryma në Ballkan që janë gati ta destabilizojnë rajonin. Adriatiku mbyllet dhe kurorëzohet duke u bërë pjesë e BE-së. Bëhet një mbyllje e një unaze, si në ato filmat që shohim. Mbyllet një unazë që e çon Shqipërinë atje ku i takon. A ka ndonjë defekt Shqipëria? Pse, se nuk e dimë ne? Do të na e thotë brezi Z. Ju thashë që gropa financiare ishte 1 miliard euro.

Borakaj: Sa është sot?

Gonxhja: Sot është gati 150 milionë euro. Pjesën tjetër çdo vit e mbulonte shteti. Nëse llogarit sa humbte shteti në deficit, shteti ka dhënë miliarda. Nuk mund të na bëjë askush…

Borakaj: Sa janë rritur pensionet, krahasuar me çmimet?

Gonxhja: Po nëse nuk mbush gropën, nuk mbahet shtëpia. Kjo shtëpi, po nuk investoi në paga, në ekonomi, aty ku rikthehet ekonomia, po nuk mbushe gropën, nuk arrin te pika zero, nga ku duhet të fillosh të rrisësh pensionet.

Adnan Xholi, kandidati i parë në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm

0

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, është kandidati i parë që ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për garën për Prokuror të Përgjithshëm. Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 1 gusht, ndërsa mandati i Olsian Çelës mbyllet në muajin dhjetor. Adnan Xholi është kandidati i parë që ka shprehur interes për garën për Prokuror të Përgjithshëm.

Xholi ka kandiduar edhe më parë dy herë për drejtues të SPAK-ut dhe ka mbajtur postin e shefit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme. Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë.

Më pas, deri më 14 gusht, KLP do të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kushtet ligjore. Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.