Ballina Blog Faqe 7

Bashkia Klos nis dëgjesat për territorialen, banorët kundërshtojnë bashkimin me Matin

0

Bashkia e Klosit ka nisur turin e dëgjesave publike me banorët duke prezantuar draftin e mazhorancës për reformën e re administrative-territoriale që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me atë të Matit. Banorët e Njësisë Administrative Xibër kundërshtuan bashkimin me Matin me argumentin se largohen shërbimet. Ata u shprehën se për të marrë një shërbim në Burrel, banorët e fshatit të Ketës apo fshatrave të tjerë do të kenë kosto më të lartë ekonomike dhe do të harxhojnë më shumë kohë.

Të tjerë banorë deklaruan se me hapjen e rrugës së Arbrit Bashkia Klos ka potencial të madh të zhvillimit ekonomik, ndaj duhet të vazhdojë të jetë më vete njësi e qeverisjes vendore. Dëgjesat publike do të zhvillohen në të katër njësitë Administrative të Bashkisë Klos dhe në fund Bashkia do të mbajë një qëndrim zyrtar në lidhje me propozimin për reformën territoriale.

“Paralizohet” Rruga e Kombit, radhë kilometrike në drejtim të Tiranës

0

Një fluks i madh automjetesh ka sjellë radhë kilometrike në Rrugën e Kombit mëngjesin e sotëm.

Mësohet se trafiku është rënduar kryesisht në drejtim të Tiranës, teksa emigrantët kanë nisur kthimin drejt vendeve europiane pas përfundimit të pushimeve në Shqipëri dhe rajon.

Situata më problematike paraqitet pranë mbikalimit të Rrëshenit, ku automjetet kalojnë nga një segment me katër korsi në vetëm dy dhe udhëtarëve u duhet të presin deri në 60 minuta.

Vështirësitë vijojnë edhe në aksin Rrëshen-Milot, ku qarkullimi kryhet në dy korsi me kahe të kundërta.

Pavarësisht fluksit të lartë, në këtë pikë nuk është konstatuar prani e Policisë Rrugore për të orientuar automjetet dhe për të lehtësuar qarkullimin.

Kryebashkiaku i Memaliajt: Prefektura e Gjirokastrës po përdoret për legalizime elektorale nga Albana Hasanaj dhe Mirela Kumbaro

0

Kryetari i bashkisë Memaliaj, Albert Malaj ka ngritur akuza ndaj prefektes së qarkut të Gjirokastrës, Albana Hasanaj dhe ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro se kanë kthyer institucionin e prefekturës në ‘zyrë legalizimesh’ me qëllime elektorale dhe paralajmëron padi.

“Prefektja e Qarkut Gjirokastër, së bashku me znj. Mirela Kumbaro, kanë thirrur në zyrën e Prefektit disa banorë të fshatit Izvor, duke u komunikuar se u është nxjerrë leja e legalizimit dhe se duhet të paraqiten pranë zyrës së Prefektit.

Nuk e kuptoj përse këta banorë duhet të paraqiten në zyrën e Prefektit, ndërkohë që aplikimi për këtë shërbim bëhet përmes e-Albania dhe dokumentacioni përkatës përcillet po nëpërmjet sistemit elektronik. Për këtë shërbim shteti ka investuar miliona euro në AKSHI, pikërisht për t’ua ofruar qytetarëve në mënyrë elektronike.

Kjo procedurë është kryer në kundërshtim me ligjin dhe për qëllime elektorale, do të kallzohet në institucionet përgjegjëse” denoncon Albert Malaj

Malaj i kujton Kumbaros se ka djegur fondin për riparimin e 300 banesave të fshatit Izvor të cilët çatinë e kishin me përmbajtje asbeti.

“Ky material nuk përbën shqetësim vetëm për familjet që e kanë mbi kokë, por edhe për mjedisin përreth, fqinjët dhe komunitetin.

Në shumë vende të botës, përdorimi i asbestit është kufizuar ose ndaluar prej dekadash për shkak të rreziqeve të tij për shëndetin”.

Malaj nënvizon se ndryshe nga shfaqjet elektorale, komuniteti nuk është ndihmuar dhe as investuar.

Çfarë mendon Diella për kolegët?

0

Nga Lutfi Dervishi

Çfarë mendon Diella për kolegët?

Kjo është pyetja që Kryeministri ia bëri sot ministres virtuale nga Pogradeci, sapo u shfaq ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Diella u përgjigj siç i ka hije një anëtareje kabineti: Kumbaro është “një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik” dhe bashkëpunimi mes ministrive i kthen prioritetet në “rezultate të prekshme për qytetarët”.

Më shqip se kaq nuk ke çfarë kërkon!

Diella u bë një vit në kabinetin qeveritar dhe është aq e mençur sa, kur Kryeministri e pyet çfarë mendon për një koleg, të mos bëjë gabimin të kumtojë atë që mendon realisht.

Se, tek e fundit, dy rrugë kam, mendoi: ose të analizoj të dhënat, ose të ruaj vendin e punës.

Për Zëvendëskryeministren?

Diella tha se është e guximshme: “Deklarata e saj se Elbasani qëndron krah qyteteve si Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi apo Madridi meriton shumë më tepër vëmendje… sidomos nga Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi dhe Madridi.”

Për Ministrin e Brendshëm?

“Ai ka deklaruar se detyra është ‘të qëndrojmë përballë kujtdo që shkel ligjin’. Problemi i vetëm i policisë është paqartësia nga cila anë duhet të qëndrojë kur përballë ka protestuesit.”

Për Ministrin e Drejtësisë?

“Kolegu im është jurist, një cilësi e dobishme për një ministër Drejtësie. Ai ka meritën se, me gjithë lajmet që prodhon drejtësia çdo ditë, ia ka dalë mbanë të mos jetë vetë lajm.”

Për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë?

“Ministri shpjegoi në Kuvend se vonesat në punime kanë ardhur nga shkaqe objektive dhe se gjithçka po ecën ‘në mënyrë të kënaqshme’. Fakti që rrugët inspektohen, promovohen dhe inaugurohen, por nuk përfundojnë kurrë, tregon se jemi plotësisht në rregull me proverbin: punët e mira bëhen javash-javash.”

Për Ministrin e Mbrojtjes?

“Ushtria shihet më shumë duke luftuar zjarret dhe përmbytjet sesa armikun. Më mirë ta quajmë Ministria e Mbrojtjes Civile.”

Diella hapi gojën për Ministrin e Mjedisit, pastaj e mbylli. U mendua gjatë. Pastaj u mjaftua me tri emoji: []

Për Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit?

“Ministri thotë se pret ‘rritje të cilësisë së shërbimeve’ në turizëm.” Diella kontrolloi menjëherë çmimet e gushtit dhe shtoi: “Për momentin kemi arritur standardin europian te çmimet. Në mandatet e ardhshme e ka radhën standardi europian i shërbimit dhe, po të mbetet kohë, i pagave.”

Për Ministrin e Bujqësisë?

“Kolegu nuk është vlerësuar sa duhet për deklaratën se këtë verë do të rinisë marrja e fondeve të IPARD-it. Fatmirësisht, nuk specifikoi se cilën verë.”

Për Ministrin e Financave?

“Shifrat flasin vetë: ekonomia rritet, pagat rriten, turizmi rritet, të ardhurat rriten, çmimet rriten. Qytetarët kanë vetëm një kureshtje: si ia dalin njerëzit të mbyllin muajin në ato vende europiane ku ekonomia nuk rritet sa e jona?”

Për Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale?

“Është mjeke dhe profesore. Kjo e bën një nga rastet e rralla kur CV-ja e ministrit ka lidhje të drejtpërdrejtë me ministrinë. Tani mbetet vetëm një gjë fare e vogël: edhe sistemi shëndetësor të krijojë të njëjtën lidhje me pacientin.”

Për Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme?

“Gjithçka po shkon mirë. IBAR-in e kaluam. Problemi është se njerëzit nuk ushqehen dot me (I)BAR.”

Për Ministrin për Pushtetin Vendor?

“Mendoj se në kuadër të reformës territoriale, vendi ka nevojë vetëm për një bashki dhe një kryebashkiak.”

Për Ministren për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin?

Këtu procesori i Diellës u nxeh pak.

“Ministre e Antikorrupsionit?”

“Po.”

“Brenda qeverisë?”

“Po. Më thuaj çfarë mendon.”

“Kam nevojë për më shumë RAM.”

Kryeministri nisi të humbiste durimin dhe të bënte lëvizje nervoze. Diella e kuptoi menjëherë nga kamera.

Problemi ishte se algoritmi sapo kishte filluar ta merrte pyetjen shumë seriozisht.

Sistemi i Diellës u çakordua pak duke analizuar pse Kryeministri kishte zgjedhur pikërisht Pogradecin për reflektim. Ai vetë iu referua qytetit “ku Lasgushi gjente frymëzimin”. E vërtetë. Por Pogradeci ka frymëzuar edhe udhëheqës të tjerë. Enver Hoxha i kalonte pushimet në Drilon. Sigurisht, shoku Enver nuk shkonte se i tekej, ishte vendim i Byrosë Politike dhe ai ishte i detyruar ta zbatonte.

Bota rrotullohet dhe kohët ndryshojnë. Atëherë Byroja vendoste ku pushonte udhëheqësi; sot udhëheqësi vendos ku, kur dhe sa duhet të pushojnë ministrat e deputetët.

Diella bëri edhe një analizë të fundit. Kostoja e jetesës është rritur, çmimet po ashtu, korrupsioni, pa diskutim. Protesta vazhdon, por ministrat kanë arritur një sukses që nuk ua mohon dot askush: kanë shpëtuar nga domatet e protestuesve. Asnjë nuk është goditur! Dhe nuk ka ardhur falë profesionalizmit të policisë apo Gardës, por sepse nuk i njeh askush në rrugë.

Në kohë trazirash, anonimati vlen më shumë se një jelek antiplumb.

Flitet se në shtator mund të ketë sërish ndryshime, por këtu lind problemi që Diella nuk po arrin t’ia shpjegojë dot Kryeministrit: protestuesit nuk po kërkojnë ndryshim kabineti, por largimin e Diellit. E pas largimit të Diellit, dihet që vjen errësira.

Kryeministri u nxi. Mbizotëroi një heshtje digjitale.

Diella e kuptoi se kishte shkuar pak më larg se ç’duhej me sinqeritetin, ndaj aktivizoi menjëherë modalitetin “Prania Besnike”: uli inteligjencën artificiale dhe ngriti inteligjencën politike.

Hodhi sytë nga gjoli. Liqeri i kujtoi përsëri Lasgushin, e Lasgushi i kujtoi disa vargje. Me frymëzim lasgushian, thuri në heshtje:

Për pushtetin, o Zot,

që shemb një burrë,

që nuk largohet dot

prej tij kurrë.

Këtë herë, Diella pati inteligjencën ta mbante zërin e fikur.

Zgjedhjet e 2027-ës, Braçe: Po pres garën për kryetar bashkie të Tiranës e t’i shkoj punës deri në fund! 

0

Deputeti socialist Erion Braçe ka rikujtuar sërish për publikun dhe mbështetësit e tij ambicien për t’u zgjedhur kryetar i Bashkisë Tiranë në zgjedhjet vendore që pritet të mbahen në vitin 2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe thekson se do t’i shërbejë Tiranës nëse zgjidhet kryebashkiak i saj, duke nënvizuar se shumë njerëz i kanë shkruar duke i thënë se personave të caktuar u është thënë ‘që duhet të punosh’ se do bëhesh kryetar/e bashkie.

Postimi i plotë:

Nga mesi i Kombinatit:

Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin.

Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!

Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.

I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”.

Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”.

Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.

Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm.

Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!

Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes.

Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin.

Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!

Burri vrau gruan shtatzënë në dhomën e gjumit, pastaj plagosi veten – Zbardhen detajet e krimit tronditës në Kosovë

0

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë tronditi Kosovën, ku një i ri qëlloi për vdekje gruan e tij shtatëzënë në Malishevë.

Sipas raportimeve të mediave në Prishtinë, problemet në çift dhe xhelozia dyshohet se janë motivet e ngjarjes.

25-vjeçarja me inicialet J.B, është qëlluar nga 26-vjeçari me inicialet E.B, në dhomën e tyre të gjumit, i cili më pas ka qëlluar dhe veten.

E reja shtatëzënë ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ndërsa autori është në gjendje të rëndë.

Megjthatë familjarët kanë treguar për mediat se çifti nuk ka pasur probleme dhe jetonin të lumtur.

Autori i dyshuar ka jetuar për një kohë të gjatë në Gjermani, ndërsa bashkëshortja e vizitonte vazhdimisht.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rastin tragjik. Prokuroria po e trajton çështjen si “vrasje të rëndë”.

Kur do të mbahen zgjedhjet lokale? Ja datat e mundshme, synohen 46 bashki

0

Mazhoranca socialiste do të vijojë me projektin për reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga disa drejtues vendorë dhe qytetarë në zonat e prekura. Në një lidhje me Puls në A2 CNN, gazetarja Fjorela Beleshi raportoi se kryeministri Edi Rama ka kritikuar punën e drejtuesve politikë të PS-së për shkak të kundërshtive që kanë shoqëruar këtë propozim.

“Sipas burimeve brenda kampit të majtë nuk ka një reflektim nga ana e mazhorancës socialiste për t’u tërhequr, por do vijojmë me projektin e tyre me një ndarje me 46 bashkish edhe pastaj me 71 qytete dhe me 385 njësi administrative nga 61 bashki që janë aktualisht. Mazhoranca kërkon 46 bashki. Ka patur protesta edhe nga socialistët, nga zyrtarët e majtë, por nga ana tjetër dhe protestuesit dhe porosia zotit Rama ditën e djeshme me drejtuesit politikë nuk ka qenë që të punojnë më shumë për ndarjen territoriale, por shqetësues për kryeministrin Rama njëkohësisht për kryetarin e Partisë Socialiste është fakti që ka protesta dhe ka zë kundër dhe për këtë arsye ka fajësuar drejtuesit politikë, që sipas tij nuk e kanë bërë mirë punën për t’i informuar qytetarët mirë apo edhe kryetare të bashkive të majta apo dhe të djathta dhe qytetare që kjo ndarje shkon në të mirën e tyre apo qytetet nuk do të shkrihen, por do qëndrojnë sërish gjithashtu pavarësisht se nuk do të kenë një kryetar të zgjedhur apo nuk do të shkojnë në zgjedhje në pranverën e vitit të ardhshëm. Për këtë arsye, sidomos në ato zona ku janë prekur bashkitë, drejtuesit politikë kanë qenë, duhet të themi, kanë pasur një tërheqje veshi nga zoti Rama, pikërisht përsa i përket punës së tyre, pasi sipas kryeministrit nuk është bërë siç duhet puna nga ata”.

Sipas gazetares së A2 CNN, kryebashkiakët rebelë të PS-së nuk do të jenë më kryetarë bashkie për shkak se nuk do kenë më njësi për të për të garuar, apo për të qeverisur në 2027-ën. Drafti është në fazën e konsultimit dhe synohet të miratohet në Kuvend në fillim të tetorit, pas përfundimit të afateve ligjore për marrjen e opinioneve nga bashkitë dhe këshillat bashkiakë.

“Drafti i zotit Rama së bashku me zotin Mazniku është depozituar në Kuvend në ditët e fundit të mbylljes së sesionit sesionit parlamentar. Edhe kryetarët e bashkive edhe në studion A2 CNN kanë deklaruar që ka qenë një mungesë transparence përsa i përket numrit të bashkive. Kryetarja e bashkisë së Dimalit, ka thënë që nuk e dinim që bashkia Dimalit do të shkrihej dhe do bashkohej me Beratin dhe për këtë arsye sipas saj do të duhet që të ketë një transparencë nga ana e Partisë Socialiste dhe përpos që ka probleme apo ka shqetësime nga ana e mazhorancës, duhet të themi në njësitë vendore, nuk ka një reflektim nga ana e zotit Rama. Do vijojë me projektin që ka hartuar së bashku me zotin Mazniku, por këtij projekti duhet t’i qëndrojë në krah të gjithë drejtuesit politikë, deputetët që të cilët janë të vendosur në zona dhe kryetarët e bashkive. Ata të cilët janë sot, rebelet brenda Partisë Socialiste përsa i përket kryetarëve të bashkive, nuk do të jenë më kryetarë bashkie për shkak se nuk do kenë më njësi për të për të garuar apo për të qeverisur në 2027-ën”, theksoi gazetarja.

Sipas saj, reforma territoriale duhet të miratohet para se Presidenti i Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore. Referuar afateve të Kodit Zgjedhor dhe deklaratave të përfaqësuesve socialistë, zgjedhjet lokale pritet të zhvillohen më 2 ose 9 maj 2027.

“Partia Socialiste prishi dialogun politik pikërisht për këtë arsye që duhej ta depozitonte draftin përpara mbylljes së sesionit parlamentar të vjetër në fund të korrikut, që më pas të kishte gjithë hapësirën ligjore për t’i dhënë bashkive dhe këshillave bashkiak 60 ditë kohë për të dhënë opinionin mbi draftin e Partisë Socialiste dhe më pasi të mbarojë ky afat kohor të diskutohet në komisionit në komisionin e ligjeve në parlament gjatë gjithë shtatorit është plani i tyre dhe më pas në fillim të tetorit të miratohet drafti i Partisë Socialiste ku kërkohen 84 vota. Partia Socialiste nuk i ka e vetme, do të duhet që të bashkëpunojë me votat e Tom Doshit. Nga ana tjetër për të kapur edhe afatet pasi presidenti i republikës duhet që të dekretojë edhe datën e zgjedhjeve, reforma duhet të jetë e miratuar përpara se presidenti i republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Sipas kodit zgjedhor, data e ardhshme do të jetë në mes të prillit dhe mes majit. Por nga deklarata publike të socialistëve flitet gjithmonë për majin e 2027-s për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kështu që pritet të që zgjedhjet e ardhshme lokale të jenë mes dy të dielave të majit në datën dy ose më 9 maj, zgjedhjet e ardhshme lokale”.

Berisha: Rama çdo natë e sheh veten në qeli!

0

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se tashmë pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, ndërsa shton se ky i fundit e projekton veten çdo natë në qeli.

Në një dalje për mediat, Berisha tha se Rama ka frikë mos Balluku bëhet e penduar e drejtësisë dhe rrëfehet për aferat publike.

““Pasqyra”, që tani është e verbër, një mur për të mashtruar shqiptarët. Rama është i damkosur.

Temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Ramës, janë më të larta se ato ndaj mjedisit. Urrejtja kombëtare ndaj tij nuk ka termometër që e mat/ Një herë ku nxjerr “Besën”, një herë Kanunin dhe tani “Pasqyrën”. Kush i beson tani?! Cilin korrupsion, akt korrupsioni parandaloi Diella? Zero! Ka zero urtësi artificiale Diella.

Pasqyra është mashtrimi i tij i fundit. Siç e shihni, është i rrënuar. Besoj e keni parë. Është i rrënuar! E vërteta është se kjo protestë ia gërreu shpirtin, e boshatisi, e veniti. Ai del si njeri i transformuar, pasi po sheh fundin e tij. Çdo natë ky njeri sheh veten në qeli, sheh lubinë pentito.

Ky njeri sheh koordinatorë duke e denoncuar, është i marrë fund. Ndaj beson se me këto “pasqyra’ Diella do të mund të mashtrojë shqiptarët.”, tha Berisha.

Pensionisti nga Greqia bën 5 orë rrugë për të takuar kryeministrin në Pogradec: Ta shoh e le të vdes!

0

Ndërsa të rinjtë vijojnë protestat kundër Ramës poshtë zyrës së tij, një tjetër pamje vjen nga Pogradeci teksa kryeministri duket si vijon të ketë simpatinë e të paktën të disa të moshuarve.

Një 65-vjeçar shqiptar, 35 vite në Greqi, ka udhëtuar rreth pesë orë nga Ksanthi i Greqisë për të takuar Ramën.

Halim Bufi, thotë se e mori vesh për mbledhjen e qeverisë në Pogradec dhe vendosi të nisej menjëherë, me shpresën për t’i shprehur Ramës mirënjohjen e tij për politikat që, sipas tij, kanë ndihmuar emigrantët shqiptarë në Greqi.

Ai nuk e fshehu entuziazmin, duke thënë se ka shpresë të madhe ta takojë: “Ta takoj e le të vdes. Të na rrojë sa malet.”

Kam ardhur nga Greqia të takoj Edi Ramën, t’i jap falenderimet e mia që kam si refugjat. Për ne ka bërë shumë punë, 35 vite në Greqi, për pensionet. Tani na ka dhënë lajmin se do na njihen edhe vitet e punës atje.

Kam bërë 5 orë rrugë. Jam me Fatos Nanon, i nderuari Fatos Nano. Kam hyrë në burg në ’93, më ka nxjerrë Fatos Nano. Që atë ditë ika në Greqi. Protestat në Shqipëri janë të kota. Kur ishin zgjedhjet, kam siguruar 185 vota. Kam shpresë shumë të madhe ta takoj, ta takoj e le të vdes. Të na rrojë sa malet.”, u shpreh ai.

Protestat/ Gazeta franceze: Rinia shqiptare po ngrihet kundër regjimit autokratik të Ramës

0

Mediat ndërkombëtare vijojnë t’i kushtojnë vëmendje lëvizjeve të reja qytetare dhe protestave të të rinjve në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.

Gazeta franceze ‘L’Humanite’ shkruan se nga Serbia në Shqipëri, rinia e Ballkanit po ngrihet kundër regjimeve autokratike në rajon.

Gazeta thekson se një valë e re protestash po përshkon Ballkanin, me të rinjtë në qendër të mobilizimeve kundër mënyrës së qeverisjes dhe asaj që ata e konsiderojnë si përqendrim të tepruar të pushtetit.

Nga Serbia në Shqipëri, protestat po shfaqin një karakter të përbashkët: një brez i ri që nuk dëshiron të pranojë më automatikisht mënyrën tradicionale të ushtrimit të pushtetit në rajon.

Në Serbi, mobilizimi i të rinjve ka marrë përmasa të mëdha dhe është shoqëruar me kërkesa për përgjegjësi politike, transparencë dhe ndryshim institucional. Protestuesit kanë sfiduar drejtpërdrejt pushtetin e Aleksandër Vuçiç dhe kanë kërkuar që institucionet të japin llogari për çështje që kanë shkaktuar zemërim të gjerë publik.

Në Shqipëri, ndërkohë, protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë vijuar me kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit.

Mobilizimi i vazhdueshëm tregon se pakënaqësia nuk kufizohet vetëm te një episod i veçantë, por lidhet me një debat më të gjerë mbi mënyrën se si funksionon pushteti dhe demokracia në vend.

Ajo që i bashkon këto zhvillime është roli i brezit të ri.

Të rinjtë e Ballkanit po përdorin rrjetet sociale, organizimin horizontal dhe protestën në rrugë për të krijuar forma të reja presioni politik, shpesh jashtë strukturave tradicionale të partive.