Ballina Blog Faqe 8

Rihapen regjistrimet për nxënësit e klasave të para dhe të dhjeta, ja deri kur keni afat

0

Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë rihapur regjistrimet në e-Albania për të gjithë nxënësit që ende nuk janë regjistruar. Sipas njoftimit të Ministrisë sistemi do të qëndrojë i hapur deri më 7 shtator 2026.

Aplikimet vlejnë për regjistrimet në klasën e parë, klasën e dhjetë, si dhe në shkollat artistike dhe sportive.

Ministria apelon se prindërit dhe nxënësit duhet të përfundojnë procedurat brenda afatit të përcaktuar.

Njoftimi i Ministrisë

RIHAPEN REGJISTRIMET

Për të gjithë nxënësit që ende nuk kanë përfunduar regjistrimin, rihapen sot aplikimet në e-Albania  dhe sistemi do të jetë i hapur deri më 7 shtator 2026.

Aplikimet do të jenë të hapura për: regjistrimet në klasën e parë;  regjistrimet në klasën e dhjetë;  regjistrimet në shkollat artistike dhe sportive.

Prindër dhe nxënës, mos e humbisni këtë afat dhe përfundoni regjistrimin brenda periudhës së përcaktuar në mënyrë që të mos rrezikojmë regjistrimin në shkollë‼

Mehdi Malkaj nëi bashkohet protestës qytetare: O nëne, nëne, si do ikin këta me brekë nëpër këmbë

0

Aktori Mehdi Malkaj ka mbajtur një fjalim me tone të forta gjatë protestës së 85-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Malkaj ironizoi mënyrën se si, sipas tij, protestuesit po numërohen çdo ditë, duke deklaruar se frika e qeverisë është rritur përballë vijimit të protestave.

“Këta idiotët kanë kaq frikë sa na numërojnë ditë për ditë se sa jemi. Jo vetëm të dorëhiqet, por të heqim edhe dorëvënien”, u shpreh aktori. Ai tha se do të vijojë të jetë pranë protestuesve dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë mundësi t’u bashkohen tubimeve.

“Jam gjithmonë me ju. Kushdo, kush ka kohë për të ardhur duhet të vijë. Sa gjej hapësirë, vij me vrap te ju”, tha Malkaj. Në fund të fjalës së tij, aktori përdori edhe një shprehje ironike për të parashikuar largimin e qeverisë: “O nëne, nëne, si do ikin këta… Do ikin me brekë nëpër këmbë.” 

Ngjarje e rëndë në Malishevë. Çifti gjendet i plagosur në dhomën e gjumit, vdes gruaja shtatzënë

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, 23 gusht, në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur me armë zjarri.

Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ata janë gjetur të plagosur në dhomën e tyre të gjumit.

Të plagosurve u është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas burimeve nga QKUK, 25-vjeçarja ishte 7-muajshe shtatzënë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 26-vjeç, ndodhet në gjendje shumë të rëndë. Ai është i intubuar dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes apo autorin e dyshuar.

Gati 32% e shqiptarëve në pasiguri ushqimore? Çfarë tregon raporti i FAO-s

0

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, vlerëson FAO.

Ndonëse treguesi ka shënuar përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.

Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023–2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.

Brenda grupit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore.

Pasiguria e rëndë lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.

Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë.

Edhe anemia te gratë e moshës 15–49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.

Dieta ditore e shqiptarëve, 70% më e shtrenjtë se në 2017-n dhe 30% mbi mesataren europiane

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë.

Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri në vitin e kaluar, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.

Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO-s, vlera prej 5.16 dollarësh është kostoja minimale ditore e një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri.

Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.

Pavarësisht shtrenjtimit, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë./Monitor

Vrasja e dyfishtë në Dukagjin, zbardhen detaje/ Dy persona i zunë pritë makinës, babë e bir u qëlluan me breshëri

0

Një pritë e armatosur në rrugën e Xhanit në Dukagjin i mori jetën babë e bir, Prelë Gjonit, 82 vjeç, dhe djalit të tij, Lekë Gjonit, 57 vjeç. Në atentat mbeti i plagosur edhe Lazër Bashi, i cili ndodhej rastësisht në automjet.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa viktimat po udhëtonin me një fouristradë nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin në drejtim të Shkodrës. Rreth dy kilometra pas ndarjes së rrugës së Pultit me Shoshin, automjeti është qëlluar me breshëri nga persona ende të paidentifikuar.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë automjetin e bërë shoshë nga plumbat. Shoferi, Lekë Gjoni, humbi jetën në vend, ndërsa bashkë me të u vra edhe babai i tij, Prelë Gjoni. Mjeti përfundoi në anë të rrugës pas breshërisë së armëve.

Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët kanë përdorur të paktën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, çka përforcon dyshimet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën dy persona.

Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, mbeti i plagosur. Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Pas marrjes së njoftimit rreth orës 17:20, në zonë u nisën forca të shumta policie, ndërsa në operacion u angazhuan edhe efektivë të RENEA-s. Për shkak të terrenit të thellë malor, largësisë dhe vështirësisë së aksesit, forcat e Policisë mbërritën në vendngjarje rreth orës 19:00.

Hetuesit kanë nisur kontrollet në zonën përreth për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Terreni i thyer, mungesa e sinjalit telefonik dhe e kamerave të sigurisë në rrugët e zonës e vështirësojnë ndjeshëm punën për gjurmimin e tyre.

Familjarët e Prelë dhe Lekë Gjonit kanë deklaruar para hetuesve se babë e bir nuk njiheshin si persona problematikë dhe nuk kishin dijeni për konflikte të mundshme. Sipas tyre, një ditë para ngjarjes ata kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin drejt banesës së tyre në Grudë të Shkodrës.

Pavarësisht deklarimeve të familjarëve se viktima nuk kishte konflikte, grupi hetimor po verifikon disa pista. Një prej tyre lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit dhe divorcin e tij rreth tre muaj më parë nga bashkëshortja, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që e lidhin divorcin me atentatin dhe kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur motivin, identifikuar autorët dhe dokumentuar dinamikën e plotë të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes.

Pamjet nga vendi i ngjarjes dëshmojnë intensitetin e sulmit, me automjetin e viktimave të goditur nga një numër i madh plumbash, ndërsa autorët kanë mundur të largohen nga zona përpara mbërritjes së forcave të Policisë.

Çfarë ndodhi në takimin 6 orësh të Ramës me drejtuesit politik të PS-së në Pogradec? Zbardhen detajet

0

Nga vila qeveritare në Pogradec, kryeministri Edi Rama nisi sezonin e ri politik për PS, me një mbledhje e cila zgjati në më shumë se gjashtë orë bashkë me drejtuesit politik në 12 qarqe dhe kryetarët e komisioneve parlamentare. Kryeministri Rama mori komentet dhe sugjerimet e drejtuesve politik për pasurimin e dokumentit Besa.

Vizioni kryeministrit për Besën me katër pika bazuar në besim, empati, shërbim dhe angazhim ishin në qendër të diskutimeve. Burime nga kjo mbledhje pohuan se kryeministri Rama është ndalur në rëndësinë që merr në terren bashkëpunimi mes ministrave, deputetëve, drejtuesve politik me drejtorët e drejtorive vendore.

Kjo me qëllimin final përmirësimin e shërbimeve që marrin qytetarët. Mësohet se i pari socialistëve u ka kërkuar drejtuesve politik të nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2027. Drejtuesit Politik, Kryetarët e Komisioneve parlamentare pas largimit nga vila qeveritare iu drejtuan një hoteli në qytetin liqenor për të darkuar bashkë me ministrat.

Ramush Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president të Kosovës

0

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër situatën aktuale institucionale në vend, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e bllokon funksionimin e Kuvendit dhe po e mban Kosovën në krizë politike.

Haradinaj tha se ditët po kalojnë ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, duke e cilësuar këtë si “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.

“Ditët po kalojnë, seanca, Kuvendi është inekzistent. E vërtetë që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, djegie e mundësisë dhe kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit”.

Sipas tij, mos-thirrja e seancës me arsyetimin se mungesa e një marrëveshjeje mund të shkaktojë tensione apo dhunë në Kuvend është vetëm një arsyetim.

“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, institucionet dhe mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor. Mos-thirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi”.

Haradinaj ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar edhe këtë si një “alibi” për zvarritjen e procesit.

Ai ka propozuar një zgjidhje që lidhet drejtpërdrejt me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se vazhdimi i mandatit të tij do të ishte një mundësi për të shmangur mbajtjen peng të vendit.

“Çështja e marrëveshjes për president edhe kjo është alibi që ndodh qëllimshëm.”

“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.

Sezoni i ri politik, Rama takim 2-ditor me ministrat në Pogradec

0

Në nisje të sezonit të ri politik kryeministri Rama pritet të mbledhë ministrat e kabinetit të tij në një takim dyditor në Pogradec.

Të dielën dhe të hënën mësohet se ministrat do të raportojnë për punën e bërë deri më tani, por edhe për prioritetet në vitin e dytë të mandatit të katërt.

Takime të kësaj natyre të cilat konsiderohen informale, kryeministri Rama i ka mbajtur në nisje të çdo sezoni të ri pas pushimeve verore.

Pas këtij takimi pritet që kryeministri Rama pritet të mbledhë në ditët e para të shtatorit edhe asamblenë e Partisë Socialiste, një forum partie të cilin e ka përdorur përgjithësisht për të njoftuar ndryshime në qeveri.

Kjo mbledhje vjen pas një sezoni të vështirë politik, me protesta të vazhdueshme prej më shumë se dy muajsh dhe me thirrjet e vazhdueshme të qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Investigim i “Daily Mail”: Qindra ferma kanabisi në Britani, shqiptarët në qendër të një industrie kriminale prej miliarda paundësh

0

Gjashtë muaj hetime nga tabloidi britanik “Daily Mail” kanë nxjerrë në pah përmasat e rrjetit të fermave të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, ku, sipas investigimit, janë përfshirë qindra shtetas shqiptarë. Gazeta pretendon se ka identifikuar të paktën 450 ferma kanabisi të lidhura me grupe shqiptare në të gjithë vendin, ndërsa shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Sipas investigimit, fermat e kanabisit janë kthyer në një komponent të rëndësishëm të tregut britanik të drogës, i cili vlerësohet në rreth 2.6 miliardë paund në vit.

“Daily Mail” thotë se përllogaritja e 450 fermave është bërë përmes shqyrtimit të të dhënave të policisë dhe raportimeve të mediave lokale e kombëtare. Sipas gazetës, gjatë katër viteve të fundit janë zbuluar ose bastisur mesatarisht dy ferma të reja kanabisi çdo javë, një tendencë që, sipas investigimit, nuk po tregon shenja të ngadalësimit.

Nga shtëpitë familjare te ndërtesat publike

Investigimi nis me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Bristol në maj të vitit 2022, kur një konflikt mes grupeve rivale shqiptare për kontrollin e një fabrike kanabisi përfundoi me vrasjen e një 32-vjeçari.

Sipas dëshmive të cituara nga “Daily Mail”, gjatë përleshjes pati përdorim thikash dhe shufrash metalike. Viktima humbi jetën si pasojë e plagëve të shumta.

Kryeinspektori i detektivëve, Phil Walker, e kishte lidhur atëherë ngjarjen me përdorimin gjithnjë e më të madh të banesave nga grupet e krimit të organizuar për kultivimin e kanabisit.

Sipas investigimit, që prej asaj kohe modeli është zgjeruar ndjeshëm.

Më shumë se dy të tretat e 450 fermave të identifikuara nga gazeta ndodheshin në banesa, nga Cornwall deri në Malësitë Skoceze. Por, sipas “Daily Mail”, kultivime janë zbuluar edhe në shkolla fillore të braktisura, kampuse universitare, qendra kujdesi, zyra regjistrimi, klube nate, kinema, zyra gazetash lokale, bare dhe pishina komunale.

Rënia e aktivitetit tregtar në qendrat e qyteteve britanike, sipas investigimit, ka krijuar gjithashtu hapësira të reja për grupet kriminale. Ferma kanabisi janë zbuluar në ish-degë bankash, dyqane, qendra tregtare dhe ambiente të tjera të braktisura.

620 shqiptarë të dënuar

“Daily Mail” raporton se gjatë katër viteve të fundit janë dënuar 620 shtetas shqiptarë për përfshirje në aktivitetet e fermave të kanabisit të zbuluara në Britani.

Sipas gazetës, të paktën 70 për qind e tyre ishin emigrantë të paligjshëm në momentin kur u përfshinë në aktivitetet kriminale.

Megjithatë, investigimi thekson se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të fenomenit, pasi shumë raste nuk janë raportuar dhe një numër i madh personash të përfshirë nuk janë arrestuar.

Sipas gazetës, ky aktivitet lidhet edhe me migracionin e paligjshëm. Në një prej rasteve të përmendura, një grup shqiptar dyshohet se organizonte kalime me varka të vogla në Kanalin Anglez për të sjellë punëtorë të rinj dhe familjet e tyre në Britani, për një operacion me vlerë rreth 1.6 milionë paund në Oxford.

Investigimi përmend edhe raste të personave që janë dëbuar pas dënimeve për kultivim kanabisi, por që më pas janë rikthyer në mënyrë të paligjshme në Britani dhe kanë rifilluar aktivitetin kriminal.

Një ekonomi e tërë në shërbim të fermave

Sipas “Daily Mail”, përveç personave që kultivojnë dhe shpërndajnë drogën, është krijuar edhe një rrjet shërbimesh ndihmëse.

Gazeta pretendon se gjatë një operacioni të fshehtë ka identifikuar aktivitete që ofrojnë dokumente të falsifikuara për marrjen me qira të pronave, si dhe kompani që merren me pastrimin dhe rikthimin e banesave në gjendjen e mëparshme pas largimit të grupeve kriminale.

Një prej operacioneve të përmendura, “UK Papers”, reklamonte shërbime për dokumente të falsifikuara. Sipas gazetës, një gazetar i fshehtë i “Daily Mail” kontaktoi një person të lidhur me këtë aktivitet dhe mori dokumente të falsifikuara kundrejt pagesës.

Gazeta përmend edhe raste konkrete të përdorimit të dokumenteve të rreme për marrjen me qira të pronave.

Vëllezërit Sokol dhe Amarildo Rranci, sipas investigimit, përdorën dokumente të falsifikuara për të marrë me qira 13 shtëpi në Yorkshire dhe East Midlands, ku prodhohej kanabis me vlerë gati 1 milion paund. Ata u dënuan në vitin 2024.

Pesë emigrantë të paligjshëm shqiptarë u burgosën në vitin 2022 për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për marrjen me qira të banesave në Bradford, Leeds, Keighley dhe Barnsley.

Ndërkohë, shqiptari Afrim Krasniqi u burgos pasi përdori një dokument identifikimi të rremë për t’u paraqitur si italian dhe për të marrë me qira 12 prona në Skoci, të cilat, sipas gazetës, përdoreshin për kultivim kanabisi me vlerë rreth 3.8 milionë paund.

Edhe pastrimi i fermave është kthyer në biznes

Një tjetër pjesë e investigimit lidhet me kompanitë që pastrojnë banesat pasi ato janë përdorur për kultivimin e kanabisit.

Një prej tyre, e quajtur “Punë Pastrimi Shtëpish”, reklamonte shërbimet në rrjetet sociale. Sipas “Daily Mail”, pronari i saj, i identifikuar me emrin Tanushi, i tha gazetarit të fshehtë se kompania mund të pastronte dy shtëpi brenda pesë ditësh.

Ai më vonë mohoi të kishte bërë diçka të paligjshme dhe tha se thjesht pastronte dhe lyente banesat.

Një tjetër faqe, “Repairs And Cleaning UK”, ofronte shërbime pastrimi dhe rikonstruksioni me çmime që nisnin nga 3,500 paund për një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe arrinin në 6,500 paund për një pub.

Sipas investigimit, këto shërbime përfshijnë lyerjen, dekorimin, pastrimin e tapeteve dhe largimin e mbetjeve.

Gazeta thotë se disa prej këtyre aktiviteteve reklamonin hapur shërbimet në rrjetet sociale, ndërsa TikTok, pasi u informua nga “Daily Mail”, ndërmori masa ndaj disa prej tyre.

Nga ish-polici te i diplomuari në biokimi

Investigimi thekson se personat e përfshirë nuk kanë qenë domosdoshmërisht persona me precedentë të gjatë kriminalë.

Mes të dënuarve, sipas gazetës, ka edhe një ish-polic shqiptar, i cili u burgos për përfshirjen në një fermë kanabisi me vlerë rreth 800 mijë paund.

Një tjetër rast është ai i një të diplomuari në biokimi, i cili kishte punuar më parë për Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe më pas u përfshi në një fabrikë kanabisi me vlerë rreth 105 mijë paund në Tyne and Wear.

Gazeta përmend gjithashtu Xhafer Furrikun, i cili kishte shkuar në Britani për të marrë shërbime dentare falas në NHS dhe më pas qëndroi për të punuar në një fermë kanabisi.

Pasuria e grupeve kriminale

Sipas investigimit, fitimet nga ky aktivitet kanë sjellë pasuri të konsiderueshme për drejtuesit e grupeve kriminale.

Një grup në Leeds, sipas “Daily Mail”, kishte krijuar një rrjet prej pesë fermash me vlerë rreth 3 milionë paund dhe drejtuesit e tij zotëronin automjete luksoze, përfshirë Range Rover, Porsche dhe Mercedes G-Wagon, si dhe ora Rolex.

Edhe punëtorët e nivelit më të ulët, sipas gazetës, në disa raste kishin akses në ambiente luksoze. Në një fermë të zbuluar në Southampton në vitin 2022 kishte kuzhinë dhe palestër të pajisur.

Rigles Ndreka u gjet në një fermë në Sheffield me një palë këpucë sportive me vlerë 400 paund dhe deklaroi se po punonte aty për të shlyer një borxh prej 50 mijë paundësh.

Oetjon Agalliu, i cili kishte mbërritur në Britani në pjesën e pasme të një kamioni, përdori të ardhurat nga një fermë kanabisi në Mansfield për të blerë dokumente azili, sipas investigimit.

Dhuna dhe rreziku për banorët

Një prej pasojave më të rënda të aktivitetit, sipas “Daily Mail”, është dhuna që shoqëron konfliktet mes grupeve kriminale.

Në fermat e kanabisit janë gjetur armë, thika dhe hanxharë.

Gazeta përmend edhe një rast në Cardiff, ku tre shqiptarë u burgosën pasi rrahën për vdekje një person që kishte tentuar të grabiste një fermë kanabisi me vlerë rreth 120 mijë paund.

Një tjetër problem është rreziku nga zjarret dhe shpërthimet. Sipas investigimit, grupet kriminale ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrjetin elektrik për të furnizuar pajisjet e kultivimit dhe për të shmangur kostot e energjisë.

“Daily Mail” raporton se midis vitit 2019 dhe mesit të vitit 2024 janë regjistruar të paktën 640 zjarre në ferma kanabisi. Sipas gazetës, këto ngjarje kanë shkaktuar tre viktima, përfshirë një djalë shtatëvjeçar që humbi jetën në vitin 2024 në Newcastle, pasi një fqinj prodhonte kanabis në të njëjtin bllok apartamentesh.

Raste të tjera të përmendura në investigim

Gazeta përmend edhe rastin e Kastriot Prendit, i cili ndodhej ilegalisht në Britani dhe drejtonte një fermë kanabisi në Fife. Kur banesa mori flakë në mars 2024, ai fillimisht nuk lejoi zjarrfikësit të kontrollonin të gjitha ambientet. Pas ndërhyrjes së policisë u zbulua një fermë me vlerë rreth 342 mijë paund. Prendi u dënua me dy vite burg.

Në një tjetër rast, Redis Shahini mbërriti në Britani me një varkë të vogël. Pasi kërkesa e tij për azil u refuzua, ai hapi një fermë kanabisi në Ystalyfera të Uellsit. Në vitin 2024 u dënua me 12 muaj burg dhe u deportua. Sipas investigimit, më pas u rikthye ilegalisht në Britani dhe ngriti një tjetër fermë kanabisi në Nottingham, me vlerë rreth 200 mijë paund. Për këtë rast ai u dënua sërish, me 22 muaj burg në shkurt.

Benis Asllanaj, Fatos Daci, Luan Maci dhe Luan Prozllomi, sipas gazetës, pranuan se kishin punuar në një fermë kanabisi në Bodmin, Cornwall, me një vlerë të përllogaritur prej 4.5 milionë paundësh në vit. Ata u liruan nga gjykata me dënime me kusht.

Ndërkohë, Xhoni Leka u dënua me 40 muaj burg në shtator 2020 pasi u kap duke drejtuar një fermë me 1,300 bimë kanabisi në Whitehaven, Cumbria, si dhe për posedim droge me qëllim shitjen. Sipas investigimit, ai më vonë apeloi kundër deportimit dhe gjykata vendosi në favor të tij, duke argumentuar se largimi do të ishte jashtëzakonisht i ashpër për vajzën e tij katërvjeçare.

Fermat vazhdojnë të zbulohen

Sipas “Daily Mail”, aktiviteti nuk është zvogëluar.

Vetëm gjatë muajit të fundit, gazeta përmend disa operacione policore, përfshirë zbulimin e një ferme të madhe në Nottinghamshire pas një zjarri, një tjetër në Wiltshire ku dyshohet se ishte vjedhur energji elektrike me vlerë 1.5 milionë paund, si dhe një fermë në Aston të Birminghamit me vlerë rreth 5 milionë paund.

Në Doncaster është zbuluar gjithashtu një fermë me vlerë rreth 1.7 milionë paund, e cila, sipas policisë, drejtohej nga një grup i dyshuar i krimit të organizuar. Në ambientet e saj u gjetën edhe armë.

Investigimi i “Daily Mail” e paraqet këtë rrjet si një industri kriminale të shtrirë në shumë pjesë të Britanisë, e cila përfshin jo vetëm kultivimin e kanabisit, por edhe sigurimin e pronave, dokumenteve të falsifikuara, pastrimin e ambienteve dhe logjistikën e nevojshme për funksionimin e fermave.

Sipas gazetës, kombinimi i fitimeve të larta dhe dënimeve që në disa raste kanë qenë relativisht të lehta ka ndihmuar në zgjerimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal.

Berisha: Objektet e ndërtuara me para të pista do të konfiskohen, do të ngremë agjenci të posaçme

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se një qeveri e ardhshme e PD-së do të ndjekë një politikë me “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se goditja e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal do të jetë një nga prioritetet e një qeverisjeje të ardhshme demokrate.

Sipas tij, do të krijohet një agjenci kombëtare e posaçme që do të merret me identifikimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me pastrimin e parave.

“Agjenci kombëtare e posaçme, të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen”, deklaroi Berisha.

Ai e lidhi luftën ndaj krimit të organizuar edhe me sigurinë e turistëve dhe qytetarëve, duke argumentuar se goditja e aseteve të grupeve kriminale është një nga mënyrat kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.

“Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigjja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri”, u shpreh Berisha.