Deputeti demokrat Ervin Salianji, ka akuzuar Qeverinë se Porti i Durrësit po zhvendoset qëllimisht në Porto Romano, sepse atje ushtron aktivitet dhe një biznesmen që ai e quajti oligark. Salianji nuk përmendi emra, por tha se në ditët në vazhdim do i tregojë.
“Ua vodhët edhe detin qytetarëve për të pastruar paratë tuaja. E çoni Portin e Durrësit në Porto Romano, pranë një oligarku. Këtu do jemi, do i përmend të gjitha. Doni ta përqendroni Shqipërinë e duart e pesë oligarkëve. Qytetarët shqiptarë do ju hedhin në koshin e plehrave, siç e meritoni.
Po e ktheni Shqipërinë në duart e pesë oligarkëve. Prandaj nuk ka rritje pagash, pensionesh, nuk ka rritje për pedagogët, ndihma ekonomike, jo se nuk ka para, para ka por ju i shpërdoroni duke i çuar në vetëm kaq njerëz”, tha deputeti.
Ai u ndal dhe të ulja e çmimit të naftës në vendet e rajonit. “Shikoni pak, ulet çmimi i naftës në bursë, e ulin të gjitha vendet e rajonit. Në Shqipëri as nuk mblidhet fare, por kur mblidhet e ul me 2 lekë, sa për t’u tallur.”
Ervin Salianji përmendi dhe rastin e poetes Mimoza Ahmeti, e cila u dënua me 40 orë punë në interes të publikut, për shkak të një ndërtimi pa leje në Petrelë.
“Pas këngëtarit Lako, dënohet dhe një poete. Ndërkohë, dilni nga ky Parlament, 100 metra larg nga Ministria e Brendshme, kulla dhe pallate, që e kanë kthyer Tiranën në lavatriçe të pastrimit të parave. Asnjë oligark i proceduar, por bëhen ligje për t’i amnistuar, apo duke përdorur kryeministrin. Këta njerëz po e ndajnë Shqipërinë si plaçkë”, vijoi ai.