Një ditë pas njoftimit të urdhërarrestit të palës greke për Klement Balilin me akuzën e trafikut të drogës, 44-vjeçari nuk është arritur të lokalizohet në Shqipëri.
Policia e Tiranës dhe ajo e Sarandës kanë kryer dje disa verifikime në lidhje me vendndodhjen e të kërkuarit, por asnjë gjurmë e ish-drejtorit të Transportit të Sarandës nuk është gjetur.
Ndërsa jepte intervista nga zyra e drejtorit të Transportit një javë më parë, kur Greqia publikoi akuzat ndaj tij, së fundi Klement Balili ka humbur çdo gjurmë në kohën kur urdhërarresti ndaj tij ka mbërritur në Tiranë raporton Panorama.
Policia ka verifikuar dje disa banesa të personave të afërt dhe lidhjeve shoqërore të 44-vjeçarit në Sarandë dhe në Tiranë, por pa arritur ta lokalizojë të dyshuarin. Nga ana tjetër, Prokuroria nuk ka kryer ndonjë veprim ditët e fundit për arsye se nuk ka ende nga pala greke ndonjë material në lidhje me provat konkrete dhe akuzat përkatëse të ngritura për Klement Balilin.
Një burim i Prokurorisë ka thënë se pala greke nuk ka përcjellë ende asnjë vendim gjyqësor apo ndonjë provë penale në lidhje me akuzat që bëhen ndaj Klement Balilit. Për këtë arsye organi i akuzës ka pohuar se është në pritje të dosjes nga Greqia. Ligji e kërkon që kur një shtet i kërkon një shteti tjetër kapjen e një të dyshuari, kërkesa të mbështetet me vendime gjyqësore mundësisht të formës së prerë.
Kërkesa për arrest duhet gjithashtu të ketë bashkëngjitur edhe provat kryesore nga buron akuza për personin në kërkim. Klement Balili u zhduk javën e kaluar, vetëm një ditë pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se nuk ishte i përfshirë në trafikun e 750 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë.
Ky aksion i nisur nga Policia greke çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.
BIZNESMENI
Policia ka verifikuar hyrjedaljet e disa shtetasve grekë të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës, pasi ka dyshime se ata kanë ardhur në Sarandë gjatë këtij viti. Ata janë takuar me Klement Balilin në hotelet dhe rezortet që biznesmeni 44-vjeçar zotëron në Jug të Shqipërisë. Pikërisht këto hyrje-dalje të këtyre shtetasve janë duke u verifikuar së fundmi nga ana e Policisë./a.m.
Burimi : / Javanews.al