Organizimi i Europianit U-21 të vitit 2027 mes dy vendeve, Shqipëri dhe Serbi, ka ngjallur mjaft polemika në vend. UEFA ka njoftuar se deri më tani këto dy shtete kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për organizimin e këtyre eventeve. Megjithatë zyrtarizimi përfundimtar se cili vend do ta fitojë të drejtën, do të bëhet në dhjetor.
Për këtë çështje, ka folur Milaim Zeka, i cili ishte i ftuar në panelin e emisionit “Procesi Sportiv”. Gazetari dhe ish politikani i njohur u shpreh pro një organizimi të dyanshëm nga Shqipëria dhe Serbia.
Në fjalën e tij në panelin e këtij formati televiziv në Top-Channel, Zeka deklaroi:
“Unë përfaqësoj në radhë të parë opinionin e dyanshëm. Por, dua ta trajtoj në një këndvështrim ndryshe duke menduar suedisht dhe duke folur shqip. Është një moment i rëndë. Duhet të nisem nga zero. Për këtë liri të Kosovës ka kontribuar në radhë të parë, Shqipëria. Armët e para i kemi marrë nga Shqipëria. Trajnimet e para i kemi bërë në Shqipëri.
Tani ka ardhur si virusi i fruthit, na ka rrok një virozë patriotike, o burra me fol kundër çdo iniciative që ndërton urat e afrimit dhe me bë garë se kush jemi më patriotë, ne apo ata. Për ta argumentuar këtë, ka njerëz në Kosovë që flasin shqip dhe shohin ëndrra serbisht e që integrimin e kombit shqiptar nuk e shohin përmes Tiranës, por përmes Beogradit.
Këta patriotë në thonjza kanë shpikur një gjuhë të re shqipe, duke mohuar që gjuha shqipe është me dy dialekte. Këta e kanë shpikur kombin e Kosovës, nuk ka komb të Kosovës. Ka nënshtetas kosovar. Unë po flas si një njeri që kam qenë në radhë të parë ushtar i UÇK-së, po flas si një njeri që e kam nënën të vrarë dhe të zhdukur nga serbët, po flas si një njeri që i kam 120 anëtarë të vrarë nga forcat serbe.
Unë po flas për ata shqiptarë, që çfarë të keqe na sjell organizimi i këtij evenimenti, kush ka humbur i dashur Manush në Kosovë? Jo Kosova, ka humbur Serbia. Pse? Sepse Serbia e ka konsideruar Kosovën si vend të shenjtë, si Jeruzalem, si zemra e Serbisë. Dhe ne bashkë me Shqipërinë, ia kemi marrë zemrën Serbisë. Prandaj po e përfundoj, nuk është koha me shit pord*ë patriotike, por të luftojmë se çfarë na bashkon. Na bashkon arti, na bashkon kultura, na bashkon sporti”, tha ai.