Ministrja e Arsimit Evis Kushi, njofton firmosjen e një marrëveshje të rëndësishme për punonjësit e arsimit parauniversitar. Kontrata Kolektive e Punës është negociuar me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë.
Kjo kontratë, thotë Kushi, vjen me disa risi në interes të mësuesve por edhe të nxënësve. Sipas ministres, çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj.
“Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie”, shkruan më tej Evis Kushi.
Gjithashtu, mësuesit e cilësuar si “invalidë pune” jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP.
Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar, përfitojnë normë mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë
Sipas Ministrisë së Arsimit, për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.