Zëdhënësja Sali Berishës, Floriana Garo ka reaguar sot për ndërtimin e kullës “Mali i Tiranës”, një prej çështjeve të nxehta, ku ka akuza se qëndrojnë edhe interesa financiare të fraksionit të opozitës që drejton Sali Berisha.
Garo thotë se Berisha i ka denoncuar të gjitha kullat, por nuk shpjegon pse çuditërisht nuk ka denoncuar vetëm këtë kullën e fundit, më të lartën që do të ndërtohet në Tiranë.
Po kështu, zëdhënësja e Foltores thotë se një argument i qartë se PD nuk ka marrë kullë, është fakti se Berisha dhe i biri kërkuan anullimin e lejes nga Edi Rama.
Reagimi i Garos:
1- ndërtuesi i Kullës Mali i Tiranës, biznesmeni Ilir Shtufi kurrë nuk ka dhënë dhe kurrë nuk i është kërkuar qoftë edhe një qindarkë për financimin e Foltores. Ata të cilët paguhen për gjobëvënie me trillime si pjesë e luftës së klaneve brenda PS do të kenë mundësi të “provojnë” shpifjet e tyre në gjykatë.
Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë qenë dhe janë kategorikë kundër ndërtimit të qiellgërrvishtësve, kullave në kryeqytet.
2. Sali Berisha dhe PD në pushtet nuk kanë dhënë asnjë leje dhe nuk kanë lejuar të ndërtohet asnjë kullë në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër të vendit dhe janë zotuar se nesër në pushtet do të mbajnë të njëjtin qëndrim.
Shpifësit e paguar, të zhveshur nga çdo lloj morali e dinë mirë se Plani Urbanistik i Tiranës, i miratuar dhe firmosur ne vitin 2013 nga Sali Berisha, ka të planifikuara në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës vetëm ndërtime 6-8 katëshe dhe asnjë më të lartë se kaq.
3. Është shpifje dhe trillim i ulët pretendimi se PD dhe Berisha kanë heshtur për kullat ndërkohë që në mënyrën më të përsëritur janë shprehur kundër ndërtimit te tyre dhe i kanë denoncuar me qindra herë si monumente të shëmtuara te korrupsionit dhe drogës, si përbindësha që i marrin frymën qytetit dhe përkeqësojnë ndjeshëm mjedisin e jetesës së qytetarëve.
Njësoj edhe për Malin e Tiranës është kërkuar publikisht nga Edi Rama anulimi i menjëhershëm i lejes dhe i janë adresuar gjykatës!