Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Arsimin, Flutura Açka duke folur në mbledhjen e sotme ka sugjeruar futjen e detyrueshme të notit dhe e çiklizmit në shkolla.
Për shkak të emigrimit, deklaroi Açka këtë vit kemi 33 klasa më pak e dy shkolla të mbyllura. Ajo shtoi se në 5 vitet fundit kemi humbur rreth 58 mijë nxënës dhe çdo vit kemi humbur çdo vit rreth 8500 nxënës në vit nga emigrimi.
Deklarata e plotë e Açkës në Komision:
Në emër të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, por edhe në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demoktratike, së pari donim të uronim çdo nxënës që sot ulet në bankat e shkollave shqiptare, një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, çdo mësuesi që sot mirëpret nxënësit i urojmë suksese dhe i përcjellim nderimin tonë për punën e devotshme dhe çdo shkolle shqiptare një vijimësi të mbarë të mësimdhënies.
Me bindjen se që të njohësh atdheun e nesërm, shih shkollat edhe nxënësit e sotëm dhe nëse, të flasësh për kombin e nesërm, shih fëmijërinë e rininë e sotme, kemi qenë në krah me të gjitha sugerimet tona gjatë dëgjesave, por edhe me debatet e vërejtjet me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, dhe kemi mbështur ato nismat ligjore, të çfarëdo krahu qofshin, që i kanë shërbyer arsimit cilësor në Shqipëri dhe krijimit të një mjedisi të shëndetshëm për mësimdhënien shqiptare.
Urojmë çdo fëmijë shqiptar po e ndjek sot arsimin 9-vjeçar si një detyrim kushtetues dhe se çdo fëmijë i pamundur financiarisht, çdo fëmijë i ngujuar, i paprind dhe pa kujdestari, dhe çdo fëmijë që për çfarëdo arsye nuk mund të shkojë në shkollë, do të gjejë mbështetjen e shtetit në këtë të drejtë njerëzore dhe kushtetuese.
Ne jemi duke pritur që së shpejti të kemi në duart të dhënat e plota për regjistrimet në shkollat shqiptare për të përpunuar edhe qëndrimet tona të mëtutjeshme.
Një urim të veçantë kemi edhe për vogëlushët që nisin sot klasat e para dhe jemi besimirë se përfshirja në programet e klasave të para të Abetares së njehësuar kombëtare, është një lajm për t’u përshëndetur; ajo do t’i shërbejë edhe më shumë atij integrimi mes vedi që ne shqiptarëve historia na e mohoi për gati një shekull.
Por, në përgjegjësinë e Komisionit Parlamentar për Edukimin, i cili ka detyrimin ligjor të mbikëqyrë gjithçka që lidhet me arsimin në Shqpëri, nuk mund të lemë pa vërejtur disa probleme që e kanë shoqëruar arsimin, që na shqetësojnë, dhe duhet të na shqetësojnë thellësisht, të gjithëve, të çfarëdo bindjeje politike qofshim.
Meqenëse ishim te Abetarja e njehtësuar kombëtare, para se të kaloj në çështjet e tjera në vijim, duhet që qeveria të zgjidhë konfliktin ligjor të krijuar mes përdorimit të saj dhe altertekstit në kushtet e reja dhe mendojmë se Ministria e Arsimit duhet të kishte menduar edhe për këtë, mbase duke parë rezultatet e përdorimit të saj një projekt pilot, për të parë rezultatet përpara se të kalohej në projektin e plotë, pasi sikurse çdo projekt tjetër duhet të mbështet në bazën ligjore që t’i jepë këtij aksioni legjitimitet përtej tam-tameve patriotike.
1 – Çështja e parë që dua të përmend, të cilën e kemi debatuar në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, por edhe në Parlament, por që ka qenë temë e mprehtë edhe në debatin publik, që ka lidhje me buxhetin për arsimin.
Duket se vitin e ri shkollor 2022-2023 do ta ndjekë po ajo problematikë e bartur e 9 viteve të fundit.
Në zërin për arsimin në Buxhetin e vitit 2022, është premtuar që Arsimi do të vijojë të financohet me 3% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto), shumë larg premtimit të vitit 2013, kur arsimi mori edhe fondin më të madh prej 3.54% të PBB.
Atëherë premtimi ishte, po citoj “Se synohej një financimin publik për arsimin në rreth 5% e PBB, madje me zbukurimet, me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike”.
Banka Botërore dhe institucionet e tjera kanë bërë apel të vazhdueshëm që buxheti për arsimin duhet të jetë së paku 5% e PBB-së, aq sa është edhe mesatarja e vendeve të BE-së, por ne 9 vjet qeveria jo vetëm që nuk arriti nivelin e premtuar të buxhetit të arsimit, por e ka ulur nga 4.1 % në vitin 2013, në 3%, bazuar në të dhënat zyrtare kjo.
Edhe në vitin në vijim, buxheti i arsimit nuk ka pësuar ndonjë ndryshim dhe mbetet në nivelin e 3%, duke e bërë Shqipërinë të fundit në rajon.
Kujtojmë:
Kosova, shpenzon 4.2% të GDP për arsimin.
Mali i Zi 4.6% të GDP-së për arsimin.
2 – Çështja e dytë dhe mjaft sensitive për Opozitën, ka lidhje me pakësimin vit pas vitit të numrit të nxënësve në shkollat tona gjatë regjistrimit të tyre. Duke iu referuar shifrave zyrtare të publikuar nga Ministria e Arsimit, në shkollat tona janë regjistruar 58 mijë nxënës më pak në 5 vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare.
Në vitin 2017 kishin rreth 320 mijë nxënËs dhe në vitin 2021 rreth 278 mijë nxënës për arsimin 9-vjeçar, pra mesatarisht me gati 8500 nxënës në vit dhe në shifrat korrespondente për armimin e mesëm nga 120 mijë në 103,5 mijë, pra mesatarisht në vit në rreth 3 mijë nxënës më pak.
Pra, shifra thuajse alarmante.
Këtë vit, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, deri më tani janë regjistruar më pak se 1000 nxënës.
Me një llogari të thjeshtë, duke marrë të mirëqenë klasa me 30 nxënës, arsimit parauniveristar do t’i mungojnë 33 klasa, ose 2 shkolla me gati 500 nxënës.
Dhe deri tani këto janë shifra të përafërta.
Largimi masiv i familjeve shqiptare në vitet e fundit, do të reflektonte padyshim edhe në uljen e frikshme të numrit të nxënësve të shkollave tona, duke shtyrë në mbylljen e shumë shkollave, gjë që krijon problematika të reja që kërkojnë zgjidhje të ngutshme dhe domethënëse për nxënësit e lidhura me këto shkolla.
Veçanërisht në zonat e thella, ku vetmia e shkollave tona është trishtuese.
Ne ende nuk i kemi të dhënat e plota të shkollave të mbyllura në të gjithë vendin, por si deputete e qarkut të Elbasanit, mund t’ju them se brenda dy viteve janë mbyllur 5 shkolla, pa përfshirë edhe disa shkolla që do të bashkohen, pra gati do të mbyllen si në Cërrajë, Petresh dhe Bizhutë të epërme.
Në vitin 2013 kemi pasur gjithsej rreth 2100 shkolla, sot kemi më pak se 1750 shkolla.
Pra për 9 vite janë mbyllur 350 shkolla, pa harruar shkollat vartëse apo shkollat me klasa kolektive. Nxënësit në klasat kolektive janë më tepër se 22 mijë, duke përbërë gati 10% të nxënësnësve në arsimin parauniversitar.
3 – Çështja tjetër ka lidhje me braktisjen e shkollave nga ana e nxënësit gjatë frekuentimit të vitit shkollor. Sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga Ministria e Arsimit, gjatë vitit shkollor 2016-2017, e braktisën shkollën 1881 nxënës, ose 0.5% e numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin e detyrueshëm, një shifër që nuk përputhem me atë të dhënë nga OBSH prej 3988 nxënësve.
Në vitin shkollor 2017-2018, arsimin e detyrueshëm e braktisën 1540 nxënës, ndërsa OBSH raporton për 3628 nxënës.
Në vitin shkollor 2018-2019, arsimin e detyrueshëm e braktisën 1602 nxënës dhe sipas OBSH-së 4085 nxënës.
Kështu që braktisja e shkollave varion nga 5%-7% e nxënësve, deri edhe 10% por në shumë prej tyre, të cilat kanë çuar edhe në mbylljen e shumë shkollave.
4 – Çështja tjetër e rëndësishme është pozita e mësuseve dhe trajtimi i tyre financiar dhe profesional i tyre. Nga foltorja e Kuvendit më 12 shtator 2017, Ministrja e Arsimit e asaj kohe, sot kryetare e Parlamentit, dekraroi se pagat e mësuesve do të kenë një rritje me 40%, se brenda 300 ditëve të para në shkollat kolektive të ketë mësim dixhital, si dhe do të dyfishohet numri i mësuesve dhe se do të ketë paketa mbështetëse për mësuesit me arritje të mëdha.
Po flasim për mandatin e dytë qeverisës, pra, dhe të gjitha premtimet mbetën në letër. Pagat e mësuesve u rritën vetëm një herë me 10 % para zgjedhjeve të vitit 2017, e përkthyer kjo në shifra absolute me vetëm 1400 lekë të reja në muaj.
Prej vitit 2013 e në vijim (dhe me shumë gjasa edhe këtë vit) mësuesit nuk marrin asnjë shpërblim për fundvitin, kundrejt pagës së 13 që merrnin prej vitit 2005-2009 dhe 10 mije lek te reja prej vitit 2009 deri në vitin 2012.
Sipas një raporti të “Monitor” për pagat në rajon, po citoj: “Në arsim, mësuesit shqiptarë paguhen mesatarisht 20-50% më pak se në vendet e tjerë fqinjë.”
Më konkretisht paga mesatare e në sektorin e arsimit në:
Shqipëri është 488 euro,
Serbi 662 euro,
Maqedoninë e Veriut 579 euro,
Mal të Zi 725 euro.
Kosovë respektivisht 621 euro për shkollat e mesme, 585 euro për shkollën elementare dhe 549 euro për klasat e para. Edhe në mandatin e tretë qeveria pretmoi përsëri një rritje page prej 40%, për mësuesit, por në korrik qeveria njoftoi se do të rriste pagat e mësuesve me 6%, ndërkohë që niveli i inflacionit kapi shifrën prej 7.5% a kush e di është në fakt.
5 – Një nga çështjet lidhet me afrimin e dimrit dhe strategjia për përballimin e ngrohjes në shkolla në kushtte e krizës energjitike, duke marrë në konsideratë që në një pjese të shkollave tashmë do të jenë shumë shpejt të ekpozuara nga i ftohti dhe a është menduar konkretisht për këtë nga ministria përgjegjëse.
6 – Një nga çështjet është edhe siguria në shkollat shqiptare. Nisur nga përvojat e rënda të ngacmimeve seksuale, dhunës në familje, trafikimit të lëndëve narkotike, shpërndarje, konsumim të lëndëve narkotike, grabitje, tentativë vrasje etj (për t’u përcaktuar me këshilltarin ligjor). Vendosja e kamerave të sigurisë në mjediset e insitucioneve arsimore publike e private në të gjitha mjediset me përjashtim të tualeteve, dhomave ku ndërrohen fëmijët dhe nxënësit për orën e edukimit fizik, apo aktivitete artisike, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt në këto institucione.
7 – Një nga çështjet është edhe sugjerimi i disiplinave të reja të shkolla, futja e detyrueshme të notit dhe e çiklizmit, pasi nisur nga përvoja e plazheve shqiptare të mbytjeve të shpeshta të fëmijëve, apo e disiplinave që i shërbejnë integrimit me europën, programeve kundër racizmit, fanatizmit dhe radikalizmit dhe veçmas kujdesi i shtuar për fëmijët me aftësi ndryshe, për t’u përafruar me standardet europiane.
8 – Duke u nisur nga çfarë thamë me shqetësim, mbetet ende transparenca e institucioneve shtetërore, pasi të kufizosh dhe të izolosh të dhënat nga ato reale, jo vetëm ngremë një sistem butaforik e të rremë, por nuk i shërbejmë as zgjidhjes reale të problemeve. Kështu do të kërkonim më shumë transparencë dhe bashkëpunim të institucioneve me Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.
9 – Nje nga ceshtjet sensitive mbetet dekomunistizimi ne shkollat shqiptare. Femijet nuk kane asnje dijeni per komunizmi, as e dine se c’eshte Spaci. Mbi 30 vjet pas rendies se diktatires dhe ne ende kemi libra me paratheni te asaj kohe dhe femijet kane padije per nje nga diktaturat me te egra mbi dhe e qe eshte pjese e historise sone.