Fushata sensibilizuese “Tjetër Herë Me Vajzë” zbriti në Durrës/ Një partneritet i sukseshëm i UNDPA me Fonacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës si dhe Fibank

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese mbi praktikat e dëmshme dhe dhunës me bazë gjinore, UNFPA në partneritet me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës, Fibank si dhe me fotografen e talentuar Kristina Culaj, nën koordinimin e agjencisë RedCloud kanë organizuar një seri ekspozitash lëvizëse me portrete të vajzave shqiptare dhe kanë ideuar panele për të gjitha vajzat e munguara në shoqërinë shqiptare si pjesë e fushatës për fuqizimin e figurës së vajzës në shoqëri. Fushata mban titullin “Tjetër Herë Me Vajzë”, dhe vjen në qytetin e Durrësit në datat 3 – 6 shtator 2023 në sheshin Liria për t’u vizituar nga afër nga të gjithë qytetarët e Durrësit.

Kjo fushatë ka për qëllim të hedhë dritë mbi aspiratat e vajzave dhe familjeve, si edhe dashurinë që rrethon vajzat në familjet shqiptare, duke kujtuar dhe vlerësuar çdo përpjekje për t’í dhënë fund normave sociale dhe traditave jo të mira, që stigmatizojnë dhe dhunojnë vajzat.
Statistikisht në Shqipëri lindin 109 djem për çdo 100 vajza. Në Shqipëri, për çdo 10 djem të lindur, humbasim një vajzë. Sipas kësaj përllogaritjeje, në Shqipëri, vetëm në një dekadë, kemi rreth 21,000 “vajza që mungojnë” nga mosha 0-19 vjeç. Kjo dukuri krijon një zinxhir pabarazie gjinore, që prek çdo sferë të shoqërisë tonë.

Një nga faktorët kyç që ndikon në këtë disbalancë gjinore në lindje është aborti selektiv, që është praktika e ndërprerjes së një shtatzënie për shkak të gjinisë së bebes. Fatkeqësisht, aborti me bazë gjinore është dukuri e përhapur në disa vende të botës, ku fëmijët me gjini mashkullore vlerësohen më shumë se vajzat. Pas tyre në listë rreshtohen vendet e Evropës Juglindore si Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Shqipëria renditet ndër të parat në Evropë për abortin me bazë gjinore, madje në vendin e 11-të në botë. Kjo është renditje alarmuese për një vend si i yni, që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Ndonëse ka përmirësim nga viti në vit, vazhdojnë përpjekjet që të arrihet raporti natyror gjinor 100:105.

Edhe sikur të mos ekzistonte aborti me bazë gjinore, do të kishim më pak vajza se djem në mënyrë natyrale. Koeficenti natyror i lindjeve është 105 djem për çdo 100 vajza. Ja pse është e rëndësishme që të flitet për këtë dhe prindërit të jenë të përgjegjshëm për vendimet që marrin. Në shoqërinë tonë është zakon të urojmë për trashëgime me djem. Le të sjellim barazi, duke uruar edhe “Tjetër Herë me Vajzë”.

Zjarr Tv Ad