Fytyra e regjimit

0
14
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Klodian Tomorri

Një qytetar humb jetën në komisariatin e policisë. Çfarë ndodh më pas? Shteti nuk bën transparencë për ngjarjen siç e detyron ligji, por vë në lëvizje makinerinë e propagandës dhe gënjeshtrave.

Fillimisht hyn në veprim pjesa shtetërore e makinerisë. Policia një herë thotë që humbi jetën në spital, por më vonë rezulton që nuk është ashtu. Pasi mbarojnë punë këta, vihet në lëvizje mekanizmi privat i propagandës.

Në media shpërndahen lajme sikur qytetari ishte pjesë e grupeve më të rrezikshme kriminale në vend. Herë bëhet krahu i djathtë i Shullazit, por po e deshi puna bëhet edhe krahu i djathtë i Sem Xhankanës apo Xho Maranxanos.

Është identik i njëjti skenar që përdoret në çdo ngjarje. Kështu bënë kur vranë Klodian Rashën. Thanë që kishte armë, madje fshehën dhe një pistoletë në një pellg, për ta bërë të besueshme. Kështu bënë kur polici vrau vajzën e vogël. Aty thanë që skafi ishte 15 metra larg bregut. Kështu bënë në ngjarjen e Elbasanit, kur gënjyen se nuk kishte fletë votimi në makinë. A mund të jetë polici kjo?

Një deputet i opozitës denoncon publikisht se qeveria i ka bllokuar biznesin me policë pa asnjë mandat ligjor. Sërish regjimi vihet në lëvizje. Fillimisht hidhen gënjeshtra të trasha, duke e lidhur biznesin me Call Centerin e Forexit që mashtronte të huajt. Dhe gënjeshtra është aq e trashë sa që vet policia në njoftimin zyrtar jepte inicialet e pronarit të shpallur në kërkim, por pavarësisht kësaj, prapë e lidhin Forexin me deputetin.

Pra makineria gënjen aq trashë sa që nuk kujdeset më as t’i sofistikojë pak mashtrimet, që të duken më të besueshme. Sepse ka arritur në pikën ku mendon se populli mund të hajë çdo gjë. Edhe gënjeshtrat e trasha. Ky është tipari karakteristik i regjimeve, që e marrin gënjeshtrën dhe e dekretojnë si të vërtetë edhe kur të gjithë e dinë që është gënjeshtër.

Pasi mbaron kjo, del kryeministri. Turp- thotë- për ballistin e foltores që ushtron aktivitetin në një ndërtim me shkelje të lejes. Pra fajin që lejohen ndërtime pa leje nuk e ka qeveria. Por e ka biznesi, që hyn me qira aty. Sepse sipas kryeministrit është biznesi ai që duhet të verifikojë nëse ndërtuesi e ka respektuar lejen pikë për pikë dhe jo shteti.

Regjimi shfaqet hapur çdo ditë. Dhe nuk ka më frikë të gënjejë haptazi, të shkelë ligjin po haptazi, të përdorë shtetin për të bërë krime, apo për të goditur kundërshtarët.

Zjarr Tv Ad