Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike që Lulzim Basha mblodhi menjëherë pas ngjarjeve të 8 janarit, mes ndryshimeve të radikale që ndërmori në udhëheqjen e partisë, ra në sy veçanërisht gradimi në nivelet më të larta, të një prej “anti-berishistëve” më të thekur të kohëve të fundit, pedagogut Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit, (do të mbahet mend për deklaratën se nëse Berisha rikthehet në grupin parlamentarë të PD, do të dorëzojë menjëherë mandatin që ende se ka gëzuar), u zgjodh nënkryetar i PD-së dhe në postin tjetër të lartë si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Opinionisti dhe moderator i njohur, Mustafa Nano, në një shkrim të fundit, mes të tjerave tregon edhe për proçkën që lëshoi Lulzim Basha, gjatë vlerësimit që i bëri Gjekmarkajt me rastin e gradimit në pozicione të larta të partisë dhe Shtetit. Sipas Nanos Basha bëri një gafë të rëndë, kur mes të tjerave shënjoi si vlerë për Gjekmarkajnë edhe përkatësinë e tij fetare në politikë, katolik. Drejtuesi i emisionit “Arnautistan” në televizionin MCN, thekson se nuk ka qenë kurrë në traditën shqiptare theksimi i përkatësisë fetare për personazhet publikë dhe politikë dhe kjo që ka bërë Basha është e paprecedentë në gjithë historinë e shtetit shqiptarë.
“Bëri përshtypje vlerësimi që ai dha për Gjekmarkajn me këtë rast. Nuk foli me superlativa, siç ka qenë në stilin e Berishës, përkundrazi, shtiu në punë konsiderata lakonike, por lëshoi një proçkë. “Agron Gjekmarkaj” tha, “është një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe… – këtu vjen proçka – komunitetit katolik.”. Nuk ka qenë kurrë në traditën shqiptare veçimi i figurave publike, e sidomos atyre politike, mbi bazën e besimit apo origjinës së tyre fetare. Edhe pas përmbysjes së komunizmit, identiteti fetar i njerëzve nuk është përmendur. Basha është i pari që e bën këtë lajthitje. Ndoshta e ka bërë ngaqë ka qenë i kompleksuar nga akuza që i ka bërë Berisha mbi aleancën me të ashtuquajturën Vëllazëri Myslimane të Maqedonisë së Veriut, por kjo gjë nuk justifikohet.
E përfytyroni dot ju që, fjala vjen, Berisha të thoshte në vitin 1992, para se Pjetër Arbnori e Bashkim Gazidede të zgjidheshin respektivisht si kryetar Kuvendi e kryetar i SHIK-ut, që “po zgjedhim përfaqësues të denjë të katolikëve e të myslimanëve”? Po Edi Ramën në rastin e Lindita Nikollës apo në raste të tjera? Jo, as që mund të përfytyrohet. Kjo do të thotë që këta dy të fundit kanë skrupuj, apo janë të zgjuar, më shumë sesa Basha. I mendojnë gjëra të tilla sa herë që bëjnë emërime e shkarkime, por nuk i zënë ngojësh. Dikush duhet t’ia thotë Bashës se identiteti fetar i gjithësecilit nuk është, e nuk duhet të jetë, pjesë e CV-së së një personi.
Jo vetëm sepse njerëzit nuk kanë merita apo faje për identitetin e tyre fetar, por edhe sepse harmonia ndërfetare këtyre anëve është e ngritur mbi parimin “mos e ngacmo gjarpërin teksa është në gjumë”. Duhet shpresuar të mos e bëjë më këtë që bëri. Ne nuk duam të dëgjojmë se cilës fe i përket njëri apo tjetri”, shkruan Mustafa Nano në një shkrim të tij publikuar së fundmi.