Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Strazimiri ka treguar detaje në lidhje me organizimin e protestës së 7 korrikut, ku tha se takimet kanë qenë intensive dhe se sipas tij kjo protestë është e shumëpritur nga qytetarët.
“Takimet janë intensive, fillimisht kemi filluar me strukturat, të cilat janë përgjigjur në mënyrë shembullore dhe tashmë jemi në kulmin e punës duke kontaktuar qytetarët, nëpër kafene në dyqane, me qytetarët kudo që ndodhen, duke komunikuar me ta, duke shpërndarë fletëpalosjet.
Jam i kënaqur që megjithëse është punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, të vapës, të zagushisë, mundi që kemi harxhuar është shumëfishi i shpërblyer me atë që mesa duket paska qenë e shumëpritur nga qytetarët. Unë jam shumë optimist që me datën 7 korrik në orën 7 sheshi i Tiranës do të jetë plotë”, ka thënë ai në Ora News.
Strazimiri thotë se shoqëria shqiptare ka pasur “jashtëzakonisht të mira” nën drejtimin e Sali Berishës.
“Kjo shoqëri ka pasur jashtëzakonisht të mira, si në kuptimin e politikës së madhe ashtu dhe në ekonominë e vogël familjare në drejtimin e Sali Berishës. Berisha është një njeri që mban fjalën, është njeri patriot që e do këtë vend dhe unë besoj se vetëm këtu nuk ka dyshim. Besimi te PD dhe te opozita e drejtuar nga Berisha nuk vihet në pyetje”, u shpreh ai.