Nga Luçiano Boçi
Laku sa vjen e po ngushtohet për Ramën.
Ditët kur hiqej si të ishte gruaja e Bilalit për të mundësuar qoftë dhe një foto, kryeministrit do t’i duken më romantiket e mundshme në jetën e tij, në raport me atë çka e pret në vazhdim. McGonigal ka pranuar fajin të cilin e ka konsumuar me disa bashkëpunëtorë, midis të cilëve spikat e ndriçon Rama.
Ka pohuar dhe marrjen e shpërblimit financiar për shërbimet ndaj Ramës për të goditur opozitën dhe madje ka shkuar më tej në zbulimin e së vërtetës.
Shpërblimi në bazë të “marrëveshjes” do vazhdonte, sipas dhe rezultateve, me krijimin e favoreve për biznes e pozitë shumë të fortë e shumë të afërt me pushtetin e Ramës.
Neza është pranuar nga McGonigal si ndërmjetësi i operacionit anti opozitë.
Këshilltari i Ramës Duçka është po kaq i përfshirë.
Neza nuk është më ai borxhliu bamirës që zotëron shuma kesh e që i shpërndan ato “për të bo mirë”, siç thërriste dëshpërisht Rama ato ditë të para të shpërthimit të skandalit.
Neza na qenka masha ose zari i Ramës i cili transportonte shpërblimin por dhe skenarët lobuese për punët e pista që McGonigal kishte marrë përsipër për të plotësuar dëshirat perverse politike të Ramës.
Alibia e borxhit tashmë ka rënë dhe kartat janë hapur.
Ramës i ka ngelur në gojë vetëm replika e sforcuar me ambasadorin rus në OKB.
Hetimi amerikan duhet të vazhdojë në Shqipëri.
Korruptimi i McGonigal ka dërrmuar jo vetëm reputacionin e agjencisë së famshme, por dhe sigurinë e shtetit shqiptar, i cili përdor nëpërmjet qeveritarëve mekanizmat e tij si dhe korrupsionin, për të goditur sistemin mbi të cilin është ndërtuar vetë shteti, duke synuar eliminimin e opozitës.
Njëjtë si majmuni që pret degën ku është ulur.
Por majmuni ynë megjithatë na është bë pelivan i madh. Hidhet nga dega në degë me shpresë se nuk do të bjerë në rrjetë.
Po sic thotë fjala e urtë kur kërcen nga huri në hu një do të ngulet.
E Ramës po i ndodh.
Luan deklaratash dhe bën liderin ndërkohë që është i zhytur deri në grykë në gropën septike që e ndërtoi vetë.
Vaji i kandilit duket se po mbaron për gruan e bërë “burrë” të Bilalit!