Tri ditë pasi shpalli publikisht krijimin e grupimit të ri parlamentar, Enkelej Alibeaj rrëfeu në Ditarin me Bruna Çifligun në A2 CNN, filozofinë ku mbështetet formacioni i ri politik, siç e quajti ai, dhe mënyrën sesi do të funksionojë. Sipas tij, mbështetja ndaj drejtësisë, mbajtja e raporteve të shëndetshme me partnerët ndërkombëtarë, listat e hapura dhe asnjë lidhje me PS-në e Ramës e PD-në e Berishës janë modeli ku do të mbështetet ky formacion, që siç theksoi Alibeaj në A2, përveç këtyre deputetëve priten t’i bashkohen edhe të tjerë.
“Është strukturim i qëndrimeve individuale që sjell disa efekte; i pari është qëndrimi në parlament. Të bëjë dallimin nga një segment tjetër i opozitës që është i Berishës që ka trajektoren e tezat e veta politike. Për të bërë një grupim tjetër brenda parlamentit. Elementi i dytë; PD në këto vite ka krijuar distancë të madhe me ndërkombëtarët, ndaj ishte domosdoshmëri të krijohej ky grup që të gjejmë raportet që opozitat duhet të kenë me ndërkombëtarët. E treta; të japim shembullin që në zgjedhjet e pritshme ajo që është e nevojshme të ketë një përfaqësim të vetin, që do të thotë secili nga grupimet të mund të mbledhë në një grup elektoral atë pjesë të shoqërisë që është refuzuese ndaj dy tjerëve”.
Por sesi do të funksionojë ky grupim i ri, Alibeaj renditi sërish qëndrimet e unifikuara për çështjet thelbësore, por edhe iniciativat ekstra parlamentare.
“Dy janë drejtimet; një brenda parlamentit. Sot jemi 5 deputetë. Uroj që të me kalimin e kohës të bashkohen edhe të tjerë. Kemi sinjale, por jo të gjithë deputetët kanë kurajo për të ndërmarrë këtë akt. Shehi e Jakupllari janë në një tjetër grup parlamentar. Më besoni që ka edhe të tjerë, na bashkon fakti që për disa çështje thelbësore; mbështetja ndaj drejtësisë e SPAK, mbajtja e raporteve të shëndosha me partnerët dhe së treti; të pranojmë e bëjmë ç’është e mundur për të bërë efektive listat e hapura.
Ne kemi vendosur që t’i kemi të unifikuara me qëndrime të bëra publike. Mbështesim edhe iniciativa ekstra parlamentare si ajo që Shehi nënshkroi, padinë në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka mbështetjen tonë. Kushdo që është në politikë aspiron të prezantohet në zgjedhje dhe kodi e përcakton si një parti politike apo koalicion. Si një etnitet juridik nuk mund të jesh ilegal. Përtej kësaj një bashkësi njerëzish që kanë ndarë qëndrimet e tyre në këto vite dhe janë ndodhur përballë dilemave të forta politike dhe kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në raport me ndërkombëtarët dhe atë që duhet të ndodhte në PD. Këta njerëz duhet të kenë një përfaqësim politik. Unë kam qenë e jam për krijimin e këtij etniteti politik që do të ndodhë”.
I pyetur nëse aspiron ai për të kryetar i këtij etniteti politik, Alibeaj u përgjigj se forca kryesore do të jetë anëtarësia dhe rregulli kryesor është ndarja e pushteteve. Sipas tij struktura partiake duhet të jetë e ndarë nga drejtimi politik për të mbrojtur vlerat e djathta.
“Ajo që është kultura e deformuar partiake e politike janë konsideruar si domain i kryetarit që nuk largohet as në rrebeshe e kohë të mirë. Një nga risitë është që do jetë një formacion që do i japë forcë reale anëtarësisë, vendimet nuk merren nga kryetarët. Së dyti kushdo që merr përsipër të udhëheqë një formacion politik i vendos objektiva elektoralë vetes dhe kush nuk i arrin shkëputet nga ai pozicion pa rikthim. Rregulli kryesor është ndarja e pushteteve brenda një partie edhe në formacion partiak duhet të jetë i njëjtë. Së treti; zgjedhjet duhet t’i bëjë një trupë tjetër jashtëm konfliktit të interesit.
Duhet një element garancie; kryetarët e partive tona flasin për liri e respekt kur vjen fundi vendosin e vulosin vetëm ata. Duhet një trupë që të ruajë organizmin partiak, të mos jetë në dorë të kryetarit, strukturat të jetë e ndarë nga drejtimi politik. Nëse je një parti me vlera të djathta duhet t’i qëndrosh atyre vlerave për të bërë aleanca me parti të majta, apo gjysmë të majta. Këto vlera duhet të jetë dikush që t’i mbrojë. Nëse ka një problem demokracia është çështja e sistemit zgjedhor, por thelbi është mungesa e demokracisë reale në parti politike. Duhet vendosur me rregulla të garantuara”, u përgjigj Alibeaj në A2.
Duke përjashtuar garën me Berishën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në studion e A2, Alibeaj tha se objektivi kryesor i grupimit të ti politik është çarja e sistemit politik të Ramës e Berishës.
“Synimi ynë është të çahet sistemi politik që ka mbërthyer Edi Rama me Sali Berishën. Duke qenë në gjatësi vale me publikun shqiptar, shqiptarët duan sistem e lista të hapura, t’i jepet mundësia çdo shqiptari të ndëshkojë këtë situatë të spektrit politik me formacione të vjetra. Njerëzit janë të etur për të ndëshkuar korrupsionin dhe për të mbështetur drejtësinë. Hapje për flukse të reja jashtë parlamentit. Janë shqiptarët që do thonë fjalën e fundit”, tha Alibeaj në A2.
Ndryshe nga Berisha, derën e hapur për t’iu bashkuar grupimit të tij politik Alibeaj e la edhe për Lulzim Bashën, por nëse ndan të njëjtat qëndrime.
“Nuk jemi grupim as hermetik, as me teka politike, por i hapur që plotëson këto elementë Mbështetja ndaj drejtësisë, mbajtja e raporteve të shëndetshme me partnerët ndërkombëtarë dhe lista të hapura dhe nuk na lidh asgjë me PS e Ramës e PD me Berishës. Kushdo që e vlerëson, e ndjen dhe e ka detyrim në këtë moment të vështirë të japë kontributin e vet, absolutisht po, jo vetëm për të por për këdo tjetër që vjen nga opozita”.