I pafajshmi mes të fajshmëve

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Elona Caslli

I pafajshmi Edi Rama, naivi Edi Rama, i keqkuptuari Edi Rama dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, shkarkon çdo përgjegjësi te të fajshmit që e rrethojnë.

Të fajshmit rreth tij kanë abuzuar me besimin që ai u ka dhënë dhe me postet që u ka caktuar në kabinetin qeveritar. Kryeministri nuk ka qenë në dijeni të asgjëje. Kryeministri u ka dhënë bashkëpunëtorëve besimin e shenjtë të një prindi dhe të fajshmit e kanë shpërdoruar këtë besim, si fëmije të pabindur dhe tekanjozë dhe tani kryeministri gjendet si një prind i pikëlluar pranë dritares duke pyetur veten se ku gaboi.

Ne, frymorët e zakonshëm, duhet ta mirëkuptojmë gjendjen e tij të pikëlluar dhe të shfaqim edhe një trajtë të lartë mirënjohjeje që ai vazhdon ende të mbajë postin e kryeministrit, pasi dikush tjetër në vendin e tij do të kishte dhënë dorëheqjen dhe do ta kish lënë mes katër rrugëve popullin e tij.

Kryeministri ynë, me durimin e një të urti, po gëlltit pikëllimin e tij dhe po vazhdon me këmbëngulje të udhëheqë.

Ndonëse të fajshmit rreth tij vazhdojnë të zhvasin buxhetin e shtetit, ai zbaton filozofinë e lules së lotusit. Ai udhëheq në baltën e kënetës, por s’e prek asnjëherë atë.

Ndonëse të fajshmit rreth tij e kanë humbur fillin, kryeministri e ruan ende arsyen dhe në strehën e arsyes bëhet burim i pashtershëm force për popullin.

Post Scriptum- Kohët e vështira i tregojnë njerëzit e mëdhenj.

Zjarr Tv Ad