Një zyrtar në Indi, Kumar Vishwas është pezulluar nga detyra, pasi ka urdhëruar që të thahet rezervuari për të marrë telefonin e tij, i cili i kishte rënë në ujë.
Vishwas, i cili është një politikan, pedagog dhe poet i njohur në Indi, pretendoi se telefoni përmbante të dhëna të qeverisë dhe duhej marrë me patjetër, por ai është akuzuar për shpërdorim detyre.
Ai e humbi telefonin e tij “Samsung” me vlerë rreth 1,200 dollarë në digën Kherkatta, të shtetit qendror indian të Chhattisgarh. Pasi zhytësit nuk arritën ta gjenin, Vishëas pagoi për një pompë nafte që të zbraste rezervuarin, shkruajnë mediet e huaja.
Ai tha se kishte leje nga një qeveritar për të derdhur ujë në një kanal, ku sipas tij do të përfitonin edhe fermerët e zonës. Pompa funksionoi për disa ditë duke zbrazur rreth dy milionë litra ujë.
Por, veprimtaria u ndal kur një tjetër zyrtar i qeverisë erdhi pas një ankese nga departamenti i burimeve ujore. “Ai është pezulluar deri në një hetim. Uji është një burim thelbësor dhe nuk mund të shpenzohet në këtë mënyrë”, tha një zyrtare e qarkut Kanker.
Ndërkohë që Kumar Vishëas ka mohuar që të ketë shpërdoruar detyrën duke pretenduar se uji që ai hoqi nga rezervuari ishte pjesa e derdhjes së digës dhe jo në gjendje për përdorim. Megjithatë, telefoni i gjetur ishte dëmtuar nga ndenja në ujë dhe në kohën kur u nxorr nga rezervuari nuk ishte më në gjendje pune.