‘Ia kanë futur’, ‘Turp’, ‘Mesjetare’/ Kritikat dhe deklaratat mbështetëse pas eliminimit të Ronela Hajatit nga Eurovision

0
91
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mbrëmjen e djeshme e gjithë vëmendja e shqiptarëve, si brenda dhe jashtë vendit, ishte e përqendruar përpara ekranit të televizionit për të ndjekur performancën e këngëtares shqiptare, Ronela Hajati, e cila hapi natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2022, që këtë vit mbahet në Itali.

Megjithë performancën elektrizuese dhe deri diku provokuese, këngëtarja shqiptare nuk arriti që të kualifikohej për në natën finale të kompeticionit më të madh muzikor në Europë. Kënga e saj ‘Sekret’ duket se nuk arriti të bindë teleshikuesit, të cilët nuk e votuan mjaftueshëm Ronelën për të qenë pjesë e finales së madhe të Torinos.

Këngëtarja, miqtë dhe kolegët e saj, madje edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, shpërndanë në rrjetet e tyre sociale mënyrat se si mund të votohet për të dërguar Shqipërinë në finale, por asgjë nuk mjaftoi.

Sapo u tha emri i shtetit të fundit të kualifikuar në natën e madhe, zhgënjimi në sytë e Ronelës dhe stafit që e shoqëronte ishte i madh, ashtu sikurse edhe i mbarë opinionit publik shqiptar.

Ronela Hajati reagon pas eliminimit nga Eurovision:

E para që reagoi pas eleminimit ishte vetë protagonistja kryesore, Ronela Hajati, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo është shfaqur e buzëqeshur krah balerinëve të saj.

“Edhe po të kaloja në finale do isha e fundit jam e sigurtë. Por dashuria që mora ishte e jashtëzakonshme. E fitova Eurovisionin sepse fitova turmën. Dhe turma(publiku) ka gjithmonë të drejtë”- shkruan ajo.

Shpërthejnë akuzat në rrjetet sociale: Organizatorët “ia kanë futur”!

Në rrjetet sociale njerëzit kanë shpërthyer në komente.  Në faqen e Eurovision në Instagram me mijëra komente kanë vërshuar nga ndjekësit ku kërkohet drejtësi për vendin tonë. Jo vetëm shqiptarët por edhe të huajit janë të mendimit se Ronela meritonte finalen dhe se organizatorët “ia kanë futur”.

“Drejtësi për Shqipërinë”/ “Ia futët Shqipërisë”/ “Shqipëria meritonte finalen”/ “Ku është Shqipëria”  janë komentet mbizotëruese në çdo postim dhe numërojnë me qindra pëlqime brenda pak minutash çka nënkpton se shumë njerëz janë dakord me këtë.

Artan Fuga shpërthen pas eliminimit të Ronela Hajatit nga Eurovision: Turp! Hajdutë!

Mirëpo në lidhje me këtë event kanë reaguar edhe figura të tjera të njohura në vend. Njëri prej tyre është edhe akademiku Artan Fuga, i cili me anë të një shkrimi në rrjete sociale ka analizuar performancën e Shqipërisë në “Eurovision”, ku përfaqësoheshim nga këngëtarja Ronela Hajati.

Akademiku, nuk i kursen notat e ironisë ku mes të tjerash thotë: “Kombinim i lartë i postmodernes, klasikes dhe popullores. Sapo gjuha e trupit kërkon të çlirohet, i hedhin napën, i lidhin duart me litar, i veshin futën për të qëruar patate! Mos donin t’u nxirrte edhe ndonjë kafe në tabaka argjendi?”

Postimi i Artan Fugës:

Ouuu, bravo kjo Hajati në Eurovizion, ka bërë art, jo thjesht një këngë, shkallë e lartë kodifikimi estetik i shprehjes muzikore! Kombinim i lartë i postmodernes, klasikes, popullores! Pa asnjë kompleks kulturor. Më në fund! Mjaft me paraqitje gocash të mira, femrash të sunduara nga etika maçiste. Sapo gjuha e trupit kërkon të çlirohet, i hedhin napën, i lidhin duart me litar, i veshin futën për të qëruar patate! Mos donin t’u nxirrte edhe ndonjë kafe në tabaka argjendi? Këta edhe Prometeun do ta kryqëzonin, do ta quanin hajdut të zjarrit të Perëndive. Turp! Hajdut! Simbolikën artistike e marrin për histori të vërtetë! Klithmë emancipimi, revoltë, dramë!

Reagon mjeku Tritan Kalo: Një ‘ndotje akustike’ dhe ‘pullëkuqëzime pamore’!

Ditën e sotme mjeku infeksionist Tritan Kalo ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me kuptimin e këngës dhe performancën në festival.

Sipas Kalos kjo gjë ishte një degradim në jetën artistike pasi përvec pasthirrmave ishin dhe gjestikulacionet erotike të kërcimit. Ai ka shtuar se kjo gjë ka sjellë dëmtimin e gjithçkaje, si në politikë, rinisë, muzikës apo dijëmarrjes. Kalo ka shprehur keqardhje për të gjithë vendin dhe e cilësoi si një gjë inkurajuese për braktisjen e të rinjve nga Shqipëria.

“11.05.2022…Mirmëngjes e ditë të mbarë miq, të afërm, dashamirës e bashkëatdhetarë….A mundet ndokush të më sqarojë, se çfarë “Sekreti” fshehu në Eurovizion këngëtarja Ronela Hajati….Degradimi i shumshkaje në jetën tonë artistike kulmoj mbrëmë me këtë përfaqsim, ku përpos pasthirmave ishin edhe gjestikulacionet erotike të kërcimit, ato që krijonin jo pak “ndotje akustike” dhe “pullëkuqëzime pamore”…. Dritëro Agolli i madh, thelbin e degradimin e shumplanshëm të shoqërisë sonë Demon-kratike, e gjente të zëvëndësimi i MERITOKRACISË me SHKËRDHATOKRACINË….”KANABIZIM” i gjithshkaje: i politikës, i ekonomisë, i rinisë, i muzikës, i dijedhënies dhe i dijemarrjes, i mjaft emisioneve televizive dhe mbi të gjitha ERRËSIMI TYMOR KANABISOR i vetë ardhmërisë sonë…. Shumë e tristë për të gjithë ne, dhe shumë inkurajuese për braktisjen e vëndit drejt thejqafjes emigratore sidomos nga të rinjtë…. Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit!!!”- shkroi ai.

“Promovohen anti-vlerat, banalitetet”/ Aida Shtino e revoltuar me performancën e Ronela Hajatit: Turp për artin shqiptar!

Të shumtë kanë qenë reagimet për performancën e Ronela Hajatit mbrëmjen e djeshme në Eurosong. Personazhë nga fusha të ndryshme, kanë shprehur në rrjet pakënaqësitë, apo mbështetjen për artisten, e cila nuk arriti të kualifikohej për në finale.

Një prej tyre ka qenë edhe gazetarja Aida Shtino. Gazetarja është fokusuar tek fustanellat që balerinët kishin veshur. Sipas Shtinos, prezantimi i tyre tregon gjendjen e artit dhe kulturës sonë.

Statusi i Aida Shtinos

Epo nese ky prezantim quhet art se di, ndoshta shijet e mia nuk e paskan kuptuar kete gje…‍♀️. Kush i ka veshur keshtu se mar vesh , po nuk percjell aspak hijeshi, por vetem banalitet provokues…. Kush eshte ai “stilist” qe i ka veshur ata kercimtaret ashtu….?!!!!!! Te shemtosh fustanellen tone te bukur ne ate menyre eshte gjeja me e keqe qe mundet ti besh tradites dhe kultures tone… Prezantimi i tyre tregon gjendjen kulturore e artistike, psiqike qe e ka  kapluar vendin tone,  ku promovohen antivlerat dhe banalitetet dhe vlerat jane strukur ne qoshe dhe nuk guxojne te dalin , se i ka mbytyr shemtia….. Ky prezantim…. nje turp per artin shqiptar ne cdo drejtim….nuk mundet te them asgje tjeter vecse keqardhje…. (panoramaplus)

Mediat e huaja ngelin në klasë Ronela Hajatin, e vlerësojnë me 4 veshjen e saj/ Folklor ballkanik, zë i papërqendruar!

Por, duhet thënë se performanca e Ronela Hajatit nuk ka pasur vetëm mbështetës, por edhe kritikues. Mediat italiane kanë shkruar ditën e sotme për performancën e Ronela Hajatit në Eurosong. Duket se fqinjët tanë nuk i kanë kursyer ironitë për look-un që këngëtarja kishte zgjedhur. Madje në një vlerësim me nota, ata i kanë dhënë 4 artistes sonë për zgjedhjen e bërë. Duke vlerësuar energjinë që i solli mbrëmjes, mediat nuk i kanë kursyer batutat për Ronela Hajatin.

“Reggaeton dhe folklori ballkanik: Dikush të na japi antidotin menjëherë… Nëse nuk mjafton ajo që keni parë live, shkoni gjejeni videon në YouTube: Një fantazi mesjetare si ‘Game of Thrones’ për të treguar një histori dashurie të fshehta, tradhti, seks dhe gjak. Zëri i fuqishëm, por jo gjithmonë i përqendruar! Ronela vendosi dorën në zonën intime gjatë performancës, që Eurovizioni e kishte censuruar në rrjetet sociale (por a i njohin Michael Jackson dhe Madonna?). Gjithsesi artistja e realizoi performancën e saj”, shkruanin mediat italiane, duke pasur ‘ankesa’ edhe për zërin e artistes shqiptar.

Nga ana tjetër edhe “Corriere della Sera” nuk është treguar shumë dashamirëse me përfaqësuesen tonë në Eurosong.

“Nderim për luftëtarët e Genghis Khan-it, ndoshta kjo ka qenë pamja e shqiptares Ronela Hajati, me bishtin. Busti me efekt trapez me një dekolte dhe këmbë mjaft provokuese, si koreografia që shoqëroi performancën. Me siguri fillimi i mbrëmjes plot energji, ndoshta nëse do të kishte shpenzuar pak më shumë në zgjedhjen e look-ut do të kishte qenë një investim i mirë”, thuhej në shkrim.

“Kur taksia vjen në 5 dhe ju s’keni tharë flokët”/ BBC ironi therëse me performancën e Ronela Hajatit në Eurovision

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision, këngëtarja Ronela Hajati nuk ka mundur të kualifikohet në finalen e kompeticionit, që këtë vit mbahet në Itali. Ronela Hajati ishte këngëtarja që hapin natën e parë të këtij festivali me këngën e saj “Sekret”.

Megjithatë ajo ka tërhequr vëmendjen e publikut me gjithë performancën e saj. Ishte pikërisht televizioni i njohur britanik ‘BBC’, i cili ka komentuar një pjesë të performancës, duke ironizuar me lëvizjen e saj të kokës.

“Kur taksia vjen në 5 dhe ju ende keni nevojë t’i thani flokët e juaja. #Albania #Eurovision”, ka shkruar BBC 3 në Twitter.

Zjarr Tv Ad