Igli Cara, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve dhe rezultatit përfundimtar. Ai shpreh mirënjohjen për durrsakët që e mbështetën dhe e votëbesuan në 14 Maj, pavarësisht se nuk arriti të fitonte.
“Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis. Faleminderit me zemër”, shkruan Cara.
Referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Igli Cara mori 38,784 vota ose 44.43% nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por nuk mundi të fitonte zgjedhjet. Ndërsa, kandidatja tjetër Emiriana Sako mori 48,512 vota, ose 55.57% nën siglën e Partisë Socialiste.
Reagimi i plotë i Igli Carës:
Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje! Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e proçesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis. Faleminderit me zemër!